Tavo akuza të forta qeverisë: Rrituni rrogën mjekëve sa Gjermania që të mos largohen
Ish-deputeti i LSI, Vangjel Tavo akuzon qeverinë se po tallet me mjekët. Teksa kujton deklaratën e ministres së Shëndetësisë, e cila tha se kërkesat e mjekëve kërkojnë ekspertizë ndërkombëtare, Tavo i kërkon qeverisë që ti rrisë rroga e mjekëve si në Gjermani, në mënyrë që mos të largohen nga Shqipëria. Në rrjetet sociale, Tavo shkruan se mjekët u lanë në front të parë pa mbrojtje, pa mjetet minimale: pa maska, pa doreza, pa tamponë.
Postimi i Tavos në Facebook:
Kërkesat tuaja kanë nevojë për ekspertizë ndërkombëtare u thotë qeveria bluzave të bardha që deri dje i quante bluzat e zeza.
Ekspertizë ndërkombëtare? Për çfarë? Për rrogat? Bëjani sa Gjermania që të mos largohen. E madje edhe ata që janë larguar të kthehen.
Ndryshoni ligjin që miratuat për t’i futur në burg. Sigurojuni kushtet dhe mjetet e punës.
E bëni dot?
Bëjeni çfarë prisni.
Pse talleni me heronjtë tanë?
I quajtët bluzat e zeza e tani të bardha pasi patë që pa ata nuk mund ta përballonit këtë situatë.
E sërish i braktisët.
I latë në front të parë pa mbrojtje, pa mjetet minimale: pa maska, pa doreza, pa tamponë. Rrezikuat jetën e tyre. E tani talleni me ekspertizën ndërkombëtare.
Turp të keni!
Nuk jeni as mjek e as profesionistë. Nuk e keni kuptuar ende rëndësinë e bluzave të bardha. Nuk e keni kuptuar se ata janë heronjtë ndërsa ju vargonjtë, klounët dhe sharlatanët e shoqërisë.