Tabaku shpalos planin ekonomik të PD: Mjaft më me 18 taksa ndaj biznesit. Ja si do t’i rrisim investimet e huaja
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ishte sot e ftuar në konferencën për klimën e biznesit, ku Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi indeksin e biznesit për vitin 2019, që ka pësuar rënien më të madhe në 8 vitet e fundit.
Tabaku vuri në pah problemet e qeverisë Rama, ndërsa prezantoi edhe planin ekonomik të Partisë Demokratike, që sipas saj rrit konkurrueshmërinë e Shqipërisë në rajon, ul informalitetin si dhe afron investitorët e huaj.
“Boll më me 18 taksa dhe mbi qindra licensa që ju ngarkojnë me burokraci. Boll me ndryshimeve të pakuptimta e tendencioze të legjislacioni siç ka ndodhur në këto 7 vite. Ku ligjet fiskale dhe sistemi tatimor i janë kryer 150 ndryshime”,- tha ndër të tjera Tabaku.
Fjala e plotë
Të nderuar anëtarë të Dhomës Amerikane të Tregtisë – Amcham,
E nderuar zonja Ambasadore,
Kam kënaqësi të veçantë që jam sot në këtë takim organizuar nga një prej partnerëve më seriozë dhe të çmuar të Shqipërisë.
Për vite me radhë, anketimi dhe raportet e Dhomës Amerikane të Tregtisë i kanë dëshmuar publikut dhe vendimmarrësve në Shqipëri një pasqyrim të ndershëm dhe të vërtetë në lidhje me gjendjen ekonomike dhe financiare të vendit. Raportet dhe sondazhet e AMCHAM kanë qenë një etalon matës dhe vlerësim real i politikave fiskale dhe ekonomike të qeverive.
Ndaj dua t’ju falenderoj edhe në emër të PD e Koalicionit të Opozitës së Bashkuar për kontributin e çmuar që ju keni dhënë në vendin tonë gjithë këto vite.
Të flasësh për biznesin dhe ekonominë në Shqipëri po bëhet përditë e më shumë sfiduese. Mjafton t’i hedhësh një sy raporteve që kjo Dhomë ka botuar këto vite për të kuptuar gjendjen ku ndodhemi. Dhe këto rezultate konfirmojnë shqetësimet tona e tuajat të viteve të fundit.
Në këtë sallë sikundër jashtë saj debati është mes dy përqasjeve të ndryshme: do taksojmë punën apo do e nxisim punën?
Do të dorëzojmë gjithçka në duart e një shteti të madh, burokratik dhe të korruptuar apo do t’ia mirëbesojmë tregut dhe marrëdhënieve njerëzore?
Do të kemi një shtet që angazhohet të quajë treg pseudo-koncesionet që shpërndan tek një grusht klientësh dhe nënkontraktorët që i paracakton në zyrat e shtetit dhe në darka pazar, apo do të stimulojmë ekonominë e lirë e konkurencën e ndershme?
Pas 30 vite tranzicion Shqipëria nuk e ka luksin të bëjë eksperimente e të përsërisë të njëjtat gabime! As ne, as ju!
Indeksi i sotëm i biznesit është një bazë e fortë për të kuptuar se ku çalojnë jo vetëm thithja e investimeve të huaja por edhe ku është problemi në lidhje me sipërmarrjen në vend. Kemi mbajtur shënim dhe po finalizojmë një dokument, të cilin e kemi diskutuar me shumë prej jush.
Duke qenë se situata ekonomike dhe financiare në vend, bazuar në çdo kriter matës dhe referues, është përkeqësuar në këto 7 vitet e fundit, ne besojmë fort se është i nevojshëm ndryshimi përmes një politikë të re fiskale dhe rregullave se si do të jetë raporti i sipërmarrjes me qeverinë.
Një qeveri e madhe, e mbushur me institucione dhe agjenci që kanë përplasje dhe vështirsojnë jetët e biznesit.
Institucione, leje, autorizime, licenca që i marrin ditë jete sipërmarrjes, para edhe energji investitorit dhe që veç burokracisë dhe korrupsionit nuk prodhojnë eficencë në treg.
Një sistem fiskal i cili më shumë të shtyn të shpenzosh parà dhe energji për t’iu shmangur se sa për të paguar taksat.
Një atmosferë aspak shqiptare e mikpritjes së të huajve. Korrupsion dhe një perspektivë negative për ekonominë. Ekonomi në krizë dhe besim në rënie. Këto të vërteta të dhimbshme janë shtysa për rikonceptim themelor për të nesërmen: politikë e re fiskale dhe rishikim tërësor i mënyrës së si do të funksionojë marëdhënia me biznesin.
Një sistem eficent fiskal do të jetë motorri i ekonomisë sonë dhe karburanti i buxhetit tonë me normën më të ulët të taksës në rajon prej 9%.
Taksa e sheshtë do të ndihmojë në luftën kundër informalitetit dhe korrupsioni dhe do ta bëjë këtë sistem më të thjeshtë dhe transprent. Kështu kontabilistët nuk do vrasin mendjen si t’i gjejnë anën taksave por si të rrisin eficencën e kompanive ku punojnë.
