Tabaku: Reagimi i Kosovës i shkëlqyer, i kam zili për unanimitetin. Ne nuk ngrihemi ndonjëherë aq lartë

Deputetja e PD-së Jorida Tabaku, e cila është edhe kryetare e Komisionit të Integrimit dhe e Këshillit të Integrimit Europian, thotë se ngjarjet e fundit kanë ardhur në një kohë kur palët po dialogonin. “Ishte një akt terrorist”, tha Tabaku. Ajo vlerësoi reagimin e Kosovës si në ditën e sulmit, por edhe të institucioneve që ishin në unanim duke dënuar sulmin me votë në parlament ku kërkuan një hetim ndërkombëtar.

“Ajo që ndodhi në veri të Kosovës ishte e paralajmëruar më parë me përshkallëzimin e situatës, me rrëmbimin e 3 policëve dhe konflikteve të vazhdueshme jashtë institucioneve zyrtare. Përveçse ishte e pakonceptueshme në momentin kur palët ishin në dialog, është në përmasat e një akti terrorist.

Kosova e menaxhoi shumë mirë aktin terrorist dhe kapjen e atyre personave, por edhe parlamenti miratoi një rezolutë ku kërkoi një hetim ndërkombëtar për t’i bërë të qartë të gjithë se Serbia ishte agresori. U menaxhua shumë mirë edhe vota unanime, të cilën asnjë në politikën e Kosovës nuk e përdori për politikën e ditës. I shoh ndonjëherë me zili për këtë fakt, i kam parë me zili për shumë gjëra, por i pash me zili dhe pak keqardhje pasi ne nuk ngrihemi ndonjëherë aq lartë.

Kosova nuk ulet dot më në tryezën e dialogut njësoj siç ulej një javë më parë. Për dy elementë kryesorë e dënoi ditën e zisë që vendosi Serbia. Së pari, ti tregon që je pjesë e asaj gjëje. Së dyti, ato ishin akte që kryheshin në territorin e një vendi tjetër, një vend në proces anëtarësimi, një vend që deklaron që është në një linjë me Europën. Unë do të kisha pritur t’i dënonin, jo t’i kishin ngritur në piedestal”.

Tabaku komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama. “Nuk ka qëlluar kurrë që të mos ketë rakordim me Kosovën dhe kjo që ka ndodhur është e papranueshme. Shqipëria nuk sillet dot si Zvicra, ne jemi një familje, përtej kufirit janë shqiptarë, duhej të rakordoheshin qëndrimet me Kosovën”,-tha Tabaku në një intervistë për ”Acnn”.

SHKARKO APP