Vaksina kineze, gënjeshtrat politike dhe Shqipëria në mes
Nga Artur Zheji
Marshalli kërkon t’i fitojë zgjedhjet me çdo kusht. Duket qartë që nuk jeton dot pa pushtet, duket qartë që nuk mund të ketë një jetë tjetër në koordinatat e tija ekzistenciale, përveç kësaj jete që ka.
Mirëpo, ky është problemi i Marshallit dhe meqë është problemi i Marshallit, Ay bën ç’është e mundur që të shndërrohet edhe në problemin tonë… popullor…
Nga “biri plëngprishës” i ish-elitës komuniste, që sfidonte me xhinse dhe me sy të zgavruara nga jeta e natës, politikën e burokratëve të hekurosur të të “Kuqve bolshevikë” dhe demode, Ay, Marshalli, pra, po kolaudon elektoralisht në publik, një personazh tjetër…
Sot, pra, Ay, vetëpropozohet, si “Babloku i popullit”, si kujdestari zemërdhembshur i tij… Dhe e luan këtë rolin e Bablokut zemërpulë mrekullisht ky Marshalli, sot me petk Kujdestari të mbarë popullit e përtej vetë popullit!…
Dhe unë tek e shoh gjatazi dhe gjerazi, në kohë dhe në hapësirë, për shkak të punës që bëj si gazetar, shpesh rrëmbehem e mallëngjehem nga interpretimi i tij mjeshtëror.
Porse zgjohem hidhtas kur kujtoj koncesionet dhe shpërdorimet e thesarit të popullit, përmes tenderëve të paturpshëm për nga guximi i vjedhjes.
Kur më dalin para sysh milionat e trasha të eurove për një kilometër, llokmat e rënda që rrëmbejnë Oligarkët nga dora e Marshallit, sot “zemërdredhur”!…
Duke futur thellë duart në xhepat e shpuar, pikërisht të atyre që sot mbajnë radhën plot ankth për t’u vaksinuar me vaksinën kineze…
Sepse, në qoftë se nuk e keni harruar, ka ligje të rrepta edhe për vaksinimin e bagëtisë, pavarësisht se ajo, pasi trashet ca nga dhjamët, shkon duke blegëritur nën zë për t’u therur… Te ne, logjika është pak ndryshe.
Duan të të mbajnë gjallë sa të munden që të të mjelin për sa kohë je gjallë…
A do të na japë begatinë dhe mbijetesën e dëshiruar vaksina kineze sot?! Ashtu si dikur na jepte krenari dhe pallëzhveshje të trimëruar, në udhëkryqin e kohërave Kombinati Metalurgjik në Elbasan, Çeliku i Partisë? Ku i dihet?! Ndoshta një Pallëzhveshje e Re na pret, me Marshallin në krye.
Dhe ne shqiptarët e trimëruar nga vaksina kineze dhe nga udhëheqja e Marshallit sypatrembur mund t’i themi nesër edhe Perëndimit mbarë se: “Marshalli e mprehu shpatën edhe një herë/ Për situatën!…”.
Ne jemi një popull që i kemi pasion të pavetëdijshëm, edhe për eksperimentet më të çuditshme sociale… Lum ne!