Jo vetëm kaq, por ajo që ofrojmë është një shkurtim i llojeve të taksave nën parimet e transparencës, thjeshtësisë, eficencës ekonomike, fleksibilitetit, përgjegjësisë politike dhe paanësisë.
Boll më me 18 taksa dhe mbi qindra licensa që ju ngarkojnë me burokraci.
Boll me ndryshimeve të pakuptimta e tendencioze të legjislacioni siç ka ndodhur në këto 7 vite. Ku ligjet fiskale dhe sistemi tatimor i janë kryer 150 ndryshime.
Ju keni nevojë për qartësi e parashikueshmëri dhe ne kemi nevojë për suksesin e sipërmarrjes.
Kjo jo vetëm për të mundësuar një rritje të standartit të jetës së shqiptarëve që sot rrezikojnë nivele varfërie si në vitin 2005. Por, edhe për të mirëpritur investimet e huaja të cilët janë kthyer si ujët e pakët në ekonominë e thatësirës që shkretëtira progresive na ka ofruar deri më tani.
Për muaj me radhë kam dëgjuar thirrjen e sipërmarrjeve që kërkojnë më shumë drejtësi për mënyrën se si shkruhen politikat fiskale në këtë vend. Përherë e më pak zëri i tyre dëgjohet në një vend me dhjetra institucione dhe agjenci që paguhen nga buxheti i shtetit, për të mos u dhënë zgjidhje.
Për të reduktuar edhe më shumë barrën burokratike do të angazhohemi për të ristrukturuar tërësisht administratën tatimore dhe atë doganore. Do të jetë me eficente, më mirëfunksionale dhe nuk do të ketë si synim gjobitjen e sipërmarrjes. Nuk mbahet shteti me gjoba.
Vizioni ynë ekonomik për Shqipërinë ngrihet mbi themelet e lirisë së sipërmarrjes, iniciativës private, hapjes ndaj investitorëve të huaj dhe qeverisë së vogël. Shteti duhet të ketë rregulla të thjeshta për të gjitha nivelet dhe llojet e konkurencës.
Beteja jonë ngrihet mbi luftën ndaj korrupsionit duke krijuar një mjedis të paqshëm dhe dëshirueshëm për biznesin. Ku burokracia e pakët do të ketë synim të zgjerojë bazën tatimore, përmes incentivave dhe lehtësimit të mënyrës se si do të paguhen.
Jemi të bindur dhe të qartë për atë se çfarë përfaqësojmë ne në rajon, ndaj duam të jemi një “hub” ku investorët nga vendet e partnerëve strategjik të ndjehen komod. Ne nuk do të luftojmë vetëm për të krijuar mundësi ekonomike për investitorët shqiptarë por synim dhe qëllim të veçantë kanë edhe investitorët e huaj.
Partia Demokratike është thellësisht e shqetësuar nga fakti që Shqipërisë në këto 7 vite i kanë munguar investime të huaja direkte në fusha strategjike për ekonominë e së ardhmes. E kam ndjekur me tejet trishtim se si tregu jonë po monopolizohet apo oligarkizohet ndërkohë që biznese të rëndësishme të huaja largohen nga vendi duke mos iu ofruar mundësi.
Humbja ka qenë e dyanshme.
Ne jemi të qartë që për të krijuar atmosferën e nevojshme për biznes dhe për t’u rikthyer kompetitivë në rajon do të duhet të angazhohemi edhe në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë, në eliminimin e licencave dhe lejeve të padobishme dhe përsëritëse që janë kthyer barrë për biznesin.
Duhet të largojmë nga rregullat institucionale dhe praktika e përditshme vizitat e vazhdueshme e bezdisëse të dhjetra inspektoriateve.
Reformat që ne do të zbatojmë, do të mundësojnë konkurueshmërinë, do të zhbëjnë monopolet e dëmshme, do çlirojnë tregun nga oligarkia e padobishme për ekonominë dhe do të rrisin punësimin dhe të ardhurat.
Shqipëria nuk ka përse të humbasë edhe më shumë vende në Doing Business, nuk ka përse të vazhdojë të mbetet në të fundit në rajon për investimet e huaja.
Të nderuar pjesëmarrës!
Ne do të bëjmë gjithcka që ky të jetë dimri i fundit i pakënaqësisë suaj karshi qeverive që nuk ju dëgjojnë.
Ne zotohemi per një ekonomi dinamike ku sipërmarrjet shqiptare dhe ato të huaja, të jenë pjesë e tregut dhe ekonomisë sonë.
Lejomëni ta përfundoj këtë fjalim duke cituar një vizionar të madh si Thomas Jefferson, që kur përshkruante një qeverisje të mirë i vishte asaj cilësitë e një qeverie që “duhet të parandalojë njerëzit të dëmtojnë njëri-tjetrin, duhet t’i lërë të lirë të rregullojnë sipërmarrjet e tyre dhe nuk ka përse të fusë dorën në xhepin e biznesit.”
Shpreh bindjen se të gjithë jemi të një mendje. Shqipërisë dhe sipërmarrësve u duhet një qeveri e tillë një orë e më parë.