Varianti i Henri Çilit për miratimin e Reformës

Analisti Henri Çili sheh tre qëllime të ndryshme që kanë tre aktorët kryesorë politikë me reformën në drejtësi. Këto qëllime – thotë Çili – janë edhe arsyet e vërteta të ngërçit.

“I pari është kryeministri, që kërkon të krijojë një moment të ri në jetën politike shqiptare, me anë të Reformës në Drejtësi. Rama kërkon që nëpërmjet kësaj reforme dhe këtij momenti t’i japë fund çdo diskutimi mbi bilancin e qeverisjes së tij dhe të jetë ai njeriu i besuar i perëndimit për dhjetë vitet e ardhshme në Tiranë, teksa vendi ecën në një trase reformiste.

I dyti është kreu i parlamentit Ilir Meta, i cili duket se ka një ndikim apo një akses në disa segmente të drejtësisë duke filluar nga kryeprokurori Llalla, që njihet si i propozuar i Ilir Metës në qeverisjen e Berishës. Meta kërkon ta ruajë këtë akses, madje të eleminojë çdo kërcënim që ndërtohet në korridoret politike të Tiranës apo që mund të vijë nga Reforma në Drejtësi në qoftë se ajo do të miratohet.

E njëjta gjë mund të thuhet për Sali Berishën dhe për Partinë Demokratike, e cila ka ende akses në sistemin e drejtësisë për shkak se disa nga emërimet e rëndësishme në këtë sistem u kryen në fund të mandatit të qeverisë Berisha. Berisha kërkon që jo vetëm ta ruajë këtë koniunkturë, por edhe të krijojë një momentum të ri politik duke tërhequr Ilir Metën në koalicionin e tij, duke mundësuar një koalicion nesër për të krijuar një dinamikë të re politike në Shqipëri.

Ndërkombëtarët, me në krye SHBA-të duken shumë të interesuar për një sistem të ri drejtësie në kontekstin e një vendi ku duhet të mbetet avant posti i Perëndimit dhe amerikanëve në Ballkan, ku po afrohen shumë rusët apo tendencat islamike dhe më shumë akoma në një Ballkan ku po kalojnë pole të rëndësishme energjetike si TAP, apo ku nesër mund të jenë baza të rëndësishme ushtarake të NATO-s. Shkurt partnerët ndërkombëtarë kërkojnë një drejtësi mjaft më korrekte dhe që të jetë garante e interesit të Perëndimit në Shqipëri dhe interesit më të mirë të shqiptarëve.

Të tria këto interesa nuk po konvergojnë, madje ato janë bërë baza e një ndarjeje thelbësore, e cila sintezën e saj e ka këtë të enjte dhe shenjën e kishte sot me deklaratën e Metës. Në fakt ky debat ka tre vjet që bëhet dhe së paku dy vjet në mënyrë intensive dhe ndërkohë jemi sërish në pikën e nisjes, në pikën ku asnjë nga palët nuk ka lëvizur nga pozicioni sepse interesat janë vërtet të pakonvergueshëm dhe të kundërt madje”, shkruan Çili te Mapo.

Në vijim të shkrimit ai thotë se Berisha e Meta ndjehen të kërcënuar nga reforma dhe dhe prandaj nuk e votojnë, prandaj Çili propozon amnisti.

“Askush të mos çuditet pse ata nuk e votojnë një reformë, që i bën ata të ndjehen të kërcënuar. Si e tillë amnistia e të gjithë kryeministrave, ish kryeministrave, përfshi këtu edhe kryeministrin aktual Rama dhe familjarëve të tyre, deri në momentin e votimit të reformës është gjëja më e natyrshme për të zhbllokuar mekanizmin themelorë dhe pse kjo reformë është penguar deri kaq. Është e qartë, meqë ndryshimi që do të sjellë reforma në drejtësi është aq epokal, atëherë ja vlen që kjo amnisti të bëhet, madje edhe për kryeministrin aktual Rama deri në momentin e votimit të kësaj reforme. Pse?! Nuk ka rëndësi nëse kanë bërë apo jo faj, nuk ka rëndësi nëse janë apo jo të implikuar në çështje të ligjit apo korrupsionit, rëndësi ka të niset një epokë e re dhe sipas parimit latin të ecet përpara. Pse? Sepse këto kanë qenë rregullat e lojës dhe ky është një fillim i ri. Kjo nuk do të thotë që klasa politike shqiptare përbëhet nga katër apo pesë ish-kryeministra, ka shumë e shumë aktorë të tjerë të cilët kanë pasur për detyrë të zbatojnë ligjin dhe ndoshta nuk e kanë bërë, të gjithë këta duhet të jenë subjekt i kësaj reforme dhe kjo nuk do të thotë që nuk bëhet drejtësi. Në qoftë se nuk do të bëhet amnisti nuk do të ketë asnjëherë reformë në drejtësi. Reformë duke i detyruar deputetët me terror, me blerje apo me forma të tjera duke filluar nga deputetët Berisha dhe Meta (Lulzim Basha nuk është deputet) përsëri nuk mund të ketë. Nuk ka ndodhur gjëkundi”, shkruan Çili.

Sipas tij ky parlament është shumë i dobët për të votuar këtë reformë, prandaj ai propozon zgjedhje të reja brenda 45 ditësh siç e parashikon Kushtetuta, për të prodhuar një ekuilibër të ri politik, sipas dy opsioneve bazë që kanë manifestuar palët politike.

Populli shqiptar ja vlente të pyetej në zgjedhjet e ardhshme për dy opsionet: Opsioni Rama dhe aleatëve për një prani të fortë të ndërkombëtarëve në procesin e reformës në drejtësi dhe te i ashtuquajturi veting. Dhe opsioni B, i përfaqësuar nga Partia Demokratike dhe Meta për një rol konsultativ dhe një pozicion më sovranist në strukturën e ardhshme të drejtësisë”, shkruan Cili.

Çili e mbyll shkrimin duke theksuar sërish tezën e tij për amnisti.

“Nuk humb e ardhmja e drejtësisë shqiptare nëse amnistohen 5 apo 7 veta, përkundrazi fiton paqja sociale dhe fiton një momentum i ri politik dhe zhvillimor i Shqipërisë. Nga ana tjetër ndërkombëtarët që njohin mjaft mirë gjuhën diplomatike dhe negociatat diplomatike, nuk janë aspak të humbur nëse në Shqipëri ata krijojnë premisat për një sistem drejtësie të standardeve ndërkombëtare edhe me çmimin e amnistimit të 5 apo 7 kryeministrave të Shqipërisë”

SHKARKO APP