Tabaku: Zgjedhjet janë testi i demokracisë, PD nuk u është shmangur

Flet për “Koha Jonë”, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku: Presidenti mund të zgjidhet nga Parlamenti i ri

Intervistoi: Redjon Shtylla

Refuzimi i Partisë Socialiste, për votim dhe numërimin elektronik, është një tentativë e pastër për të ndikuar tek zgjedhjet. Kështu shprehet deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në një interviste për “Koha Jonë”. Ajo deklaron se, “koha po funksionon kundër qeverisë, e cila përpiqet të gjejë të gjitha alibitë e mundshme për të vonuar dhe penguar sa më shumë këtë proces”. E për debatin në selinë blu lidhur me bojkotin, znj.Tabaku, thekson se pas një bilanci të suksesshëm të opozitës, “më duket e tepërt që sot e kësaj dite, pas një bilanci edhe më të suksesshëm si opozitë e paktë në numra, por e fuqishme dhe përcaktuese në reformën e drejtësisë dhe jo vetëm, të mendohet bojkoti”. Lidhur me sfidën Presidenciale, opozitarja, vë pikëpyetjen se cili  Parlament mundet ta zgjedhë Presidentin e ardhshëm, duke pohuar se, “sipas gjasave, do të zgjidhet pas zgjedhjeve parlamentare”.

Znj.Tabaku, kreu i PD-së, Lulzim Basha në takimin e fundit me aleatët deklaroi një sërë kushtesh për zhvillimin e zgjedhjeve. Kushte që kanë të bëjnë me numërimin elektronik, dekriminalizimin ndalimin shitblerjen e votës etj. Çfarë do të bëjë PD nëse këto kushte nuk realizohen?

Këto nuk janë vetëm kushtet e një partie politike, por janë kushtet e disa partive politike që përfaqësohen dhe kanë numrat e tyre në Parlament. Në dijeninë time, një pjesë e kushteve kërkohen edhe nga forca të tjera në Parlamentin e vendit, kështu që më duket e padrejtë që lëvizja për zgjedhje të lira e të drejta kësaj radhe të jetë vetëm e Partisë Demokratike. Sigurisht si forca më e madhe opozitare në vend që në maj të vitit të kaluar kemi paraqitur një sërë propozimesh konkrete që përputhen dhe me këshillat e OSBE-ODIHR dhe që mundësojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shmangia nga këto kërkesa përmes të gjitha formave nga ana e maxhorancës apo një pjesë e saj është një tregues i frikës së saj për t’u ballafaquar me zgjedhjen e shqiptarëve. Frikë e kuptueshme duke parë bilancin katastrofik të një mandati qeverisës. Pikërisht, kjo është arsyeja që ne nuk na tërheq ende në hapat e mëtejshëm, jemi të vendosur të luftojmë bashkë me forcat e tjera politike në sigurimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.  Ne besojmë që për të qenë e përgjegjshme në raport me demokracinë. Praktikisht koha po funksionon kundër qeverisë, e cila përpiqet të gjejë të gjitha alibitë e mundshme për të vonuar dhe penguar sa më shumë këtë proces.

A qëndron për opozitën opsioni i bojkotit të zgjedhjeve?

Në 25 vjet demokraci, Partia Demokratike nuk ka bojkotuar zgjedhjet edhe në ditët e vështira të vitit 2001 ku u shpik Dushku, i cili prodhoi atë farsë elektorale që të gjithë jemi në dijeni. Më duket e tepërt që sot e kësaj dite, pas një bilanci edhe më të suksesshëm si opozitë e paktë në numra, por e fuqishme dhe përcaktuese në reformën e drejtësisë dhe jo vetëm, të mendohet bojkoti. Shmangia e reformës zgjedhore për një kohë kaq të gjatë si dhe abuzimi me zgjedhjet vendore në Dibër dhe Kolonjë, ku qartësisht pamë makinerinë e blerjes së votës dhe shkatërrimin e parimit themelor të demokracisë, nuk janë vetëm se sulme të drejtë për drejta ndaj opozitës. Para pak ditësh, maxhoranca refuzoi kërkesën e votimit dhe numërimit elektronik, duke përjashtuar njëkohësisht edhe hapat e depolitizimit të numërimit. Sigurisht që, kjo është tentativë e pastër për të ndikuar tek zgjedhjet, mirëpo çdo vendim sa i takon pjesëmarrjes do të merret në forumet e partisë.

Kemi dëgjuar nga përfaqësues të PD-së dhe partive të tjera opozitare për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve. Çfarë fiton PD-ja nga shtyrja e zgjedhjeve?

