Vangjel Tavo: Njerëzit vuajnë për bukën e gojës, Rilindja hedh miliona lekë për veshje furgonash

Kandidati për deputet i LSI-së në qarkun e Gjirokastërs, Vangjel Tavo thotë se në një kohë që qeveria shkel çdo ligj dhe Kodin Zgjedhor, këtë herë hedhin miliona lekë për veshjen e furgonave në një kohë që ka qindra e mijëra familje në varfëri. ”Lërini furgonat por dilni me mikrofon në sheshet e Gjirokastrës, Tepelenës, Memaliajt, Përmetit, Këlcyrës, Dropullit dhe Libohovës e jepuni shpjegim njerëzve përse janë sot në këtë varfëri dhe papunësi ekstreme”,-shkruan Tavo.

Postimi i plotë

Rilindas, ju nuk keni as turp e as ndërgjegje. Përveç se po shkelni ligjin dhe Kodin Zgjedhor me postera e banderola pranë QV-ve dhe KZAZ-ve, duke ngritur në mënyrë të paligjshme zyra cep më cep të Gjirokastrës dhe në qark, tani shpërdoroni edhe më shumë miliona me veshje furgonash.

A nuk keni turp? Njerëzit vuajnë për bukën e gojës e ju talleni dhe përbuzni vuajtjen e familjeve të thjeshta. Ku i gjetët paratë? Nga parcelat që kontrollonin ata që i keni kthyer krah jush? Me paratë e drogës doni të mashtroni njerëzit e thjeshtë?

Lërini furgonat por dilni me mikrofon në sheshet e Gjirokastrës, Tepelenës, Memaliajt, Përmetit, Këlcyrës, Dropullit dhe Libohovës e jepuni shpjegim njerëzve përse janë sot në këtë varfëri dhe papunësi ekstreme.

Jepuni shpjegim përse sollët shpopullimin dhe shkatërruat qarkun tonë? Nuk ua mban të përballeni me njerëzit por ja vendosni të talleni me arrogancën tuaj siç keni bërë gjithë këto vite. Sot vini me foristrada por do largoheni me këto furgonët tuaj mavi.

SHKARKO APP