U vetëvra i uritur, ku është shteti?
Nga: Redjon Shtylla
70% e popullsisë në Shqipëri është e rrezikuar nga varfëria, thuhet në një raport të fundit nga Eurostat. Në 20 vitet e fundit Shqipëria shënon mesatarisht 20% të popullsisë të saj që jeton në nivele të varfërisë absolute.
Kur shifrat ”zbresin” në terren, situata është tragjike. Mjerim, skamje, pa mbështetje dhe në siklet për faturat e llampës së dritës, 48-vjeçari Fatos Çollaku i dha fund jetës, duke u varur te pema në oborrin e banesës së rrënuar nga varfëria dhe skamja.
Bashkëfshatarët në fshatin Rrajcë të Përrenjasit, rrëfejnë se Fatosi shikonte gjithmonë punën e tij dhe nuk bezdiste njeri, por që varfëria ekstreme e çoi atë deri në këtë pikë. Trupi i pajetë u gjet mëngjesin e sotëm, dhe sipas fqinjëve, mbrëmë shtëpia e rrënuar nuk kishte drita, edhe pse veç një llampë drite kishin në banesë.
“E vuri përpara varfëria dhe arriti në një pikë që ndodhi kjo që ndodhi. Fatosi nuk kishte probleme të shëndetit mendor. Jemi rritur me të edhe e dimë se si ishte. Fatosi punonte në fshat, jo përditë por fshati e donte shumë. Sa i përket ndërprerjes së energjisë elektrike, nuk ka qenë stabël, herë i pritej e herë i lidhej. Ata kishin vetëm një dritë në banesë, asnjë elektroshtëpiake tjetër. Mbrëmë në darkë në shtëpi nuk kishte drita. Para 10 ditësh i hoqën ujin sepse nuk e kishte paguar. Kjo i shtoi stresin. Pavarësisht se uji u rilidh Fatosi u stresua shumë”.
Edhe deputeti i qarkut të Elbasanit për PD, Luçiano Boçi hedh akuza të forta ndaj qeverisë për këtë ngjarje. “Nuk i dhanë asgjë prej gjëje, as dritë, as shpresë, as bukë. Madje e shpallën “armik”. Vërtet e vranë. Në litar Fatosin nuk e çuan këmbët e veta. Aspak. Njerëz mos e besoni. E çoi braktisja e shtetit. E çoi dënimi me skamje që i kishte shpallur pushteti”.
Qeveria ”Rama 3” punon, por varfëria në vend është ulur këmbëkryq dhe kërkohet zgjidhje që të mos ketë jetë të prera në mes si pasojë e mos gjetjes së kafshatës së bukës, që të mos ketë më fëmijë që vuajnë urie, që të mos ketë më banesa të rrënuara e ku jetohet mjerisht.
Kemi njerëz të pushtetshëm që notojnë mes luksit. Kjo kategori pasurohet çdo ditë e më shumë. Ndërsa ata, të varfërit po u boshatisen xhepat çdo ditë e më shumë. Çfarë ka ndodhur këto 30 vite me zhvillimin ekonomik? Pse pjesa më e madhe e shqiptarëve vijojnë të jetojnë në varfëri? Përse nuk zbatohet minimum jetik? Cilat janë kategoritë më në nevojë? Përgjigjet duhet ti japë qeveria. Shqipëria që aspiron Bashkimin Europian është kthyer në një Afrikë që sytë tanë të përditshëm në metropol nuk e shohin.