Tritan Shehu: PD në zgjedhje? Me aleatët e saj natyral

Flet për “Koha Jonë”, ish-Kreu i PD-së, Tritan Shehu: Drejtësia e re hetim ndaj qeverive

Intervistoi: Redjon Shtylla

Në një intervistë për “Koha Jonë”, Tritan Shehu, kreu aktual i departamentit të Shëndetësisë në PD, komenton qëndrimet e krerëve të partive pas miratimit me konsensus të reformës në drejtësi. Sipas tij, “kryeministri Rama kishte tentativë që me këtë reformë të merrte “lavdinë” dhe të merrte disa numra nga pjesë të PD-së apo aleatët e saj, duke dëmtuar  kohezionin tonë të brendshëm”.

Klasa politike në pothuajse 2 vite, debatoi deri në pikën e fundit me vështirësi për të miratuar Reformën, që u cilësua si fitore historike dhe nisje e një epoke të re të gjyqësorit. Cili ishte fituesi dhe humbësi politik i kësaj beteje?

Pa dyshim miratimi i ndryshimeve kushtetues për bazat e Reformës në Drejtësi ishte një ngjarje pozitive edhe në drejtimin e duhur për vendin. Ai dokument mbas ndryshimeve që ju bënë me insistim të PD-së e Z. Basha, mori një formë më realiste, më të dobishme duke ju larguar disa problemeve serioze që kishte në modelin e parë. Ju pyesni kush ishte fituesi. Pa dyshim ishte vendi në tërësi e sektori i drejtësisë, që kështu do të thellohet në rrugën e ndryshimeve pozitive, për t’u përshtatur më shumë standardeve të përparuara Europiane. Mos harrojmë se ky sistem ka pasur një rrugë të vështirë zhvillimi pozitive në këto 25-së vite demokraci dhe kjo kryesisht për faktin se ne nuk trashëguam asgjë të tillë nga regjimi komunist. Përkundrazi trashëguam një anti-drejtësi. Dhe të perfeksionosh atë sistem është shumë e vështirë, veçanërisht kur mungonte krejtësisht tradita. Megjithatë ne nuk duhet t’i shohim gjërat bardhë e zi. Edhe drejtësia jonë pavarësisht pikave të dobëta të saj, ka arritur shume suksese. Ne kemi gjykatës, prokurorë, institucione të tilla me profesionalizëm e vlera, ashtu siç ka dhe shumë probleme. Kemi një legjislacion të mirë në tërësi. Rëndësi ka që ndryshimet e fundit tashmë të shtyjnë në drejtim të përmirësimeve e dominimit më tej të pozitives.

A e deshtë realisht PD-ja miratimin e këtyre ndryshimeve?

Pa asnjë dyshim PD ishte më e interesuara. Të mos harrojmë se çdo gjë filloi me ligjin e dekriminalizimit. Por nga ana tjetër ishte e interesuar për një dokument sa më në përputhje me interesat e vendit, frymës europiane dhe pavarësinë e sistemit. Kjo nuk ishte e lehtë të arrihej, kërkoi argumente, qëndrese, vizion, gjë që PD-ja dhe z.Basha i treguan qartësisht. Çështja ishte ndryshe me z. Rama. Ai në fakt synonte në disa objektiva të tjerë: Të kishte një ligj që t’i lejonte kontrollin mbi disa pjesë të rëndësishme të sektorit. Ta miratonte këtë ai vetë e aleatët, me rreth 94 vota duke lënë jashtë në tërësi PD-në, për të marrë “lavdinë” dhe për ta goditur atë politikisht në opinion, edhe përballë ndërkombëtarëve. Të merrte për këtë, disa numra nga pjesë të PD-së apo aleatët e saj, duke dëmtuar  kohezionin tonë të brendshëm. Këto ishin qëllimet politike të z.Rama, të cilat dështuan plotësisht për shkak të pozicionimeve shumë të drejta, që PD-ja e kreu Basha mbajtën. Për këtë unë duhet të theksoj se një qëndrim racional, të qartë e të rëndësishëm mbajti dhe LSI e z.Meta, duke kontribuar kështu në arritjen e një konsensusi e përmirësimet e nevojshme ligjore.

Një nga kërkesat që mbajti opozitën larg konsensusit për reformën ishte involvimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit?.

Jo nuk është kështu. PD-ja kërkoi, argumentoi me të drejtë për arritjen e disa raporteve të drejta të bashkëveprimit të strukturave ndërkombëtare me ato të vendin në përputhje me principet europiane e detyrimet kushtetuese. Dhe unë gjykoj se materiali përfundimtar i reflektoi këto parime. Kjo u pranua nga të gjithë edhe nga ndërkombëtarët. Dhe ky ishte një tjetër sukses i PD.

Nga ana tjetër deputetë demokratë dolën kundër qëndrimeve zyrtare, si z.Selami por dhe znj.Bregu deklaruan vota pro nëse partia nuk do të jepte vendimin. Çfarë tregon kjo?

Mendimet ndryshe e debatet e hapura tregojnë demokraci të brendshme në PD. Më tej unë nuk mund të paragjykoj kolegët e mi se si ata do të votonin po të mos ishte arritur mirëkuptimi i gjerë. Unë njoh deklaratën zyrtare të grupit parlamentar dhe z.Basha, që theksoi se grupi do të dilte me votë unike në mbështetje të pozicioneve politike të partisë. Kjo ka rëndësi. Fatmirësisht mirëkuptimi i gjerë me maxhorancën u arrit dhe dokumentet u votuan me të gjitha votat. Kështu kjo çështje mbyllet këtu dhe nuk ka pse të ketë më diskutime rreth saj.

Ndonëse 93% e Shqiptarëve kërkuan reformë ende në publik ka shumë paqartësi se çfarë do të ndryshojë?

