Topalli: Askush nuk ka fyer më shumë katolikët se Rama
Ish-Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli duket se po përpiqet që ta kthejë në një konflikt fetar çështjen “Doshi” përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, Topalli shkruan se Edi Rama dhe Ilir Meta kanë fyer katolikët duke përfshirë sipas saj në listat për deputetë individë me të shkuar kriminale.
“Askush nuk ka fyer më shumë katolikët, se Edi Rama. Një gjë është e padiskutueshme, poshtërimin që ju ka bërë Edwin Rama katolikëve shqiptarë me përfaqësimin, nuk ua ka bërë kush në 1000 vite. E kujt? Një komuniteti që ka patur në traditë një elitë, një komuniteti që ka sakrifikuar për kombin ..Dhe është absolutisht e qëllimshme.
Asnjëherë nuk ka patur një Parlament me deputetë me rekorde kriminale si sot! Dhe ky degradim i Parlamentit ka vetëm një arsye dhe dy emra. Emrat janë: Edwin Rama dhe Ilir Meta. Arsyeja ishte marrja e pushtetit me çdo mënyrë që Edwini të bëhej Kryeministër e kështu edhe” të shpëtonte nga ankthi i vdekjes” siç rrëfente vetë zotëria në një intervistë të tij”, shkruan Topalli duke shtuar se “qeveria e 1 milionë shuplakave është e delegjitimuar dhe se tani,protektorati i krimit duhet rrëzuar”.