Tension te godina e News24 – Gazetarët: Ushtria po merr kompjuterët dhe sendet tona

Tension dhe pasiguri është krijuar mbrëmjen e sotme te godina ku deri të shtunën televizioni News24 ka ushtruar aktivitetin. Gazetarë të kësaj mediaje raportojnë se aktualisht po qëndrojnë në hyrje të oborrit të objektit, ku është parë prania e automjeteve të Ushtrisë dhe Policisë.

Gazetari Osman Stafa ngriti dyshime se forcat ushtarake po ngarkojnë në automjete kompjuterë dhe sende personale të gazetarëve. Ai deklaroi se nuk ka informacion të saktë për atë që po transportohet, por paralajmëroi se një veprim i tillë “rrezikon burimet e informacionit dhe jetët e familjarëve të tyre”.

“Po vihen në rrezik burimet tona dhe jetët e familjarëve të tyre”, tha Stafa, duke bërë thirrje për reagim të menjëhershëm dhe solidaritet nga ambasadat dhe organizatat ndërkombëtare të medias.

Swiss Digital Desktop Reklama

Objekti është rrethuar nga forcat e Policisë, të cilat kërkojnë hapjen e rrugës për automjetet e Ushtrisë që po presin të largohen nga godina. Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar mbi arsyet dhe natyrën e këtij veprimi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Drejtoresha e Përgjitshme e News24, Anila Jole, ka mbetur e habitur kur ka parë policë e ushtarakë që me kamionë kanë ngarkuar sende personale dhe të redaksisë dhe janë larguar.

Jole thotë se kanë në dije Ambasadën Amerikane në Tiranë për gjithë këtë plaçkitje, pasi janë prekur sendet personale të gazetarëve, janë vitet e punës në zyrat juridike dhe në zyrat e financës, janë dosje të tëra.

Anila Jole: “Nuk e kuptoj se çfarë po ndodh, tani fola me zyrën e shtypit të Ambasadës Amerikane, i vura në dijeni, sepse më kërkuan se çfarë po ndodh. Asnjë nuk e di se cfarë kanë futur në ato kamionë. Di që janë futur në godinën e vjetër, sot pyeta efektivët që gazetarët kanë sendet e tyre personale. Më garantoi se askush nuk do t’i prekë ato. Por unë nuk arrij të kuptoj pse nuk u lejuan gazetarët të marrin gjërat e tyre.

Secili ka kompjuterin e tij, kur përveç gjërave të punës, ka edhe gjërat personale e private. Askush nuk ka të drejtë të hyjë në kompjuterin e një gazetari. Këtu ka zyra finance, zyra ligjore, janë emisione investigative, aty ka dosje që do transmetoheshin në shtator që edhe unë si drejtoreshë nuk e di. Kështu, gazetarët janë të ekspozuar nga ky aksion, duke vënë në rrezik edhe familjet e tyre.

Në këtë godinë janë zyrat juridike, janë dosjet tona të punës, librezat, të gjitha vitet e punës janë aty. Nuk e di si mund të trajtohet në këtë mënyrë një media. Tani nuk mund të besoj se nuk preket asgjë me këtë që po shoh.”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?