Tritan Shehu: Problemet me Greqinë, zerohen me dialog. Meta, takime pozitive dhe të dobishme

Ish-ministri i Jashtëm, demokrati Tritan Shehu, pavarësisht disa zërave kritikë, e vlerëson si pozitive vizitën e kryeparlamentarit Ilir Meta në Athinë. Z.Shehu thotë  se me dialog mund të zgjidhen çështjet e trashëguara mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Z.Shehu, si e vlerësoni vizitën e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, në Greqi?
Vizitën e z.Meta në Greqi e konsideroj një vizitë të dobishme, pozitive, në kuadër të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tonë, të cilat janë anëtare të NATO-s. Po kështu, nga ana tjetër, Greqia është vend anëtar i BE-së, ne që aspirojmë për të qenë të tillë. Në fakt, gjithmonë kemi pasur mbështetjen e Greqisë për afrimin e plotë në familjen evropiane. Pra është një vizitë që shtyn në drejtimin e duhur, e cila u shërben Greqisë dhe Shqipërisë, por edhe stabilitetit të rajonit. Kështu që unë e konsideroj një vizitë pozitive, dhe shpresoj se pati efekte të tilla për marrëdhënie më të ngushta mes dy vendeve tona.
Besoni se ka përplasje mes dy vendeve për çështjen çame?
Midis fqinjëve gjithmonë ka probleme, por dhe marrëdhëniet pozitive midis tyre janë bazë e zhvillimit. Unë nuk besoj te spekulimi “zero probleme”. Unë besoj te përballimi dhe zgjidhja e tyre me racionalitet e pozitivizëm. Pra mendoj dhe gjykoj që të gjitha problemet e trashëguara mes dy vendeve tona mund të kalojnë me dialog mes nesh, pasi jemi partnere të ngushta strategjike mes nesh. Midis çështjeve për zgjidhje janë, pa dyshim, edhe ato që lidhen me pronat e shqiptarëve në Greqi, me padrejtësi të së kaluarës, çështje të sotme etj. Konkretisht, për të zgjidhur ato çështje që historia na i ka lënë mbrapa, por edhe ato që mund të lindin më tej, janë veçse urat e miqësisë mes nesh, që do të kontribuojnë në zhdukjen sa më shpejt të tyre. Por unë do të theksoj që marrëdhëniet Shqipëri-Greqi në të gjitha këto vite demokraci, dominohen nga pozitivja, dominohen nga bashkëpunimi ynë i ngushtë mes nesh, dominohen, pa dyshim, nga ndjenja e miqësisë mes nesh, nga e ardhmja e përbashkët, dhe them se vetëm duke ecur në këtë rrugë, ne do të arrijmë që të zerojmë së bashku edhe problemet e mbetura dhe të trashëguara.
Si i vlerësoni deklaratat e z. Meta në Athinë për çështjet e trashëguara?
Unë i vlerësoj pozitive, racionale, në përputhje me realitetin dhe interesat e dy vendeve tona. Z. Meta ishte koherent me atë që ne presim dhe me atë që ne duhet të ndërtojmë për këto marrëdhënie të mira mes dy vendeve tona.
Si e mendoni të ardhmen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë? A cenohen ato nga disa rryma nacionaliste?
Mendoj që marrëdhëniet Shqipëri-Greqi janë në rrugë të drejtë. Ne kemi një të kaluar të përbashkët shumë miqësore në të gjitha këto vite demokraci. Greqia ka dhënë një mbështetje të madhe në të gjitha proceset tona të rëndësishme, ashtu si dhe ne kemi ndërtuar miqësi me të. Kështu që, mendoj dhe gjykoj se e ardhmja duhet të jetë dhe nuk mund të mos jetë e fokusuar drejt familjes sonë të përbashkët europiane. Marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të jenë edhe më të ngushta. Pa dyshim që ekzistojnë rryma apo individë në të dy anët e kufirit, që duan të mbijetojnë mbi reminishenca të së kaluarës, apo populizmin. Ka dhe politika që kërkojnë artificialisht të krijojnë probleme edhe kur nuk ka të tilla, e që pastaj predikojnë “zero probleme”. Por gjykoj se nuk do të mund ta ndryshojnë dot kahun pozitiv të marrëdhënieve të mira mes Greqisë dhe Shqipërisë. Kjo sepse i tillë është interesi ynë i përbashkët dhe ai rajonal. Sa më të afërta, sa më pozitive, sa më shumë mirëkuptim të ketë mes dy vendeve tona, aq më lehtë do të zgjidhen edhe çështjet e trashëguara nga e kaluara. Acarimi i marrëdhënieve tona nuk i shërben kurrkujt. Dhe, për të dominuar arsyeja ne kemi një model, kemi një shembull që ka funksionuar, kemi një platformë, dhe ky është Traktati i Miqësisë mes Shqipërisë e Greqisë, i firmosur nga presidentët Berisha dhe Papulias, që hapi një epokë të re institucionale mes dy vendeve tona dhe që ka kontribuar edhe për stabilitetin në rajon.
Valentina Madani/Gazeta Shqiptare

SHKARKO APP