Është diskutuar si mundësi për t’i dhënë kohë Komisionit Zgjedhor që të përfundojë proceset për të kryer zgjedhje sa më larg faktorëve që i kërcënojnë ato. Fjala vjen dekriminalizimi, votimi elektronik, të cilat janë shumë të mundshme të ndodhin që tani. Megjithëse, Kryeministri ka urdhëruar që të mos ketë kompromis për këto kërkesa, për pasojë duke paralajmëruar një vit të vështirë që mundet të krijojë domosdoshmërinë për ta shtyrë datën e zgjedhjes. Aq më tepër kur Kushtetuta e jep këtë mundësi dhe opsion. E ripërsëris, synimi i PD-së është që t’i japë mundësi votës së çdo qytetari të numërohet dhe vullneti i tij të pasqyrohet në ditën e votimit për forcën politike që duhet të udhëheqë vendin.

Të gjitha qëndrimet e PD-së për zgjedhje, tek maxhoranca shihen si frikë për përballjen elektorale të opozitës. Si i komentoni këto qëndrime të maxhorancës?

Kjo është një tentativë e maxhorancës për të parë gotën e mandatit të saj gjysmë plot.  Pse duhet opozita të ketë frikë të përballet me votën? Në një mandat në pushtet taksat janë rritur me 1 mld USD në mënyrë kumulative. Para që janë mbledhur nga xhepat e shqiptarëve, nga paratë e bizneseve, por që nuk kanë shkuar për asnjë vepër publike përveçse shesheve të padobishme. A nuk e ka dëshmuar çdo fillim viti, përfshirë edhe ky i sivjetshmi, dështimin e kësaj politike fasadash? Rruga Tiranë-Durrës përpara dy viteve mori një investim marramendës për palmat anash saj, ndërkohë që vetëm nga një dëborë e rënë pak ditë më parë (e parashikuar nga sinoptikanët) u shndërrua në gangrenë për qytetarët dhe trafikun. Si pasojë e taksave të rritura, konsumi i qytetarëve ka rënë në minimum. Për vitin e shkuar (2016) inflacioni ishte 1.3%, që në fakt është vlera më e ulët e inflacionit në 15 vite. Pra, konsumatorët kanë një fuqi blerëse më të ulët për herë të parë në 15 vjet, interesante është se vetëm shporta e ushqimeve dhe shërbimit arsimor ka rritje në çmimet e produkteve. Kjo si pasojë e taksave të larta të vendosura nga qeveria, pra e 1 mld USD taksa kumulative në katër vjet, që kanë prodhuar këtë situatë ku shumica e shqiptarëve shpenzojnë më shumë për ushqimet e shportës sipas të dhënave të INSTAT. Qeveria pretendon se ka investuar dhe përmirësuar furnizimin me energji elektrike dhe sidomos OSHEE, por sot jemi përballë një gjendje emergjence, ku ministrit i duhet të dalë në televizor vetëm për të mbuluar errësirën që ka zaptuar Shqipërinë. Banorët në zonën e Muhurrit në Dibër sot janë vetëm edhe të izoluar megjithëse disa muaj më parë shumë prej ministrave apo deputetëve shpërndanin thes me miell për t’i bindur të votonin për Rilindjen. Sot shqiptarët po ngrohen me energji elektrike dhe gaz, ironikisht qeveria vendosi akcizën mbi gazin duke rritur çmimin e saj edhe për konsumatorët që po e paguajnë më shtrenjtë ngrohjen e tyre. Pa folur për çmimin e energjisë elektrike që është më i shtrenjtë se sa në vitin 2013 ndërkohë që premtimi i qeverisë për të ulur TVSH-në për familjet në nevojë sa i takon energjisë elektrike është një gënjeshtër. Pa folur për situatën katastrofike të vaksinave apo gripit i cili ka marrë jetë njerëzish, ndërkohë që qeveria vazhdon të japë para për oligarkët e saj në fushën e shëndetësisë apo edhe kushteve të tmerrshme në të cilat ndodhen shkollat dhe çerdhet. Besoj se me këtë bilanc gjithkush e ka të qartë se kush ka frikë nga zgjedhjet dhe vota!

A ka PD një alternativë për problemet që juve shtruat më sipër? Pra për zgjidhjen e problemeve që jep ekonomia dhe rritjen e inflacionit?

