“ Të Paekspozuarit”, Mziu-Gjici debate të ashpra për Kamzën, në fund shtrëngojnë duart

 

Gjendja e banorëve të Kamzës, një zonë jo larg kryeqytetit, por që mbart problematika të shumta është trajtuar në emisionin “Të paekspozuarit” të Ylli Rakipit.

Gara elektorale ka nisur për Kamzën, ashtu si edhe në zonat e tjera të vendit, ku kandidatët premtojnë shërbime dhe mirëqënie për banorët.

Në pjesën e parë të emisionit është transmetuar materiali filmik, “Rrugicat që kërkojnë perëndimin”, ku është pasqyruar jeta e banorëve të Kamzës dhe sesi është trajtuar kjo zonë në 25 vitet e fundit nga klasa politike.

Më pas në studio, përballë gazetarit Ylli Rakipi kanë qenë dy kandidatët  Xhelal Mziu, kryetari aktual i Bashkisë së Kamzës dhe kandidati i Partisë Demokratike dhe Safet Gjici, kandidat i Partisë Socialiste.

 Mziu: S’ kam frikë nga konsumimi, kur u bëra kryebashkiak Kamza s’kishte drita

Gazetari Rakipi ka pyetur kryetarin aktual, Mziu nëse ka frikë nga konsumimi pas  8 viteve që ka drejtuar këtë Bashki.

“Në vitin 2007 kur unë kam shkuar në atë Bashki nuk kishte energji, nuk kishte rrugë dhe në ato pak shkolla mësimi bëhej me turne. Sot infrastruktura në Kamëz është moderne. Sot në Kamëz ka shkolla që janë konkuruese, standarti i arsimit është sipas standardeve europiane. Votat që kam marrë në çdo garë elektorale janë rritur në numër dhe kjo tregon se nuk kam frikë nga konsumimi”, ka deklaruar Mziu.

Ai shtoi se në 8 vite qeverisje, Kamza ka pësuar ndryshime rrënjësore.

“Kamza ka qenë zonë bujqësore dhe tani po kthehet në zonë urbane. Ka pasur ndryshime të rëndësishme nga viti 2007 e deri më tani dhe kjo falë punës së Bashkisë, por Kamza ka nevojë për ndryshime të tjera. Financimet kryesore kanë qenë të Bashkisë së Kamzës, por është shfrytëzuar edhe partneriteti me qeverinë dhe donatorët”, ka deklaruar Mziu.

Gjici akuza Mziut: Për 8 vite bërë vilën tënde, qytetarët i le pa ujë

Ndërsa kandidati socialist, Gjici u shpreh se në Kamëz situata është alarmante dhe akuzoi Mziun për abuzime.

“Ky ka vilën moderne dhe ka ujë për veten e vet. Të shkosh në Kamëz pa vilë dhe të bëhesh me vilë dhe të marrësh ujë vetëm për vete, është e papranueshme. Në rreth 80% të territorit të Kamzës mungon uji i pijshëm, banorët furnizohen me bote dhe paguajnë faturat e ujit të pijshëm”, ka deklaruar Gjici.

Gjici: 8 vjet more votat me projektin e Ujësjellësit, qytetarët sot pa ujë

Një situatë e ndryshme është ilustruar nga kandidati socialist, Gjici.

“Mbi 70% e lagjeve nuk kanë ujë dhe familjet paguajnë fatura. Me këtë projekt që paraqiti Mziu ka marrë vota për 8 vjet me rradhë dhe nuk e bëri asnjëherë. Kudo që kam vajtur nuk ka rrjet ujësjellësi dhe kanalizimesh. Ne kemi programin tonë për qytetarët që parashikon edhe zgjidhjen e çështjes së ujit. Bovilla ka ujë pa fund, por nga keqmenaxhimi i Bashkisë së Kamzës nuk ka ujë. Projekti që paraqiti Mziu nuk është i Bashkisë, por i qeverisë. Qeveria shqiptare do partnerë që të realizojë projektet dhe jo abuzues”, u shpreh Gjici.

Mziu: Përmirësuam infrastrukturën; Gjici: Lagjet e majta i le pa rrugë

I pyetur nga moderatori Rakipi, kryetari aktual Mziu vlerësoi si punën më të mirë të bërë në 8 vite që drejton Bashkinë krijimin e infrastrukturës rrugore.

“Kam punuar për krijimin e infrastrukturës rrugore, ndërtimin e shkollave. Në Kamëz ka institucione që kanë munguar më përpara, si Pallati i Kulturës”, ka deklaruar Mziu.

“Gënjen për rrugët e shumta që gjoja ka ndërtuar. Edhe ato pak rrugë që ka ndërtuar, i ka bërë pa standarde, duke ngrënë trotuaret.  Ky edhe rrugët i ka ndarë me ngjyra, duke diskriminuar qytetarët. Për lagjet e majta, nuk ka ndërtuar rrugë. Ftoj qytetarët të votojnë drejtimin e duhur”, u shpreh Gjici, duke shtuar se edhe emrat që iu janë vënë rrugëve janë të çuditshme.

