The Economist: Rreziku në rritje i konservatorizmit

The Economist

Në vitet 1980, Ronald Reagan dhe Margaret Thatcher ndërtuan një konservatorizëm të ri rreth tregjeve dhe lirisë. Sot, Donald Trump, Viktor Orban dhe një grup i larmishëm politikanësh perëndimorë e kanë shkatërruar atë ortodoksi, duke ndërtuar një konservatorizëm statist, që vendos sovranitetin kombëtar përpara individit. Këta konservatorë kombëtarë janë gjithnjë e më shumë pjesë e një lëvizjeje globale, me rrjetet e tyre të mendimtarëve dhe liderëve të lidhur nga një ideologji e përbashkët. Ata po e ndiejnë se zotërojnë konservatorizmin tani – dhe mund të kenë të drejtë.

Pavarësisht nga emri, konservatorizmi kombëtar nuk mund të ishte shumë i ndryshëm nga idetë e Reagan dhe Thatcher. Në vend që të jenë skeptikë ndaj qeverisë së madhe, konservatorët kombëtarë mendojnë se njerëzit e zakonshëm janë të rrethuar nga forca të papërcaktuara globale dhe se shteti është shpëtimtari i tyre. Ndryshe nga Reagan dhe Thatcher, ata e urrejnë bashkimin e sovranitetit në organizatat shumëpalëshe, dyshojnë se tregjet e lira janë të manipuluara nga elitat dhe janë armiqësorë ndaj emigrimit. Ata e përbuzin pluralizmin, veçanërisht llojin multikulturor.

Në vend të një besimi progresist, konservatorët kombëtarë janë kapur nga deklinizmi, ose besimi se një shoqëri apo institucion shkon drejt rënies. William Buckley, një mendimtar i shkollës së vjetër, dikur tha se “një konservator është dikush që i qëndron përpara historisë, duke bërtitur stop”. Për krahasim, konservatorët kombëtarë janë revolucionarë. Ata nuk e shohin Perëndimin si një qytet që shkëlqen në majë të kodrës, por si Romën përpara rënies – dekadente, e çoroditur dhe gati të shembet mes një pushtimi barbar. Të pakënaqur me rezistencën ndaj progresit, ata gjithashtu duan të shkatërrojnë liberalizmin klasik.

Disa njerëz presin që e gjithë kjo të shpërthejë një ditë. Konservatorët kombëtarë janë shumë jo koherentë për të paraqitur një kërcënim, thonë ata. Giorgia Meloni, kryeministre e Italisë, mbështet Ukrainën; Viktor Orban, kryeministër  i Hungarisë, ka mbajtur një qëndrim të butë ndaj Rusisë. Partia polake Ligj dhe Drejtësi (PiS) është kundër homoseksualëve; në Francë Marine Le Pen është pro tyre. Veç kësaj, fiksimi me sovranitetin kombëtar do ta bënte situatën e njerëzve më të keqe, pasi tregtia do të bjerë, rritja ekonomike do të ngadalësohet dhe të drejtat civile do të kufizohen. Votuesit me siguri do të zgjidhnin të rivendosnin liberalizmin botëror të krijuar tashmë.

Kjo pikëpamje është vetëkënaqësi e pafalshme. Konservatorizmi kombëtar është politika e ankesave: nëse politikat çojnë në rezultate të këqija, liderët do ta transferojnë fajin mbi globalistët dhe emigrantët dhe do të thonë se kjo dëshmon se sa shumë e padrejtë është bota. Me gjithë kontradiktat e tyre, konservatorët kombëtarë kanë qenë në gjendje të bashkohen rreth armiqësisë së tyre, përballë armiqve të përbashkët, duke përfshirë emigrantët, globalistët dhe të gjithë përkrahësit e tyre të supozuar. Nëntë muaj para zgjedhjeve në Amerikë, zoti Trump tashmë po sulmon NATO-n.

Konservatorët kombëtarë gjithashtu meritojnë të merren seriozisht për shkak të perspektivës së tyre elektorale. Trump është duke udhëhequr sondazhet në Amerikë. E djathta ekstreme pritet të dalë mirë në zgjedhjet parlamentare evropiane në qershor. Në Gjermani, në dhjetor, Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë arriti një rekord prej 23%. Duke parashikuar një humbje në zgjedhje për Rishi Sunak në Britaninë e Madhe, konservatorët pro Brexit dhe anti-emigracion po komplotojnë për të marrë në dorë partinë. Në vitin 2027, zonja Le Pen mund të bëhet presidente e Francës.

Dhe konservatorët nacionalistë kanë rëndësi sepse kur arrijnë të fitojnë postin, gjithçka ndryshon. Duke vendosur për të kapur institucionet shtetërore, duke përfshirë gjykatat, universitetet dhe shtypin e pavarur, ata çimentojnë kontrollin e tyre në pushtet. Kjo është ajo që partia Fidesz e Orban ka bërë në Hungari. Në Amerikë, Trump ka qenë i qartë për planet e tij autokratike. Njerëzit që punojnë për të kanë hartuar dokumente politikash që parashtrojnë një program për të kapur burokracinë federale. Pasi institucionet të jenë dobësuar, mund të jetë e vështirë për t’i rikthyer ato. Në Poloni, partia Ligj dhe Drejtësi (PiS) kishte të njëjtën axhendë, përpara se të rrëzohej në zgjedhjet e vitit të kaluar. Koalicioni i qendrës së djathtë që e mundi atë, tani po lufton për të vendosur kontrollin.

Atëherë, si duhet të sillen konservatorët e stilit të vjetër dhe liberalët klasikë me konservatorizmin kombëtar? Një përgjigje është të merren seriozisht ankesat legjitime të njerëzve. Qytetarët e shumë vendeve perëndimore e shohin emigracionin ilegal si një burim çrregullimi social dhe shpenzim të parave publike. Njerëzit shqetësohen se fëmijët e tyre do të rriten më të varfër se ata. Janë të shqetësuar për humbjen e vendeve të punës për shkak të teknologjisë së re. Besojnë se institucione të tilla si universitetet dhe shtypi janë kapur nga elitat armiqësore, joliberale, me prirje të majtë. Ata i shohin globalistët që kanë lulëzuar në dekadat e fundit si anëtarë të një kaste egoiste dhe arrogante që u pëlqen të besojnë se u ngjitën në krye me meritokraci, por, në realitet, suksesi i tyre u trashëgua.

Këto ankesa janë të drejta, por mos marrja e tyre seriozisht konfirmon se sa larg realitetit janë bërë elitat. Në vend të kësaj, liberalët dhe konservatorët e stilit të vjetër kanë nevojë për politika për të adresuar këto probleme. Emigracioni i ligjshëm është më i lehtë nëse frenohet ai i paligjshmi. Rregullat kufizuese të planifikimit i nxjerrin të rinjtë jashtë tregut të banesave. Për të pasur një shoqërinë vërtet të hapur që ata pretendojnë se duan, liberalët duhet të bëjnë presion që institucionet elitare intelektuale – që janë bizneset kryesore, mediat dhe universitetet – të mishërojnë parimet e liberalizmit në vend që t’i nënshtrohen censurës dhe mendimit në grup.

Lidion Kulla / SCAN

SHKARKO APP