Unë, Ina e shqiponjave të policisë dhe Danieli i “shpellarëve” të protestës

Nga Luan Rama

Jam gjendur pranë Bibliotekës Kombëtare me disa prej kolegëve deputetë, pak minuta pasi ishte shpërndarë protesta e qytetarëve, banorë të Unazës së Re, të cilët pritet të humbasin shtëpitë e tyre prej një projekti për zgjerimin e dy kilometrave rrugë, që do të kushtojë 40 milionë euro!

E krejt papritur, kam vënë re një grup, qyetarë e policë, që po përlesheshin duke sharë e kanosur njëri-tjetrin. As më shumë e as më pak, një shfaqje rrugaçërie në mes të Tiranës, ndaj bashkë me kolegët e mi deputetë jam afruar dhe kemi ndërhyrë për t’i ndarë ata që po ziheshin e po shaheshin! Sepse situata po rëndohej e dhuna mund të përshkallëzohej më tej.

As unë dhe as kolegët e mi deputetë nuk u jemi kundërvënë punonjësve të policisë, por ju kemi kërkuar atyre dhe qytetarëve të evitojnë dhunën, sepse fakti që mbajnë uniformën e Policisë së Shtetit dhe që kanë për detyrë të zbatojnë ligjin, nuk ua jep të drejtën të ushtrojnë dhunë mbi qytetarët, ashtu sikundër këta të fundit, në të drejtën e tyre për të mbrojtur pronën, nuk kanë të drejtë të ushtrojnë dhunë!

E sa për personat përgjegjës në shkeljen e ligjit, iu kam thënë punonjësve të policisë se mund t’i identifikojnë dhe t’i shoqërojnë në polici edhe më pas, sipas procedurave që parashikon ligji, pa krijuar skena dhune dhe konflikti në mes të qytetit. Por ndërkaq, kam parë një djalë të ri tē afrohet rrëmbyeshëm e të sulet mbi disa policë që po i godisnin të jatin. Ia doli t’a shkëpusë babanë e tij nga duart e policëve, por ra vetë mes tyre e filloi përleshjen me ta. Asnjëra palë nuk dëgjonte thirrjet për arsye, e në keto kushte kam ndërhyrë për t’i ndarë bashkë me kolegët e mi deputetë!

Dhe vetëm i kemi ndarë, as kemi rrëmbyer njeri dhe as kemi fshehur ndokënd! Kemi ndarë qytetarë e policë që po rriheshin me njëri-tjetrin dhe ca të tjerë, civilë, që më pas e mësova se ishin punonjës të Policisë së Shtetit, por pa shenja dalluese dhe identifikuese siç e kërkon ligji! Kaq ishte ngjarja e asaj dite pas protestës! Më pas mësova për të lënduarit e të plagosurit nga të dy palët, policë e protestues, ku padyshim episodi më i rëndë është plagosja e Inës së shqiponjave të policisë, e vajzës me uniformën e Policisë së Shtetit, që ishte në shërbim për të garantuar rendin dhe sigurinë publike!

Jam me të pa asnjë mëdyshje. Jam me të dhe me kolëgët e saj me zemër, e jo për t’u shfaqur në ndonjë ekran gjithë grimasa hipokrizie! Dhe e ndjej dhembjen e saj si të vajzës time! I uroj shërim të shpejtë e do të jem i lumtur t’a shoh sërish mes kolegëve të saj, përsëri ashtu, si shqiponjë të Policisë së Shtetit, si shqiponjë të policisë time! Dikush apo disa e përdorën protestën për të provokuar e për të ushtruar dhunë.

Edhe pse nuk i njoh “aktorët” e dhunës, fakti që përdorën protestën ku isha edhe unë jo si protestues, por si përfaqësues publik dhe politik, më lejon mundësinë t’ju kërkoj ndjesë gjithë të plagosurve dhe të lënduarve, policë në detyrë apo protestues në të drejtën e tyre, më jep të drejtën t’i kërkoj ndjesë edhe Inës së shqiponjave të policisë! Sepse Policia e Shtetit dhe qytetarët në protestë nuk janë përballë apo kundër njëri-tjetrit; sepse ndër ata që do të humbasin shtëpi prej projektit tek Unaza e Re, ka edhe disa dhjetëra policë e të afërm të tyre.

