Vangjel Tavo: Ministria e Brendshme ka zbarkuar në Gjirokastër për fushatë. Rilindja të heqë dorë nga provokimet

Kandidati i LSI në Gjirokastër, Vangjel Tavo ka denoncuar sot atë që cilësoi si skenar të Rilindjes për të manipuluar zgjedhjet dhe për të njollosur kundërshtarët politikë. Në një deklaratë për mediat, Tavo deklaroi se ka bërë kallëzim penal në prokuroi për një individ të Rilindjes i që është prezantuar si përfaqësues i tij dhe ofronte para për vota.  Tavo tha se ky është një skenar që është organizuar nga Policia e Shtetit dhe ministri i Brendshëm. Ai tha se gjithë aparati i Ministrisë së Brendshme ka zbarkuar këto ditë në Gjirokastër për të bërë fushatë për PS.

Deklarata e Vangjel Tavos:

Të nderuar banorë të qarkut Gjirokastër, Ju informoj që dje bëra një kallëzim penal në prokurorinë e qarkut Gjirokastër, dhe tashmë e denoncoj edhe publikisht përpara jush, se një individ i kurdisur nga “Rilindja” ka shkuar në disa lagje dhe shtëpia banorësh duke përdorur emrin tim, duke u shtirur e gënjyer sikur është i dërguari im, duke pyetur banorët se kush janë familjet në nevojë që t’u japë para dhe t’u blejë votën. Personi nuk është pritur nga banorët. Ai është i ardhur dhe nuk është nga qarku ynë. Por për Policinë e Shtetit është i njohur dhe mund të jetë edhe pjesë e forcave të Policisë. Kaq poshtë ka rënë “Rilindja” dhe kaq të ligë dhe të paligjshëm janë sa që kryejnë veprime të tilla kaq të ulëta dhe kaq korruptive duke u përpjekur të minimizojnë humbjen e madhe që i pret më 25 prill.

Ky skandal vjen menjëherë pas denoncimit tim publik që bëra në media para pak ditësh se në Gjirokastër po blihen vota nga “Rilindja.” Me paratë e drogës dhe të korrupsionit duan të ruajnë pushtetin edhe më gjatë që të shtypin me këmbë edhe më shumë banorët dhe familjet e thjeshta. Që të varfërojnë, zhvasin dhe shpopullojnë më shumë qarkun tonë, për të përmbushur misionin e tyre të ligë e dashakeq për ta izoluar dhe shkatërruar totalisht qarkun e Gjirokastrës dhe për ta shndërruar në një xhep gjeografik dhe xhep të përfitimeve të tyre me drogën dhe aktivitetet e paligjshme.

Ministria e Brendshme ka zbarkuar e gjitha me makina policie dhe foristrada që xhirojnë gomat në rrugët e Gjirokastrës, duke vënë në shërbim të fushatës aparatin e policisë së shtetit në kundërshtim të plotë me ligjin dhe kodin zgjedhor. Kanë frikë nga humbja e thellë që i pret. Ata me foristrada por unë Vangjel Tavo do i mund në këmbë. Siç i kam mundur gjithmonë. Në këmbë ju kam takuar derë më derë dhe në këmbë do vijë gjithmonë për të ndarë hallet dhe shqetësimet me ju.

Të nderuar banorë të qarkut të Gjirokastrës, Ju e dini më mirë se kushdo tjetër se kush bëj lojra të tilla kaq të ulëta e thur skenare të tilla mashtrimi. Unë Vangjel Tavo kam shkelur vetë personalisht në çdo rrugë, jam ulur në çdo familje dhe kemi ndarë së bashku çdo hall e çdo shqetësim. Ndaj mos bini pre e këtyre mashtruesve rilindas që cojnë njerëz në emrin tim. Rilindasit nuk vinë dot vetë tek ju sepse nuk justifikojnë dot varfërinë që ju shkaktuan, mjerimin që ju sollën, ndaj bëjnë akte të tilla të ulëta. Mos bini pre e këtyre të mbaruarve dhe të larguarve.

Së bashku do gëzojmë në fitoren e madhe të 25 prillit, kur do gëzojmë jo vetëm largimin e këtij sekti korruptiv dhe malinj, por të gjithë bashkë, opozitarë dhe socialistë të ndershëm, do punojmë për të hapur sa më shumë vende pune, të nxjerrim familjet e thjeshta nga varfëria, dhe të zhvillojmë qarkun tonë. Ky është misioni im. Ky është premtimi im që do e mbaj fjalë për fjalë.

I bëj thirrje policisë së shtetit të distancohet nga skenarë të tillë provokimi dhe mashtrimi. I bëj thirrje prokurorisë që padinë time të bërë sot ndaj këtij akti të shëmtuar të “Rilindjes” t’a zbardhë sa më shpejt dhe fajtorët të përballen me drejtësinë. Të nderuar miq, Edhe pak ditë dhe “Rilindja,” autorja e mjerimit të madh të qarkut tonë do shporret. Mos bini pre e provokimeve, mos lejoni më t’ju gënjejnë dhe mashtrojnë, mos pranoni t’ju fyejnë integritetin dhe krenarinë tuaj dhe të kësaj treve. Të gjithë së bashku t’i largojmë përgjithmonë dhe të nisim një të ardhme më të mirë për qarkun e Gjirokastrës. Vangjel Tavo

SHKARKO APP