Tabaku takon Schutz: PD e bindur që Shqipëria duhet të vijojë me procesin e Integrimit
Kryetarja e Komisionit të Integrimit Europian, Jorida Tabaku, u takua me ambasadoren Susanne Schutz që mban postin e Drejtoreshës së Drejtorisë për Europën Juglindore, Turqisë dhe shtetet EFTA-s në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme në Gjermani.
Schutz ka një njohje të mirë të vendit, duke qenë se ka qenë ambasadore e Gjermanisë në Shqipërisë. Diskutimi me nënkryetaren e PD-së, Jorida Tabaku u fokusua në situatën politike në vend dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Tabaku e vlerësoi Gjermaninë dhe posaçërisht zonjën Schutz për kontributin në këtë pikë dhe njëkohësisht vuri në dukje problemet që qeveria shqiptare ka në lidhje me procesin e integrimit. Ajo e vuri theksin në mungesën e një vullneti politik të qeverisë që për rrjedhojë ka prodhuar një stanjacion në procesin e përmbushjes së kushteve nga Shqipëria.
Gjithsesi, kryetarja e Komisionit të Integrimit Tabaku u shpreh se PD është e bindur që Shqipëria duhet të vazhdojë me procesin e integrimit pasi vetëm kështu qeveria do të jetë më llogaridhënëse.
Tabaku shprehu shqetësimin e saj në lidhje me procedurat me të cilat u përjashtua një kompani gjermane nga konkurrimi në portin e Durrësit. Ajo diskutoi me ambasadoren edhe në lidhje me Aeroportin e Vlorës i cili kundërshtohet nga 34 organizata mjedisore sepse rrezikon faunën. Gjatë bisedës u prekën tema të një rëndësie të veçantë si ajo e krijimit të 3 agjencive të reja nga qeveria që centralizojnë pushtetin në dorën e një njeriu.