Tërmeti dhe paketa ”Antishpifje”/Rama e nis fjalën në Kuvend me një ndjesë (VIDEO)
Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën në seancën plenare, duke folur për pasojat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit dhe kërkoi ndjesë. ”Kërkoj ndjesë për bashkimin e dy temave në një fjalë se s’mund të shmang prioritetin e prioriteve, adresimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit dhe i nevojës për rindërtimin, ndërkohë që patjetër më duhet të them dhe unë dy fjalë lidhur me ligjin kundër shpifjes”.
Nga ana tjetër, Rama tha se: ”Ka nisur puna për planet e reja të zhvilimit. Falë solidaritetit të madh shqiptar janë grumbulluar fonde të konsiderueshme. Shumë shpejt do shihet transformimi tërësor urban dhe social që nga plaga e madhe e krijuar në Thumanë deri tek shtëpia më e largët e familjes që është në rrezen e përcaktuar nga kufijtë e gjendjes së jashtëzakonshme. Me një grup arkitektësh të huaj dhe me shumë ekspertë shqiptarë do vijojë puna për te ndërtuar. Thumana e nesërme nuk do të ngjajë në asgjë me Thumanën para 26 nëntorit. Banorët do të jetojnë në një zonë që nga pikëpamja urbane do të jetë një shembull që do të rrezatojë fuqinë e vizionit dhe vullnetit tonë përtej Shqipërisë. Do të jemi këtu në vitin 2020 ku do t’i shihni të verifikuara”.
Sa i përket akomodimit të persona të prekur nga tërmeti, Rama u shpreh se në më pak se 10 ditë, mbi 13 mijë persona janë akomoduar në kushte që kurrë më parë nuk i ka pasur një banor i Shqipërisë pas fatkeqësish natyrore. ”Janë shembur 56 objekte, prej të cilave 49 në Durrës, 4 në Tiranë dhe 3 në Lezhë. Ish-kompleksi i konvikteve të Bujqësorit është në proces shembjeje. Është bërë një kapërcim epokal të adresimit nga ana e shtetit të nevojave për njerëzit e goditur nga fatkeqësia natyrore. Janë angazhuar 257 punonjës socialë dhe psikologë”.