Tavo: Maxhoranca të mendojë për reformat dhe qytetarët. Ka kohë për koalicionin

Deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo: Në 2017, LSI jo vetëm do vazhdojë të jetë forcë e parë në qark, por do e dyfishojë rezultatin e saj

Intervistoi: Qamil Xhani/Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo, se debati më i rëndësishëm në maxhorancë duhet të jetë zgjidhja e problemeve që kanë qytetarët. Lidhur me mënyrën sesi do të paraqitet koalicioni i majtë në zgjedhje, Tavo shprehet se, “diskutimet mbi koalicionet dhe strategjitë e zgjedhjeve të ardhshme nuk janë aspak të rëndësishme deri kur t’i afrohemi ditës që qytetarët do japin vendimin e tyre shprehet se zgjedhjet në Dibër u fituan nga koalicioni dhe jo vetëm nga një grup”.

Tavo, LSI ka nisur fushatën për zgjedhjen e kryetarit të saj. Është bërë zakon te PD dhe PS dhe partitë e tjera politike që gara për zgjedhjen e kryetarit të jetë një zbatim formal i statutit. Realisht, sipas mendimit tuaj, çfarë duhet të ndryshojë te LSI?

Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur procesin për zgjedhjen e kryetarit të partisë. Ky patjetër që është një zbatim i statutit sepse LSI e respekton me përsosmëri kontratën që ka me anëtarët dhe mbështetësit e saj dhe për këtë rast pikën 11.20 të statutit, ku thuhet që, “Kryetari zgjidhet një herë në 4 vjet nëpërmjet votimit nga anëtarësia sipas parimit një anëtar – një votë dhe me kandidaturë alternative”. Por jo vetëm kaq, ashtu siç e dinë fare mirë të gjithë shqiptarët, LSI nuk është një parti formale, por një grupim politik dinamik, progresiv dhe me ritme të shpejta si brenda ashtu edhe rreth saj.

Liria e çdo anëtari të LSI-së për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, për të ndarë mendimet apo kontribuar me ide dhe platforma përbëjnë vetë esencën e familjes sonë politike. Një parti që nuk ushqehet me oksigjenin e lirisë së votës, risisë së mendimit, guximit për të paraqitur platforma të reja politike vdes apo shuhet nga vegjetimi, dhe braktiset nga ndjekësit. Ne jemi një parti e rinisë dhe e energjive integruese, jo vetëm për anëtarët tanë, por për mbarë vendin, ndaj zgjedhjet për kryetarin e partisë janë një moment tejet i çmuar për ne, pasi janë një ushtrim i kësaj demokracie dhe vlere që ka familja jonë politike.

Krahas garës, në LSI një javë më parë pati disa deklarata nga Partia Socialiste që pozicionoheshin në favor të zgjedhjes së Ilir Metës, President. Një kandidim i tillë mbetet gjithmonë një zgjedhje personale, por politikisht si e lexoni një ftesë të tillë nga PS?

Vetë zoti Meta është shprehur për këtë çështje dhe unë ndaj të njëjtin mendim që ai me detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë ka një përkushtim maksimal dhe detyrë tejet të rëndësishme për ta çuar më tutje arritjen e konsensusit të Reformës në Drejtësi, për të cilën ai ka dhënë kontributin themeltar, për të vazhduar t’i shërbejë parlamentarizmit shqiptar dhe të gjithë vendit me të njëjtën shembull profesionalizmi që ka treguar gjatë këtyre tre viteve dhe për t’u përqendruar në garën e LSI-së për kryetar të partisë si detyrim dhe respekt ndaj anëtarëve dhe mbështetësve tanë.

Meta ka dëshmuar që është një shtetar i vërtetë dhe lektor në politikën shqiptare. Në të gjitha detyrat që ka shërbyer ka arritur sukses dhe ka dëshmuar aftësi të jashtëzakonshme menaxhuese dhe drejtuese, ndaj si një politikan korrekt dhe besnik ndaj detyrës ai është angazhuar maksimalisht t’i përmbushë detyrat e tij funksionale si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetar i LSI-së.

tavo-meta

Zgjedhjet në Dibër, pavarësisht peshës lokale, u komentuan dhe si një test i një aleance PS-PDIU. Çfarë ishte për LSI-në fitorja e zgjedhjeve në Dibër?

Me sa duket tashmë është bërë traditë e përvitshme që gjatë sezonit të verës të bëhen analiza hipotetike mbi koalicione, spekulime aleancash, parashikime për të ardhmen etj. Jetojmë në një epokë në të cilën informacioni qarkullon shumë shpejt përmes mediave online, kësisoj një opinion apo spekulim i caktuar përhapet menjëherë dhe nis e kthehet në mister apo konspiracion. Politika, dhe sidomos zgjedhjet, është më e thjeshtë se sa kaq: përballen dy palë, njëra fiton e tjetra humb. Në Dibër fitoi kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, aleancë, e cila në vitin 2015 fitoi bindshëm në bashkitë e mbarë vendit. Unë jam partizan i real-politikës. Një parti politike ka peshën e saj në rrugëtimin politik apo impaktin qeverisës të vendit dhe LSI është një parti, e cila shërben si një kolonë mbështetëse kryesore për stabilitetin e vendit, për një qeverisje të mirë, si një shtysë në ide dhe energji për integrimin e vendit dhe mbi të gjitha një familje politike, e cila i shërben qytetarit dhe i jep shpresë rinisë.

