Takimet me drejtuesit e tre forcave politike, Yuri Kim: Zgjedhje të ndershme dhe kandidatë të pastër

Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar për takimet e ambasadores Yuri Kim me drejtuesit e tre forcave politike në vend. Kim ka bërë apel që të parandalohet çdo formë presioni për të zbuluar si kanë votuar njerëzit, të hetohen raste e blerjes së votës dhe të garantohet siguria e të dhënave personale të qytetarëve.

”Drejtuesit e partive konfirmuan gjithashtu se do të shqyrtojnë kandidatët përkatës për t’u siguruar që ata përmbushin kërkesat e ligjit si dhe pritshmëritë e votuesve shqiptarë për kandidatë të pastër. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me votuesit, autoritetet, partitë, shoqërinë civile, median dhe të tjerë në mbështetje të një procesi zgjedhor që pasqyron statusin e Shqipërisë si aleate në NATO dhe aspirante për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”,-thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së.

Fillimisht Yuri Kim shkoi në selinë rozë ku u takua me sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri. Diplomatja zhvilloi një takim edhe me kryetarin e komanduar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në kryesinë e Kuvendit. Pas takimit me Alibeajn, diplomatja amerikane u takua me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Metën.

Swiss Digital Desktop Reklama

Postimi i plotë nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet vendore të 14 majit, ambasadorja Kim u takua sot me drejtues të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë për të nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të aktiviteteve në mënyrë të ndershme, transparente dhe të rregullt, në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare. Ajo iu kujtoi atyre vëzhgimet dhe rekomandimet e raporteve të mëparshme e ODIHR-it. Për shembull, në raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të prillit 2021, rekomandimet e ODIHR përfshinin si më poshtë:

• Shteti duhet të garantojë të drejtën për të zgjedhur lirisht dhe në fshehtësi. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dhe si kanë votuar njerëzit duhet të parandalohet.
• Agjencitë ligjzbatuese duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votës. Qytetarët duhet të nxiten të raportojnë dhe të japin fakte për çfarëdo blerje votash apo presioni.
• Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë tërësisht dhe të ndëshkojnë çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor.
• Legjislacioni duhet të ndryshohet për të siguruar që mediat të jenë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet e konkurruesve në zgjedhje me synimin për të kufizuar përdorimin në lajme të materialeve të prodhuara nga partitë.

Drejtuesit e partive konfirmuan gjithashtu se do të shqyrtojnë kandidatët përkatës për t’u siguruar që ata përmbushin kërkesat e ligjit si dhe pritshmëritë e votuesve shqiptarë për kandidatë të pastër.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me votuesit, autoritetet, partitë, shoqërinë civile, median dhe të tjerë në mbështetje të një procesi zgjedhor që pasqyron statusin e Shqipërisë si aleate në NATO dhe aspirante për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?