PD ka ofruar si zgjidhje lehtësimin e fiskal, jo vetëm përmes taksës së sheshtë prej 9% që do të rrëzojë një skemë progresive që as nuk i ka dhënë shqiptarëve rrogën e 13 dhe as punëdhënësve mundësinë për të përmirësuar biznesin e tyre. Ndërhyrja e PD-së në fushën e politikave ekonomike lidhet gjithashtu, me lehtësirat fiskale që do të mundësojnë zhvillimin ekonomik duke i dhënë mundësi një biznesi të zgjerohet dhe njëkohësisht të punësojë apo përmirësojë teknologjitë e tij. Sot problemi kryesor i vendit është mungesa e prodhimit të produkteve si dhe teknologjia. Vendet fqinje jo vetëm po marrin një pjesë të mirë të investimeve të huaja, por edhe po pasurojnë vendin e tyre me teknologjinë e fundit. Një lehtësim i politikave fiskale, pra ulja e taksës së korporatës, tatim fitimit si dhe tarifave të tjera do të mundësojë afrimin e kompanive të huaja të prodhimit të makinave apo pjesëve të tyre në një vend si Shqipëria.  Europa dalëngadalë po del nga kriza ekonomike dhe gjasat janë që shumë prej kompanive të rifillojnë zgjerimet e tyre duke kërkuar vende me taksa të ulëta dhe avantazhe të tjera në favor të politikave të tyre menaxheriale. Në fushën e bujqësisë, lehtësirat fiskale dhe subvencioneve, pritet të krijojnë efekt pozitiv në prodhimin e produkteve si dhe shpërndarjen e tij. Sot e kësaj dite, ka një problem sa i takon menaxhimit të shpërndarjes, qeveria e ka përqendruar atë (njësoj si subvencionet) në disa duar duke shmangur tregun e lirë për rrjedhojë duke krijuar barriera në funksionimin e tregut të lirë.

Sfida e tretë e Parlamentit për 2017 është zgjedhja e Presidentit për të cilën Kushtetuta e kërkon konsensual. Mendoni se do jetë ekskluzivitet i maxhorancës dhe opozita do “përjashtohet” nga numrat që qeveria ka?

Kushtetuta ofron të gjithë mundësinë që ky president të jetë konsensual, duke qenë se deri në raundin e fundit ajo kërkon një shumicë të cilësuar. Mirëpo, kushtetuta ka opsionin e 71 deputetëve, të cilat maxhoranca aktuale i zotëron por do të shpresoja dhe uroja që presidenti të jetë jo një produkt përjashtimesh por përafrimesh.  Mirëpo ftesa pritet të jetë nga maxhoranca dhe qasja e saj ndaj zgjedhjes së presidentit. Pa folur për një debat kushtetues se cili parlament mundet ta zgjedhë presidentin e ardhshëm, i cili sipas gjasave do të zgjidhet pas zgjedhjeve parlamentare.

A i duhet Shqipërisë një Presidente grua. Që nga shpallja e Pavarësisë, nuk është bërë e mundur, ndërkohë që, Kosova vetëm me 6 vjet shtet vendosi një grua kryetare shteti?

Unë nuk besoj se ne jemi në garë me ndonjë vend tjetër për të përcaktuar një presidente grua. Natyrisht, do të isha dakord që një grua të ishte kandidate për presidente madje, edhe presidente, por ajo që dua të theksoj është se nuk duhet ta trajtojmë këtë si një garë. Vendit i duhet një figurë unifikuese që të dalë nga një proces sa më i qartë dhe i pastër për sytë dhe mendjet e publikut. Në këtë atmosferë gati autoritare, në mos tiranike, duhet një frymë e tillë për ta zgjidhur këtë proces që pritet të jetë i koklavitur.

Disa muaj më parë kreu i PD-së, Lulzim Basha foli për një iniciativë të re për hapjen e partisë. A do të ketë ftesë nga PD-ja për ata që janë larguar?

Basha e ka shpalosur këtë qëndrim thuajse në çdo takim dhe dalje publike. Mendoj që ky qëndrim i jep përgjigje të plotë edhe pyetjes tuaj mbi të larguarit apo ato që duan të afrohen në PD. Dyert e saj kanë qenë të hapura dhe minimalisht që nga viti 2013 ne e kemi dëshmuar këtë vullnet edhe me fakte. Zgjedhjet vendore treguan se disa figura të PD-së u rikthyen dhe po kontribuojnë për rikthimin e saj në pushtet. Natyrisht, ky është një tregues i vogël por që mendoj se është tejet sinjifikativ dhe që dëshmon se ka vullnet për ta realizuar hapjen dhe afrimin e figurave të djathta në vend brenda kësaj force politike.

 

SHKARKO APP