Çështja e koalicionit të ardhshëm në zgjedhjet e vitit 2017, megjithë takimet e shpeshta Rama-Meta ka mbetur ende e paqartë. Do të jetë LSI në koalicion me PS?

Falë mbështetjes së qytetarëve të Qarkut të Gjirokastrës, të cilët, shfrytëzoj gjithmonë rastin t’i përshëndes dhe falënderoj me mirënjohje, unë kam pasur privilegjin të kem njëzetë vite si deputet i këtij qarku dhe jam angazhuar në dhjetëra fushata. Zgjedhjet janë një moment sublim reflektimi i qytetarëve ndaj politikës dhe do e pasqyrojnë këtë reflektim përmes votës. Ndaj diskutimet mbi koalicionet dhe strategjitë e zgjedhjeve të ardhshme nuk janë aspak të rëndësishme deri kur t’i afrohemi ditës që qytetarët do japin vendimin e tyre.

Qytetarët shqiptarë meritojnë një vend më të mirë, më të zhvilluar, më europian, ndaj gjatë këtyre muajve që kanë mbetur deri në zgjedhjet parlamentare politika duhet të pushojë së foluri, por të dëgjojë me vëmendje shqetësimet e qytetarëve dhe mediat me opinionistët të ndihmojnë që këto shqetësime të shkojnë më pranë veshit të politikës.

E gjithë politika duhet të impenjohet për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve dhe mbarë vendin, nëse ndodh kjo asnjë parti politike nuk do i druhet zgjedhjeve pasi do ketë mbështetjen e njerëzve të thjeshtë. Kjo është arsyeja që LSI-ja ecën e vendosur në rrugëtimin e saj politik, pasi jemi pranë qytetarëve shqiptarë dhe ecim me ta, jo mbi, përpara apo pas, por në krah të tyre.

Jemi drejt fundit të mandatit qeverisës. Mendoni se ky koalicion i realizoi prishtmëritë dhe çfarë mund të ndryshojë në qeverisje deri në qershorin e vitit 2017?

Maxhoranca qeverisëse ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme për vendin dhe është përballur me shumë sfida. Dy dekada tranzicioni i kanë lënë plagë të rënda mbarë vendit dhe shoqërisë. Vendi ynë ka bërë shumë hapa përpara drejt integrimit europian dhe politikat qeverisëse janë të orientuara në këtë drejtim. Duhet të punohet edhe më shumë në të gjithë sektorët në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtar i familjes europiane.

LSI ka qenë e angazhuar totalisht në qeverisjen e vendit dhe si në pushtetin qendror ashtu edhe atë vendor ka dhënë një impakt të jashtëzakonshëm në zhvillimin e vendit dhe sektorët më kyç të tij.

Politika në tërësi, qeveria, maxhoranca dhe opozita, i detyrohen shumë një kategorie të caktuar të shoqërisë: rinisë. I detyrohemi shumë rinisë sonë pasi ende është larg standardeve që kanë bashkëmoshatarët e tyre në vendet e tjera europiane.

Unë e them me bindje që nuk ka në Europë rini më europiane sesa rinia shqiptare. Ndaj ne i detyrohemi asaj kushte jetese më të mira, mundësi më të shumta punësimi, standarde më të larta edukimi, dhe mbi të gjitha shpresën që e nesërmja do e jetë më e mirë. Jo vetëm qeveria, por e gjithë politika, duhet të shkojë në zgjedhjet e 2017-ës me këtë reflektim, pasi nëse investojmë tek rinia, tashmë kemi ndërtuar të ardhmen.

Gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2015, LSI-ja rezultoi partia e parë në Qarkun e Gjirokastrës. Si e parashikoni rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme?

Në zgjedhjet vendore të vitit 2015, LSI doli forca e parë politike në Qarkun e Gjirokastrës. LSI pati një rritje të ndjeshme në vitin 2013, duke dhjetëfishuar numrin e votave dhe vetëm dy vite më vonë arriti të shtojë, edhe më shumë votat e saj duke arritur të dalë partia e parë në Qarkun e Gjirokastrës. Rritja e LSI-së vazhdoi edhe pas zgjedhjeve pasi dita- ditës, me qindra e qindra të rinj e të reja dhe qytetarë të thjeshtë i janë bashkuar familjes sonë politike.  Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, LSI jo vetëm që do vazhdojë të jetë forcë e parë në rang qarku, por do e dyfishojë rezultatin e saj dhe do përfaqësohet me më shumë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo bindje e thellë vjen nga mbështetja që qytetarët kanë për familjen tonë politike dhe besimi tek misioni ynë politik, platformat për zhvillim, dhe politikat tona sociale pranë dhe në ndihmë të të gjitha shtresave shoqërore. Ne besojmë tek qytetari dhe qytetari beson tek LSI-ja.

SHKARKO APP