Taulant Balla: Prokuroria të mos bëhet rëra ku “spiuni I.M.” të fshehë kokën
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka ironizuar padinë që kreut i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dorëzoi sot në Prokurori për anëtarët e Autoritetit të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, socialisti shkruan se “të gjithë anëtarët e Autoritetit dhe kryetarja e tij Genta Sula kanë respektin e mbështetjen tonë në punën e tyre”.
Në vijim reagimi i plotë i Ballës:
Anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve që vijnë nga familje të persekutuara prej regjimit komunist dhe sot janë kallëzuar nga Ilir Meta si falsifikatorë dhe si vegla të pushtetit, ju sugjeroj miqësisht ta marrin këtë zhvillim si ilustrimin e asaj shprehjes: Historia ndodh si tragjedi dhe përsëritet si komedi!
Shantazhi absurd i Ilir Metës ndaj tyre është një tjetër arsye për të dyshuar fort se spiuni I.M nuk është askush tjetër, po pikërisht ai që tanimë mendon gjithë Shqipëria.
Uroj që prokuroria të mos bëhet rëra ku Ilir Meta të fshehë kokën si struci në pafundësi, po të respektojë ligjin, institucionet dhe të drejtat e detyrat e drejtuesve të tyre.