Turizmi, Rama: Një pjesë e industrisë nuk po mendon strategjikisht, masa radikale për plazhet

Kryeministri Edi Rama tërhoqi sot vëmendjen ndaj një pjese të subjekteve që operojnë në fushën e turizmit, të cilat sipas tij, nuk po mendojnë strategjikisht për të ardhmen, por po mendojnë për fitimet e momentit, me çmime shumë të larta.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, Rama iu përgjigj komentuesve lidhur me impaktin që ka në turizëm aksioni për lirimin e hapësirave publike gjatë sezonit veror.

“Nuk e linim dot në dimër. Thonë përse tani që keni turistë nëpër këmbë, por mos kini merak se çështja e turistëve nuk lidhet me këtë. Çështja e turistëve lidhet me dy a tri gjëra të tjera për të cilat do flasim shumë hapur dhe shumë qartë në shtator”, tha Rama.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kryeministri u shpreh se kjo lidhet me atë pjesë të industrisë që nuk po mendon fare strategjikisht, por mendon “kap çfarë të kapësh sot”.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Dhe praktikisht po i bën gropën vetes për nesër, pasi të gjitha ato investime që po bën nuk do të mund dot t’i kthejë në investime të qëndrueshme për fëmijët, nëse sot vendos çmime të cilat do të hapim me shumë shpejtësi fjalën se është shumë shtrenjtë në Shqipëri”, tha Rama.

Po ashtu, lidhur me plazhet, kryeministri vlerësoi se kemi bërë një hap të madh përpara këtë vit, por të pamjaftueshëm.

“Do të marrim masa radikale edhe me plazhet për vitin e ardhshëm, ku bashkitë do të marrin shumë më tepër forcë. Por, ama, shkundja e bashkive sot është një domosdoshmëri që të gjitha gjërat të shkojnë shumë më mirë nesër dhe që pushteti vendor që ka bërë shumë gjëra, por që ka shumë të meta, të ngrihet në një nivel tjetër”, tha Rama.

ATSH

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?