Pra, të gjithë janë në hall, të gjithë janë të kërcënuar, të gjithë janë të keqpërdorur. Të keqpërdorur janë të gjithë ata qe dje u gënjyen me premtimin se nëse do të votonin Edi Ramën nuk do t’ua prishnin shtëpitë, ndërkohë që sot kanosen me projektin e shkatërrimit të shtëpive. Por të keqpërdorur janë edhe qytetarët me uniformë, ata që pasi kishin shërbyer gjithë natën pranë objekteve që siguron shërbimi i policisë së objekteve, u vunë përballë qytetarëve në protestë, kur këtë shërbim duhet ta kryejnë të tjera forca nga Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës, sipas një urdhërshërbimi të detajuar e të miratuar paraprakisht!

Dhe tani disa rradhe për Daniel Drobajn, për Danielin e “shpellarëve” siç i quan në mënyrë diskriminuese e fyese Kryeministri disa prej qytetarëve protestues meqë janë nga Veriu i Shqipërisë, edhe pse, edhe ata e kanë Kryeministër. Pra, disa rradhë për “kriminelin” që unë e “hoqa” prej duarve të policisë. Për herë të parë e të vetme e pashë kur u sul mbi disa policë për të shpëtuar të jatin që po ia dhunonin, në përleshjen të cilën e shpjegova në krye të këtyre rradhëve, e cila ndodhi diku në hapsirën mes Pallatit të Kulturës nga ana e Bibliotekës Kombëtare dhe ish – bar sahatit. E ndava nga sherri, e shkëputa prej dhunës, por ai nuk më dëgjoi, nuk m’u bind! Dhe më iku nga duar. Sepse rendte të shpëtonte babain! Nuk munda ta ndal, sepse jo unë, po askush, askush nuk do të mund t’a ndalte dikë tek sheh t’i dhunohet babai e t’i shembet shtëpia!

Më vonë mësova se e kanë arrestuar e bashkë me këtë lajm, mësova se ky paska qenë ai që hodhi shashkat a kapsollat, njëra prej të cilave plagosi e mori gishtat e Inë së shqiponjave të policisë! Nuk e di nëse është kështu e vërteta, por pavarësisht kësaj, cilido qoftë ai që ka marrë e ka përdorur lëndë plasëse, shashka apo kapsolla në protestë, duhet ndëshkuar sipas ligjit! Edhe nëse ky është Danieli. Sepse unë jam me ligjin dhe për zbatimin e tij.E sipas logjikës së ligjit, pres që drejtësinë ta shpallë gjykata, siç duhet të ndodhë normalisht në një shtet të së drejtës!

Sot, teksa vendosa të shkruaj këto rradhë, u interesova të mësoj se kush është “krimineli që Luan Rama e hoqi nga duar e policisë” siç kumtoi nje televizion, që nuk është ndër kazanët mediatikë, edhe pse nuk ka respektuar as minimumin e etikës profesionale, që të paktën të më drejtoheshin edhe mua, por ky është problem tjetër! Danieli, “krimineli” sipas disa portaleve apo “shpellari” sipas Kryeministrit, është nga Mirdita, por banon tek Unaza e Re në një shtëpi të ligjshme, të cilën Kryeministri do t’ja prishë!

Ka kryer shkollën e mesme në gjimnazin “Çajupi” si nxënës i dhjetave dhe ka zgjedhur vete të bëhet inxhinier ndërtimi, sepse është student në vitin e parë të fakultetit të inxhinierisë, pasi ka fituar me zotësinë e vet të drejtën për të qenë student i këtij fakulteti!
Pyeta për të edhe në Policinë e Shtetit se mos ka të dhëna apo fashikuj qe e identifikojnë apo e implikojnë në veprimtari kriminale, por më thanë që nuk ka të dhëna të këtij lloji për të! Madje, edhe kur i bënë kontrollin e baneses, punonjësit e policisë i gjetën vizore, kompas e lapsat me detyrat për në fakultet të pambaruara!

E megjithatë, Danieli që ka kryer gjimnazin në Tiranë me notën mesatare 9.6 dhe që me zotësinë e vet fitoi të drejtën të bëhet student i fakultetit të inxhinierisë së ndërtimit, sot është “kriminel”, sot është Danieli i “shpellarëve”, sepse kështu e quan Kryeministrit! Nuk e di se si do ta shpallë gjykata Danielin, por një gjë e di mirë: nëse dialogu dhe transparenca me qytetarët që humbasin shtëpitë në Unazën e Re dhe jo dhuna mbi ta dhe etiketimi i tyre si “shpellarë”, nëse shpërblimi i drejtë siç thotë ligji dhe jo arroganca dhe përbuzja kryeministrore do të ishte qasja e qeverisë ndaj tyre, Ina e shqiponjave të policisë nuk do të ishte plagosur, dhe Danieli nuk do të ishte në pranga si “krimineli” i rradhës dhe si njëri nga “shpellarët”, siç pelqen t’i quajë gjuha e pushtetit!

SHKARKO APP