Tërmeti, Gjosha: Tragjedia mund të ishte shmangur. Situata është kaotike dhe jashtë kontrollit
3 javë më parë Shqipëria u godit nga një tërmet i cili u kthye në një tragjedi. Nga kjo katastrofë natyrorë humbën jetën 51 persona, qindra të tjerë mbetën të plagosur e po kështu dhjetra banesa u shkrumbuan plotësisht. Ky tërmet u paralajmërua nga sizmologu grek, ku pasi tij presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i kërkoi qeverisë të merrte masa paraprake por asgjë nuk u paralandalua, përkundrazi ai u vendos në lojë nga qeveria. Në një intervistë për gazetën “STANDARD” ish-deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha, thotë se ”është e pafalshme ka të bëjë me krimin njerëzor, korrupsionin me lejet e ndërtimit, ndërtimin jashtë parametrave dhe standarteve dhe mbi të gjitha me papërgjegjshmërinë e institucioneve pas tërmetit të Shtatorit. Shumë godina do duhej të ishin të pabanueshme që në inspektimin e parë për të mos rrezikuar jetët e banorëve”.
Tërmeti i 26 nëntorit u shndërrua në një tragjedi për Shqipërinë, ku humbën jetën 51 persona, qindra të tjerë mbetën të plagosur e po kështu dhjetra banesa u shkatërruan plotësisht. Sipas mendimit tuaj kjo fatkeqësi erdhi vetëm si një fenomen natyror apo edhe si pasojë e gabimeve shtetërore?
Tërmeti në vetvete është një fenomen natyror dhe fatkeqësisht Shqipëria është një zonë sizmike dhe me rrezik të lartë. Ajo çka është e pafalshme ka të bëjë me krimin njerëzor, korrupsionin me lejet e ndërtimit, ndërtimin jashtë parametrave dhe standarteve dhe mbi të gjitha me papërgjegjshmërinë e institucioneve pas tërmetit të Shtatorit. Shumë godina do duhej të ishin të pabanueshme që në inspektimin e parë për të mos rrezikuar jetët e banorëve. Kjo tragjedi mund të ishte shmangur!
Në këtë kontekst cili është komenti juaj mbi neglizhencën deri në tallje nga ana e mazhorancës në pushtet dhe funksionarëve të autoritetve përkatëse ndaj letrës së dërguar që në fund të korrikut nga Presidenti për marrjen e masave ndaj një tërmeti të mundshëm referuar qëndrimeve të sizmiologut të njohur grek . Duke mbetur këtu, si do t’i cilësonit veprimet e autoriteteve pas 21 shtatorit, kur ra edhe tërmeti i parë i fortë, i cili u pasua më pas me goditjen fatale të 26 nëntorit?
Nëse mazhoranca nuk do të kishte vazhduar me showë-n e rradhës për t’iu kundërvënë Presidentit, por të kishte marrë masat për rastet e emergjencave, situata do të ishte krejt ndryshe. Por e vërteta e këtij vendi është e dhimbshme sepse qeveriset nga njerëz të papërgjegjshëm dhe që udhëhiqen nga propaganda! Mendoj që ka shumë përfaqësues institucionesh që duhet të dalin para drejtësisë. Drejtësia e re nuk duhet të vonoj më asnjë sekondë!
Qeveria ka deklaruar se banorëve të prekur nga termeti do t’u jepet bonus qeraje deri në maj të vitit 2021, ndërkohë nga ana tjetër vërejmë në media se qytetarët ankohen për mos inspektim të duhur të banesave ku shpesh here ka pasur përplasje mes përfaqësuesve të qeverisë dhe banorëve. Si e shihni këtë situate?
Situata është totalisht kaotike dhe jashtë kontrollit. Nuk ka asnjë organizim serioz përvec qokave live që kryen Kryeministri dhe gjithë ata që e shoqërojnë. Tragjedia e 26 Nëntorit tregoi qartë se institucionet tona janë jashtë funksionit dhe se qeveria ka shkatërruar ndër vite struktura thelbësore që janë të specializuara për situata të tilla si profesionalisht ashtu edhe në i frastrukturë!
Pak ditë më parë është publikuar një dokument ku behej e ditur se 9 vende anëtare të BE përveç Francës dëshironin një përshpejtim të procesit të integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Si vlerësoni këtë nismë të ndërmarrë ?
