Tahiri: Ne e ftojmë në tryezë, opozita na përgjigjet me pistoleta
Partia Socialiste e Tiranës ka zhvilluar sot një takim me anëtarët e rinj, ku në fokus ka qenë pjesëmarrja në referendum.
Në fjalën e tij, koordinatori i rajonit Tiranë-Durrës, Saimir Tahiri, tha se anëtarësimet e reja nuk janë vetëm një numër, porse PS-ja tashmë sipas tij është një ambient ku diskutohet për qeverisjen.
Tahiri është ndalur edhe tek ftesa e Ramës për opozitën sa i përket një tryeze për reformën në drejtësi.
“Ka një ftesë nga kryeministri, ndërsa opozita e refuzon bashkëpunimin dhe i përgjigjet me dhunë dhe pistoleta”, tha Tahiri, duke iu referuar protestave te Liqeni.
Sipas tij, qeveria po bën reforma shtetformuese, ndërsa sa i përket reformës në drejtësi politika ka detyrim historik.
“Është shumë e rëndësishme që alternativën e dialogut t’ia tregojmë pa pushim opozitës sepse është produkt i vetëdijes tonë për të ndërtuar Shqipërinë që duan shqiptarët. Pavarësisht kostos dhe barrës së rëndë që i kanë lënë qeverisë demokratët, është e rëndësishme që reformat të bëhen”, theksoi kreu i PS së kryeqytetit, njëkohësisht ministër i Brendshëm.
Ai tha se ka një domosdoshmëri akoma më të madhe, atë të dialogimit me shqiptarët.
KOHA JONË SONDAZH

