Vasili: LSI do propozoj disa përmirësime në buxhet

Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili ka folur sot për projektbuxhetin e vitit 2017 që do të diskutohet në Parlament. Ai tha se LSI-ja do të paraqesë disa amendamente të këtij projekti.

Zoti Vasili, në Kuvend ka mbërritur buxheti i vitit 2017. Cili është opinioni i LSI-së për këtë ligj kaq të rëndësishëm ekonomik. A i përmbush ai pritshmëritë dhe si është hisja e ndarë për ministritë që drejtohen nga LSI?

Buxheti sapo ka ardhur, siç ju e thatë, pra është ai momenti ku ne po njihemi me të. Sigurisht është një proces shumë serioz. Para pak kohësh ne patëm edhe një diskutim në grupin parlamentar për t’u orientuar kryesisht në linjat ku orientohet ky projektbuxhet i ri dhe sigurisht ne po e shikojmë me shumë vëmendje dhe me shumë përgjegjësi, pasi jemi të bindur se krahas objektiva për të dhënë një stimul të ri punëve në vend.

Ky proces i shqyrtimit të tij duhet të ketë dhe të shoqërohet pse jo me përmirësime dhe ekuilibrime të brendshme që e bëjnë atë dhe do ta bënin atë buxhet sa më efektin edhe për objektivat që kanë lidhje me përmbylljen e mandatin 4-vjeçar.

Po më shumë sesa këto objektiva për pritshmëritë që publiku shqiptar ka, të cilat janë në momentin e tyre të finalizimit. Ndaj ky buxhet për nga rëndësia nuk ngjan me buxhetet e tjera. Pasi finalizon disa objektiva për të cilat janë marrë angazhime përballë qytetarëve dhe detyrimi për ti mbajtur ato është një detyrim madhor për të gjithë mazhorancën. Kështu që në këtë frymë ky po diskutohet dhe do të diskutohet deri në fund për të pasur një qëndrim sa më të pjekur dhe sa më bindës përpara opinionit publik.

Besoj që jemi ende herët për të formuluar opinionin përfundimtar, por në shifrat kryesore është një buxhet, i cili demonstron një rritje në raport me buxhetet paraardhëse. Ndërsa në detajimet e tij brenda për brenda ka projektime të cilat ndihmojnë realizimin e objektiva, por ka vend edhe për riekuilibrim apo përmirësime të nevojshme që nuk besoj se do ta cenonin thelbin e tij.

Konkretisht tek zërat që i përkasin ministrive të drejtuar nga LSI?

Nuk ndajmë asnjëherë projektbuxhetin në zëra që u takojnë ministrive të drejtuar nga përfaqësues të LSI-së apo të PS. Ky është një buxhet, i cili trajton çështje të mëdha të vendit. Dhe përgjegjësia për diskutim dhe përmirësimin e tij s’ka asnjë dallim politik. Pra, duhet të jetë një buxhet që realizon objektiva të suksesshme në të gjitha fusta e qeverisjes së vendit pa asnjë dallim. Nuk është një buxhet partiak, është një buxhet programor për të ardhmen e vendit.

Nëse nuk parashikohen këto ndryshime dhe nuk bëhet këto përmirësime, a do ta votojë LSI?

Është një pyetje që e kam dëgjuar në të katër buxhetet dhe po punojmë së bashku për të krijuar një buxhet sa më efektiv dhe kjo është detyra madhore. Dhe besoj se LSI-ja ka demonstruar gjithmonë një rol shumë aktiv në të gjithë projektbuxhetet dhe të mëparshme të ketë pasur maksimumin e efektivitetit. Pra, të jenë buxhete sa më pozitive, duke mbështetur dhe me veprimtarinë e saj për ti përmirësuar ato dhe sigurisht ka dhënë dhe mbështetjen politike.

Përmirësimet nuk janë kusht. Përmirësimet janë një domosdoshmëri për një sukses të përbashkët që u takon në radhë të parë shqiptarëve dhe jo thjeshtë dhe vetëm koalicionit politik që qeveris vendin.