Pa asnjë dyshim implemetimi i plotë dhe rezultati i pritshëm do kohë e shumë punë që të arrihet. Unë nuk besoj në “deus ex machina” dhe as në revolucionet. Dikush i quajti të tilla. Unë them që u nxitua. Ky është një proces i tërë i filluar që më 1992 me ndryshimet demokratike në Shqipëri. Tashti hymë në një fazë të re të tij, për ndryshime me cilësore se i tillë është dhe zhvillimi i vendit në tërësi dhe raportet tona me BE-në dhe SHBA-në, që tashme janë shumë më të ngushta. Jemi në rrugën e integrimit të mëtejshëm, jemi anëtarë të NATO-s. “Bota” për ne nuk filloi sot. Pra i tillë duhet parë dhe ky proces e rezultatet e tij, si një proces në vazhdim, ndryshe do gabonim rëndë e do pësonim zhgënjime nesër.

Gjithashtu jo vetëm trupa gjyqësore e korruptuar do të vihet përpara drejtësisë por sipas jush do të ketë fuqi kjo drejtësi e re që të hetojë zyrtarë aktualë apo dhe ish-ministra, ish-deputetë dhe ish zyrtarë gjatë qeverisjes së PD-së por dhe të majtë?

Kjo është e domosdoshme. Askush nuk mund të jetë jashtë rrethit të dënimit kur është fajtor. Mos harrojmë se korrupsioni është rreziku më i madh që i kanoset vendit tonë dhe ai ka përmasa te frikshme te ne. Lufta me atë duhet të jetë parësore më të djeshmin e të sotmin, jo vetëm për sistemin e drejtësisë kjo por për të gjithë shoqërinë. Ndryshe nuk kemi te ardhme pozitive. Këtu desha të theksoj se sot shoqëria jonë po kalon dhe një të keqe tjetër të madhe. Përveç korrupsionit, sot lidhjet e politikës, e institucioneve etj me krimin janë bërë tragjike. Po ju jap vetëm një shembull. Vendi është mbushur me kanabis, veprimtari kjo thellësisht kriminale. Pse nuk flet qeveria për këtë? Çfarë po bëjnë organe tona përgjegjëse?! Në rastin më të mirë shumë pak, për mos të folur për shumë më keq. Për një rrënjë canabis të pa shkatërruar paguhet 10-15 Euro. Unë i ftoj institucionet përgjegjëse, le të shkojmë së bashku e të inspektojmë zona të tëra të tilla. Janë gjithandej. Dua të pyes se a e dinë këto struktura që sot nuk mund të shkohet lirisht në shumë pjesë të vendit. Të dalin përpara njerëz të armatosur, që mbrojnë kanabisin, krimin, dhe askush nuk i godet këta. Kjo është e vërteta, që duhet përballuar nga të gjithë. Dhe kjo shkon shumë përtej kësaj reforme.

Raporti i PD-së me SHBA dhe BE, si e shihni të ardhmen e opozitës në tryezën e ndërkombëtarëve. Jo rrallë herë ambasadorët i kanë tërhequr veshin kreut Basha?

Diçka duhet të jetë krejt e qartë, PD-ja është forca më europianiste, pro amerikane e perëndimore në Shqipëri. Ky është thelbi i ynë. Pa këtë në jemi të paqenë, pra kjo nuk mund të ndryshojë kurrë. Dhe kjo u duk qartë edhe në këtë proces, që realisht ka filluar që me 1992, për të kaluar sot në një stad të ri zhvillimi. Dhe në të gjithë këto vite PD-ja ka qenë forca lider në rrugën tonë perëndimore. Pra me dy fjalë, bashkëpunimi i ynë edhe i z.Basha personalisht me ata që ju përmendet është shumë i ngushtë e do të jetë edhe më shumë në të ardhmen.

Mbetet ende opozita kërkuese e një qeverie teknike?

Kjo është një pyetje interesante. Sot konfigurimi e nevojat politike të vendit kanë ndryshuar shumë. Së pari implementimi i kësaj reforme drejtësie kërkon një frymë të gjerë bashkëpunimi, gjë që mungoi nga Z.Rama në fazën e deri tanishme siç shpjegova më lart, duke krijuar një mungesë të thellë besimi ndaj kësaj maxhorance. Kjo është shumë serioze e kërkon korrigjim, i domosdoshëm ky për hapat e mëtejshme qoftë dhe të implementimit të ndryshimeve ligjore. Së dyti që e përforcon të parën, në fakt kjo maxhorancë ka rënë politikisht gjë që e tregoi procesi i miratimit të reformës dhe zhvillimet e mëtejshme. Pra natyrshëm tashti kërkohet e del i domosdoshëm një rikonfigurim i thellë i qeverisjes për të siguruar hapat e mëtejshëm të implementimit të reformës dhe ekuilibrat e nevojshme jo vetëm për atë. Qeveria teknike e më tej zgjedhje të reja janë opsioni më i dobishëm dhe solid.

Do ketë surpriza në zgjedhjet e ardhshme apo nëse ndodhin të parakohshmet, një bashkim PD-LSI, shumë të artikuluar kohët e fundit?

Unë gjykoj se PD-ja do të dalë vetë në zgjedhje, me aleatët e saj natyrale. Pa dyshim kjo duke aplikuar kësaj radhe formula më racionale bashkëpunimi me ata, pa i “fryrë” artificialisht disa. Nga ana tjetër unë gjykoj se dhe LSI-së e PS-së do të dalin në koalicione të veçanta në zgjedhjet e ardhshme. Në diçka jam i bindur, që PD-ja do të dalë partia e parë në ato zgjedhje duke i fituar.

SHKARKO APP