Vasili: Mijëra shqiptarë janë lënë në rrugë në mes të acarit, Rama nuk ka asnjë borëpastruese
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, nisur nga situata e rëndë si pasojë e acarit dhe borës që ka mbërthyer vendin, në një deklaratë për mediat, thotë se në këtë situatë nuk ka qeverisje, nuk ka agjenci që t’u gjendjen mijëra njerëzve në rrugët e Shqipërisë, në të ftohtë e në acar, pa asnjë ndihmë e pa asnjë mbështetje. Teksa pyet për masat, Vasili thotë se ato janë zero. ”Ju nuk patë asnjë borëpastruese në të gjithë Shqipërinë. Patë dhjetëra kilometra rrugë të Shqipërisë të bllokuara me mijëra automjete dhe nuk patë asnjë mjet të ndihmës së parë, qoftë edhe një shishe ujë ti ofrohej qytetarëve dhe asgjë tjetër. Sepse Edi Rama ishte në zyrën e tij të ngrohtë, fliste dhe mbante fjalime për turizmin në Tiranë dhe për dhjetëra gjëra të tjera, budallallëqe pas asnjë kuptim. Po çfarë ka pas pretenduar Edi Rama, sërish po ky individ, kur ishte në opozitë?”,-tha më tej Vasili.
Deklarata e plotë
Të nderuar qytetare dhe qytetarë, e tërë Shqipëria ka qenë e mbërthyer nën darën e borës e të kohës së keqe dhe njëherazi ka parë qartë që nuk ka qeverisje, nuk ka kryeministër, nuk ka agjenci shtetërore që t’iu gjendjen atyre pranë dhe drama e mijëra e mijëra njerëzve në rrugët e Shqipërisë, në të ftohtë e në acar, pa asnjë ndihmë e pa asnjë mbështetje, të lënë në mëshirë të fatit, ka qenë një dramë që është konsumuar në sytë e të gjithëve.
Është fare e qartë për të gjithë se Edi Rama që është Kryeministri i Shqipërisë vazhdon të mbetet demagogu më i madh i të gjitha kohërave, njeriu i cili përveç propagandës, në esencën e tij nuk përfaqëson asgjë për shqiptarët.
Megjithatë, në mënyrë që shqiptarët të jenë shumë të qartë se cili është demagogu që i qeveris ata, duhet të kenë parasysh dhe më së miri se çfarë ka bërë dhe thënë ky njeri kur ishte në opozitë, e çfarë bën e thotë sot që është Kryeministri i Shqipërisë. Ju ftoj të ndiqni se çfarë thoshte Edi Rama ma rastin e emergjencës së dëborës në shkurtin e vitit 2012 në atë kohë dhe çfarë pretendimesh kishte ai për qeverinë e kohës. Rama i kërkonte qeverisë së kohës të parashikonte motin, të parandalonte dhe njëherazi të kishte plan. A ishte i njoftuar Edi Rama? Po. Edhe shqiptari më i fundit e dinte më së miri që moti do të përkeqësohej dukshëm në fundjavë dhe do të kishte vërtet një rëndim të jashtëzakonshëm të tij.
A parandaloi? A mori ndonjë masë? Zero! Ju nuk patë asnjë borëpastruese në të gjithë Shqipërinë. Patë dhjetëra kilometra rrugë të Shqipërisë të bllokuara me mijëra automjete dhe nuk patë asnjë mjet të ndihmës së parë, qoftë edhe një shishe ujë ti ofrohej qytetarëve dhe asgjë tjetër. Sepse Edi Rama ishte në zyrën e tij të ngrohtë, fliste dhe mbante fjalime për turizmin në Tiranë dhe për dhjetëra gjëra të tjera, budallallëqe pas asnjë kuptim. Po çfarë ka pas pretenduar Edi Rama, sërish po ky individ, kur ishte në opozitë? Ai kërkonte dhe i thoshte kryeministrit të kohës tekstualisht fjalë për fjalë. Edi Rama në 2012-n thoshte: “Ne pamë nga mëngjesi në darkë një shfaqje shurdhërie me zë e me figurë dhe me aktor kryeministrin, i cili e harroi Shqipërinë që digjet nën dëborë dhe u kreh me orë të tëra në ekranin e televizorit.” Ky ishte pretendimi i Edi Ramës për Sali Berishën në atë kohë.
Dhe shtonte, Edi Rama në vitin 2012. Ju lutem qytetarë dëgjojeni më shumë vëmendje që të kuptoni më së miri se ky njeri veç propagandës nuk përfaqëson asgjë tjetër. Ja çfarë thoshte Edi Rama: “Qeveria duhet të dëgjojë. Shurdhëria nuk është plan, po kosto, që rritet nëse qeveria zgjedh të mbyllë veshët e të hapë vetëm gojën për të sulmuar opozitën”. Këto ishin pretendimet e Edi Ramës dje në opozitë dhe ju e keni parë që veç skenave të neveritshme të një ministre të hipur në një borëpastruese, ndërkohë që borëpastrueset nuk dukeshin gjëkund, në vend të skenave të neveritshme që keni parë në ekranet e televizorit në momentin kur Shqipëria pati fatkeqësinë e jashtëzakonshme të tërmetit, e nuk pati as qen nga ata që zbulojnë ata që kanë humbur jetën, apo që janë nën rrënoja. Patë se si Shqipëria nën ujë nuk pati asnjë lloj mjeti apo logjistike për të ndërhyrë, kuptoni më së miri që Shqipëria nuk ka as kryeministër dhe as qeveri.
Është e qartë që opozita ka një plan shumë të mirë detajuar për një ristrukturim, për një plan të emergjencave civile tërësisht të ri, nga rrënjët të ndërtuar, nga themelet të ndërtuar nga e para, sepse Shqipëria përballet me emergjenca civile dhe nuk mund të jetë kurrë në mëshirë të fatit. Ky plan i detajuar do të krijojë një rritje institucionale të emergjencave civile, një logjistikë ashtu sikurse i takon, me të gjitha mjetet që i duhen, në të tërë komponentët e vetë, që qytetarët kurrë të mos ndihen të vetmuar, për cilëndo qoftë ajo emergjencë civile që atyre iu bie mbi kokë.
Dhe të mos jenë kurrë të vetëm dhe të mos e shikojnë veten siç e panë edhe në këto ditë shumë të vështira të dëborës, ashtu sikurse e kanë parë në përmbytje, ashtu sikurse e kanë parë në situatat e tërmetit, ashtu sikur e kanë parë në situatat e djegieve masive në Shqipëri, kur në të gjitha rastet Edi Rama është zhdukur, sikurse është zhdukur edhe këto ditë dhe të jeni të bindur që do ta shikoni sërish kur koha të ketë hapur, kur bora të fillojë të shkrijë dhe situata do të jetë më e qetë nga ana natyrore, atëherë ky do të shfaqet dhe do të tregojë tre orë se si u përballua situata, u vetë përballua nga natyra dhe që ky do ta shesë sikur është një përballim i tij. Pra, Edi Rama në opozitë dhe Edi Rama kryeministër janë dy njerëz të ndryshëm, por është i njëjti hipokrit dhe i njëjti demagog. Një plan i ri, një mënyrë e re, një ndërtim i ri i të tërë punëve, duke filluar nga emergjencat civile, kjo është ajo që opozita do të bëjë nesër në qeverisjen e vendit për të harruar njëherë e përgjithmonë eksperiencën e neveritshme dhe të shëmtuar të Edi Ramës në pushtet. Ju faleminderit të gjithëve!