Zoti Vasili, pak më parë bashkëkryetari i komisionit për reformën zgjedhore, Taulant Balla, në një prononcim për mediat u shpreh se kusht janë rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe jo listat e hapura që kërkon LSI…

Nuk e kam ndjekur se çfarë ka thënë z. Balla. Dhe sigurisht as komentojë dhe as perifrazojë fjalët e kolegëve. Tavolina e reformës zgjedhore është një tavolinë e rëndësishme e cila do të marrë në shqyrtim të gjitha opsionet për përmirësimin e mëtejshëm të Kodit Zgjedhor, por edhe të administrimit të zgjedhjeve. Absolutisht që rekomandimet e OSBE-ODIHR mbeten udhërrëfyes, të dy raportet, të 2013 dhe të 2015, dhe komisioni sigurisht është i hapur që të dëgjojë të gjitha propozimet. Ky besoj se duhet të jetë edhe vizioni i bashkëkryetarëve të cilat në fund të fundit janë administrues të procesit, por janë votues të barabartë me të gjithë anëtarët e komisionit. Për ta pasqyruar, pasi siç dihet edhe forcat e tjera politike, edhe jo parlamentare, kanë paraqitur për komisionin opsione, kanë paraqitur alternativa, ndryshime. Komisioni duhet të jetë i hapur për t’i dëgjuar të gjitha për të përmirësuar sa më tej kualitetin e zgjedhjeve, edhe kualitetin moral, edhe kualitetin e përfaqësimit. Listat e hapura të propozuara nga ne kanë pasur një qëllim, përmirësimin e kualitetit të përfaqësimit në nivelin më maksimal të tij dhe besoj se ka qenë një iniciativë shumë e mirë dhe shumë pozitive. Cili do të jetë qëndrimi përfundimtar i komisionit, këtë do ta tregojnë debatet dhe diskutimet në të.

Sigurisht nuk mund të ketë kushte të pakapërcyeshme, por tavolina duhet të jetë gjithmonë e hapur për të diskutuar pasi tavolinat e mbyllura nuk sjellin ndonjë progres. Tavolinat e hapura për mendime dhe alternativa, jo vetëm nga partitë e rëndësishme parlamentare siç është LSI-ja, por edhe nga partitë të cilat nuk janë në parlament, besoj se do t’i bëjnë mirë procesit, nuk i bëjnë asnjë dëm.

Ju do të vijoni të këmbëngulni për listat e hapura apo do të tërhiqeni në rast se nuk pranohet. Të paktën PD dhe PS, të dy bashkëkryetarët e kanë hedhur poshtë?

Këto janë pyetje të stilit tuaj gazetaresk. Ne jemi në politikë. Propozimet tona do të jenë në tavolinë e komisionit të reformës zgjedhore. Pa asnjë diskutim. Pastaj është në atributin e këtij komisioni të diskutojë, të votojë dhe të mbajë qëndrime, pro apo kundër. Jua shpjegova më lartë, fare qartë që ne shkojmë në tavolinë për të hapur tavolinën e bisedave dhe nuk jemi për të krijuar pengesa, por kontribuojmë fortë për të përmirësuar kualitetin e zgjedhjeve dhe kualitetin e përfaqësimit politik.

Vasili para pak ditësh z. Balla ka bërë publike shpërndarjen e disa amendamenteve për reformën zgjedhore ku ka thënë se nuk do të njihet opozita më parë me to, pa ja dhënë kolegëve të LSI-së dhe të PDIU-së që janë në qeverisje. Ju jeni njohur me këto amendamente? Keni pasur, le të themi, një qëndrim mbi rekomandimet e PS?

Problemi është ky dhe jua them këtë me shumë sinqeritet dhe dashamirësi. Nuk dua dhe nuk është në zakonin tim politik as të komentojë dhe as të perifrazojë deklaratat e kolegëve politik, të cilët në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë kanë komunikuar me ju dhe është plotësisht në të drejtën e tyre.

Komisioni i Reformës Zgjedhore do të jetë komisioni, i cili do të marrë në shqyrtim të gjitha llojet e propozimeve. Jo vetëm ato të paraqitura, por edhe të tjera që mund të vijnë në rrugë e sipër edhe besoj që një nga zhvillimet pozitive që komisioni ka dhe duhet të ketë, është që të jetë i hapur t’i diskutojë të gjitha. Më së fundmi, debati atje në tavolinë do të zgjidhë se cilat propozime do të miratohen e cilat jo. Besoj që e kemi një tavolinë institucionale shumë të rëndësishme, siç është tryeza e reformës zgjedhore, e t’i qëndrojmë asaj, sepse kjo është rruga më e mirë se sa rrugët e tjera të diskutimit jashtë institucioneve.