Është për t’u vlerësuar shumë fakti që BE mbetet e angazhuar në perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, edhe për dashamirësinë e lehtësimit të procedurave. Megjithatë unë do doja t’i kërkoja vendeve anëtare të jenë më konkrete në propozimet e tyre. E para, është e rëndësishme që procesi të bëhet i prekshëm për qytetarët dhe me mbështetje më të madhe financiare për finalizimin e reformave. E dyta, procesi ka nevojë për afate kohore deri në anëtarësim. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për këto afate për të mbajtur shpresën gjallë, por edhe për të detyruar qeveritë dhe institucionet të vendosen para presionit kohë për të përmbushur kushtet. E treta, BE duhet të vendosë nëse do të ketë anëtarësim në bllok të vendeve aspirante apo individualisht në bazë të meritës. Nuk dihet nëse do të vazhdohet me projektin “Europa e shumë shpejtësive” apo do të vazhdohet thjesht me unionin e përbashkët sic është në këto momente. Kjo do të ndante më pas edhe mekanizmin e funksionimit të procesit të zgjerimit. Unë kam bindjen se në vendet si Shqipëria, ku mungon kultura demokratike e qeverisjes, nevoja për të qënë të atashuar në BE dhe me një kontroll më të rreptë është jetike!
Ndërkohë po pak ditë më parë, kryeministri i Holandës duket se vërtetoi 100 përqind deklaratat e Presidentit franez Macron kur na tha “jo” për negociatat. Rutte tha se Holanda nuk ishte kundër zgjerimit, por se ishte kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë e ndërsa me Maqedoninë e Veriut, do të ishin të gatshëm të hapnin dritën jeshile. Si e shihni këtë qëndrim dhe sa janë sipas jush shanset që të ndahen ne proces Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria?
Mendoj që Franca ka bërë një shërbim të mirë duke mos e ndarë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut por ky vendim nuk mund të zgjasë pafundësisht, ndaj Shqipëria do duhet të përmbushë kushtet e Bundestagut në mënyrë të menjëhershme. Ndarja e dy vendeve rrezikohet shumë Majin e ardhshëm!
Gjatë kësaj jave në prokurori ishte presidenti Meta për të dhënë dëshminë e tij të zgjeruar për kallëzimin penal të që ka bërë një muaj më parë kundrejt kreut të KED-së. Ndërkohë një ditë më vonë në prokurori u paraqit dhe kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për të dëshmuar. Cili është gjykimi juaj mbi këtë çështje znj. Gjosha?
Ka shumë hije dyshimi mbi veprimtarinë e Z. Dvorani dhe në të gjitha veprimet e tij, ndaj drejtësia është ajo që duhet patjetër të thotë fjalën e saj.
Ndërkohë që SPAK po shkon drejt finalizimit dhe më parë u votua Kryeprokurori i Përgjithshëm , cili është qëndrimi juaj mbi ecurinë e reformës në drejtësi?
Reforma në Drejtësi do duhet të vazhdoj me ritme të shpejta por standarti i drejtësisë dhe shteti i së drejtës nuk tregohen vetëm me ngritje institucionesh por me gjykimin e cështjeve konkrete. Ndaj është thelbësore që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale dhe të thotë fjalën e saj për një sërë cështjes duke filluar nga zgjedhjet e 30 Qershorit dhe shume ligje që janë miratuar në kundërshtim të plotë me kushtetutën. Prokuroria do duhet gjithashtu të reagoj për krimet elektorale, krimin e organizuar, korrupsionin në nivele të larta dhe mbi të gjitha për përgjegjësit e tragjedisë së tërmetit!
Po lidhur me reformën zgjedhore, a besoni se opozita dhe mazhoranca do të shkojnë drejt një drafti të përbashkët final? Dhe ndërkohë a beson LSI se mund të ndryshohet edhe sistemit elektoral?
Opozita e ka dhënë alternativën e saj për reformën elektorale dhe besoj se kemi treguar gjithmonë se kemi qënë tejet konstruktiv. Sa për sistemin elektoral, LSI e ka tregur qëndrimin e saj që në 2008 kur ishte kundër këtij sistemi që solli edhe situatën në të cilën ndodhet vendi sot!