Topalli: LSI po blen votat, Meta: Shkodra nuk blihet as me oriz, as me misër apo fustane
Kuvendi është përfshirë në debate të ashpra mes ish-kryetares së Kuvendit Jozefina Topallit dhe kryetarit të Kuvendit Ilir Meta për blerjen e votave në Shkodër. Deputetja demokrate e Shkodrës Topalli ka akuzuar LSI-në se po blen votat në qarkun e Shkodrës, por ka reaguar Ilir Meta duke i kërkuar Topallit se nëse ka një provë ta çojë në prokurori.
“Do ta harrojnë ndërkombëtarët çfarë është Maqedonia me atë që do mund të ndodhë në Shqipëri,” –theksoi Topalli. “Mos bëni presion mbi votuesit, mos provoni përsëri që të blini, apo përmes kërcënimit të vendit të punës, që ju keni punësuar në qytete të ndryshme, konkretisht e kam për Shkodrën, të blini shpirtin dhe ndërgjegjen e tyre. E keni bërë njëherë, kësaj radhe nuk ju ec, aq më tepër që ata që i keni të punësuar në administratë ju keni neveri. Unë jam e sigurt që në momentin që nëse vota do jetë e fshehtë ata do t’jua kthejnë riskun.”
Kryeparlamentari Ilir Meta reagoi në këtë mënyrë, “Ke folur disa herë në parlament për këtë çështje sepse ke hallin e zgjedhjeve më 21 qershor, dhe është e drejta jote. Është edhe e drejta jote të jesh e pacipë. Por mos harro që na dëgjon Shkodra, dhe Shkodra na njeh shumë mirë, edhe ty edhe mua edhe ata që janë aty. Në rast se ke fakte të tilla, ti dhe partia jote, dhe çdo qytetar ti denoncojë në Prokurori. Por ti ke hall tjetër, se do të justifikohesh më 21 qershor për rezultatin e partisë tende dhe t’ja vesh fajin te tjerëve.”
Më tej ai shtoi “Ti je aq e pacipë sa të njeh Shkodra shumë mirë dhe përgjigjen do të ta japë më 21 qershor. Atë që ti quaje mafie sot, e ke aleatin më të ngushtë dhe do të ta japi Shkodra përgjigjen me 21 qershor. Atë që ti quaje mafia dhe ai që të quante ty moldave, po i ke harruar ti këto…po nuk i kanë harruar njerëzit, sot jeni aleatë përgjigjen do ta marrësh më 21 qershor. Por nuk shiten shkodranët. Unë nuk flas asnjëherë, por meqe zonja më përmendi drejtpërdrejt dhe ka disa seanca që shpif këtu unë do t’ja jepja këtë përgjigje këtu, do t’ja japë edhe Shkodra. Me qetësi dhe dashur e ke më 21 qershor.
Mos shpif dhe mos merr nëpër këmbë se shkodranët nuk shiten, as me oriz, as me misër, as me xhinse dhe as me fustan, çfarë faktesh ke çoi në polici. Mos ki merak se nuk tradhtohem unë nga provokimet e tua. Unë për zhelesh nuk të kap, kam respekt edhe për ty edhe për doktorin, i cili të shkojë në gjykatë të sqarojë shpifjet që ka bërë për LSI e Shkodrës.”