Zoti Vasili, kjo tavolinë duket se nuk po mblidhet. Kanë kaluar disa javë nga mbledhja e fundit, ka pasur edhe një shqetësim të shprehur nga OSBE-ja sa i përket kohës që po kalon, ndërsa zgjedhjet janë gjithnjë e më pranë. Nuk e di nëse ju ndani të njëjtin shqetësim, a dini një arsye pse nuk po mblidhet komisioni?

Duhet patjetër të ecet shumë më shpejt, pasi koha nuk është favorin tonë, koha është e pakët. Por besoj që mbledhja e të gjithë opsioneve alternativave do të bëjë të mundur që komisioni me t’u mbledhur do të ecë shumë më shpejt, pasi është shumë e rëndësishme që të studioheshin dhe eksploroheshin të gjitha alternativat që duheshin përmirësuar. Dhe besoj që në këtë mënyrë komisioni do të ketë gjithë lëndën e parë në tavolinë për të vendosur shpejt pastaj për çfarë do të ketë dakordësi të gjerë dhe çfarë jo.

Kështu që kam dashur ta shikoj pozitivisht si një kohë për të ngjizur opinionet dhe për të ngjizur mendimet e të gjitha forcave politike, të cilat ulen në tavolinë. Njëkohësisht edhe për forcat e tjera politike që i afrohen tavolinës për të bërë propozimet e tyre.

Më lejoni t’i rikthehem edhe një herë temës së buxhetit. Çdo buxhet shoqërohet nga paketë fiskale dhe në të kaluarën LSI-ja ka pasur propozimet e saj për paketën fiskale, siç ndodhi me propozimin për biznesin fason. Këtë vit a ka LSI një propozim konkret apo kërkesë për paketën fiskale lidhur me një për një sektor ku kërkon më shumë facilitete?

Me mirëkuptimin tuaj nuk do të ngutesha të flisja më shpejt sa duhet edhe për këtë gjë, pasi edhe paketa fiskale është në shqyrtimin, jo vetëm të deputetëve në komisionet përkatëse të ekonomisë dhe të financave, por edhe të grupit të ekspertëve financiarë që LSI ka.

Sigurisht, atje ku do e gjejmë të udhës nuk do të mungojnë propozimet, por do të doja që ne pasi të kishim formësuar diçka konkrete ta komunikonim, pasi kjo do të ishte edhe më korrekte. Por po shqyrtohet me detaje, pasi çdo përmirësim që i bëhet paketës besoj ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe për të përmirësuar klimën e biznesit, që është shumë e rëndësishme, dhe për ta bërë gjithmonë e më atraktive ekonominë shqiptare në radhë të parë për tërheqjen e investimeve të huaja, pse jo edhe për të mobilizuar dhe investimet e brendshme, të cilat kërkojnë stimuj pozitiv.

Kështu që në këtë frymë ne po e shqyrtojmë edhe paketën fiskale dhe aty ku ta gjejmë të domosdoshme për kërkuar përmirësime, nuk do të ngurojmë ta bëjmë këtë gjë.

Para pak ditësh ka qenë në rendin e ditës në parlament ligji që ka propozuar LSI-ja për çështjen e koncesioneve. Ku jemi aktualisht me këtë ligj, që në fakt ende nuk ka kaluar nëpër të gjitha komisionet parlamentare. Çfarë e ka mbajtur ende të padiskutuar në këto komisione?

Nuk jam i qartë sinqerisht për arsyet e zgjatjes, por konkretisht ligji ka zhvilluar dy seanca në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, pra ku është paraqitja e tij në parim nga ana ime. Është zhvilluar edhe një mbledhje nga ky komision për dhënie mendimi në shqyrtim me grupet e interesit dhe jemi në pritje që të zhvillohet mbledhje përfundimtare për ta mbyllu Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese si komision për dhënie mendimi opinionin e tij. Pastaj menjëherë do të duhet të mblidhet Komisioni për ekonominë dhe Financat si komision përgjegjës për të bërë shqyrtimin e tij përfundimtar. Sigurisht, këtu nuk kam ndërmend të paragjykoj qëndrimin politik, votën e kolegëve, por si proces shqyrtimi besoj që duhet të ishte mbyllur.

SHKARKO APP