Tabaku: Shqipëria u derdh në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke dëshmuar se legjitimiteti moral i kësaj shumice
Deputetja e Partisë Demokratike, njëherësh kryetare e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, reagoi sot pas protestës së zhvilluar dje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke e cilësuar atë si mesazhin më të fortë politik që qytetarët i kanë dhënë qeverisë në vitet e fundit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se pjesëmarrja masive në protestë tregoi se pakënaqësia ndaj modelit të qeverisjes është shndërruar në një reagim të gjerë qytetar kundër korrupsionit, privilegjeve dhe kapjes së shtetit.
Sipas saj, protesta nuk ishte thjesht një tubim politik, por një manifestim i qytetarëve që ndihen të përjashtuar nga një sistem që favorizon një pakicë në kurriz të shumicës.
Tabaku theksoi se në shesh ishin të rinj që kërkojnë të ndërtojnë jetën në Shqipëri, pensionistë që kërkojnë dinjitet, familje që përballen me kostot e larta të jetesës dhe shtresa e mesme që, sipas saj, mban barrën kryesore të taksave pa marrë shërbimet dhe mundësitë që meriton.
Deputetja demokrate tha se protesta ishte një reagim ndaj një sistemi që për vite me radhë ka prodhuar pabarazi ekonomike, emigracion dhe dobësim të institucioneve demokratike. Ajo akuzoi qeverinë se vijon të mbrojë interesat e një grupi të privilegjuar përmes ligjeve dhe politikave të hartuara në funksion të pakicës, ndërsa shumica e qytetarëve përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha.
Në reagimin e saj, Tabaku ndaloi edhe tek përpjekjet e qeverisë për të delegjitimuar protestuesit pas përfundimit të protestës, duke i cilësuar ato si pjesë të një mekanizmi propagandistik që synon të shmangë përballjen me problemet reale të vendit. Ajo nënvizoi se besimi i qytetarëve nuk mund të zëvendësohet me propagandë dhe se pjesëmarrja masive në protestë tregoi qartë hendekun mes qeverisë dhe qytetarëve.
“Por sapo dita e re nisi, mekanizmi i vjetër i pushtetit u vu sërish në lëvizje. Tabelat digjitale të fletërrufeve dacibao filluan të ekspozojnë emra, biografi dhe histori personale të protestuesve. Rojtarët dhe nëpunësit e Pallatit të Ëndrrave u përpoqën të diskreditojnë qytetarët që kishin mbushur sheshin, sikur një qeveri e zhytur në korrupsion të kishte autoritetin moral për të gjykuar të tjerët”, tha ajo.
Tabaku lidhi gjithashtu situatën me zhvillimet e fundit në luftën kundër korrupsionit, duke kujtuar hetimet e SPAK-ut për një sërë çështjesh që lidhen me kontrata publike dhe partneritete publike-private, ndërsa kritikoi nismat e reja të qeverisë për favorizimin e investitorëve strategjikë.
“E njëjta shumicë që shpenzoi fonde publike për të manipuluar perceptimin dhe për të ndërtuar makinerinë e saj propagandistike, sot përpiqet të shesë si legjitimitet atë që në fakt e ka humbur prej kohësh: besimin e qytetarëve. E njëjta që sot po hetohet nga SPAK për 50% të PPP-ve si të korruptuara.
Shqiptarët treguan dje se dinjiteti i tyre nuk blihet dhe nuk frikësohet. Se forca e qytetarëve të bashkuar është më e madhe se çdo aparat propagande, më e madhe se çdo teknikë e vjetruar e frikësimit dhe më e madhe se çdo përpjekje për të ndalur ndryshimin”, tha ajo.
Sipas Tabakut, protesta e djeshme tregoi se shqiptarët nuk janë të gatshëm të pranojnë më një model qeverisjeje që prodhon privilegje për pakicën dhe kosto për shumicën.
KOHA JONË SONDAZH