Sipas kandidatit socialist, problematikë e madhe në Kamëz janë edhe kanalizimet.

Abuzimet me fondet, Mziu dhe Gjici akuza njëri-tjetrit

Moderatori Rakipi ka pyetur kryetarin aktual Maziu për akuzat për abuzimet me fondet.

“Akuzohem për fondet e një rruge, për të cilën nuk ka lidhje Bashkia. Akuzat janë krijuar nga Gjici. Qytetarët ta bëjnë vetë llogarinë. Kompanitë e Gjicit kanë vjedhur 2.2 milionë euro”, ka thënë Mziu.

Kjo shërbeu që debati mes kandidatëve të ashpërsohej, duke akuzuar njëri-tjetrin për abuzime.

‘Unë nuk kam vendim gjykate për abuzime. Vendim gjykate ka për Mziun. Unë nuk kam pasur kompani kur u bëra Prefekt”, u shpreh Gjici.

Takimi me Ramën, Mziu: Kryeministri gënjen; Gjici: Po flet si kryetar i SHQUP

Moderatori Rakipi ka pyetur Mziun për deklaratën e Ramës që i ka kërkuar takim dhe nuk ka pranuar ta takojë në zyrë pasi e shohin përfaqësuesit e PD.

“Rama është gënjeshtar. Ka gënjyer ashtu siç gënjeu më 23 qershor për krijimin e 300 mijë vendeve të reja pune, apo për rritjen e pagave dhe pensioneve “, u shpreh Mziu.

“Nuk do t’i përgjigjet pyetjes Mziu. Kryeministri do partner të bëjë investime. Mziu po flet si kryetar i SHQUP-it dhe jo si kryetar i Bashkisë së Kamzës”, u shpreh Gjici.

PSE-të e Gjicit për Mziun, premton 100 mln euro investime për Kamzën

Kandidati sopcialist ka akuzuar Mziun për abuzime me fondet.

‘Ka marrë fonde plot Bashkia e Kamzës. Pse nuk ka pastruar kanalet, pse nuk ka shtruar rrjetin e kanalizimeve, pse e mban të bllokuar për aktivitetet e PD-së Pallatin e Kulturës, pse e ke mbyllur derën për banorët që janë të majtë, pse ju ke hequr ndihmën ekonomike atyre që janë invalidë. Ky është mashtrues elektoral dhe në çdo kohë. Unë premtoj që 100 millionë euro do të shkojnë në Kamëz nga partneriteti me qeverinë”, deklaroi Gjici.

Mziu: Trefishuam numrin e bizneseve. Gjici premton ulje taksash për Kamzën

Kryetari aktual i Bashkisë së Kamzës deklaroi se ka ulur taksat dhe kjo ka shtuar numrin e bizneseve.

‘Më 2007 në Kamëz kishte vetëm 500 biznese, tani kanë arritur në 1500 biznese. Kemi rritur numrin e të punëusarve për shkak të politikës fiskale që kemi zbatuar”, deklaroi Mziu.

Kjo deklaratë është kundërshtuar nga kandidati socialist Gjici.

‘Mziu i ka rritur taksat me 33%. Ky ka terrorizuar bizneset në Kamëz. Ne do t’i përgjysmojmë taksat në Kamëz”, ka deklaruar Gjici.

Kandidati socialist shtoi se “do të bëjmë një masterplan studimi për Kamzën dhe Pakuqanin, si dhe do ta anulojmë planin urbanistik të Mziut”.

Debati për ndihmën ekonomike

Kandidatët kanë akuzuar njëri-tjetrin edhe për skemën e ndihmës ekonomike.

“6 mijë persona janë hequr në mënyrë të padrejtë nga skema e ndihmës ekonomike. Ne do t’i fusim në skemë këta njerëz dhe të tjerë që kanë rënë në varfëri për shkak të politikave të kësaj qeverie. Në mandatin e ri do të trajtohen me ndihmë ekonomike jo vetëm 7 mijë familje, por edhe të tjera që kanë nevojë”, ka deklaruar Mziu.

“T’i u ke dhënë ndihmë ekonomike atyre që janë në Amerikë. Mziu ka falsifikuar dokumentacionin, duke hequr nga skema invalidë vetëm që janë të majtë. Ndihmë ekonomike iu ka dhënë vetëm miqve të vet. Ne do t’i trajtojmë me ndihmë ekonomike të gjithë ata që realisht kanë nevojë”, ka deklaruar Gjici.

Kandidati i PD-së, Xhelal Mziu ka renditur prioritetet në rast se do të fitojë një tjetër mandat në krye të Bashkisë së Kamzës.

“Sfida ime në 4 vitet e ardhshme është nxitja e punësimit, nëpërmjet ardhjes së kompanive të huaja, nxitja e biznesit, urbanizimi nëpërmjet investimeve në rrugë, ujësjellësa e kanalizime, gjelbërimi i qytetit”, ka deklaruar Mziu.

Ndërsa kandidati socialist,Safet Gjici ka renditur prioritetet e tij.

“Gjëja e parë që do të zgjidh është çështja e ujit të pijshëm, infrastruktura”, deklaroi Gjici.

SHKARKO APP