Vasili: Të anulohet votimi për teatrin. Prokuroria të fillojë hetimet

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili kërkoi nisjen e hetimeve për manipulim të votimit të se enjtes për godinën e Teatrit Kombëtar.

Në një reagim në rrjetet sociale, Vasili tha se në procesverbalin e Kuvend, në seancë figuron deputeti Vangjel Tavo, i cili në fakt ka qenë dje jashtë Shqipërisë, pra edhe me sistemin TIMS ai figuron jashtë territorit të vendit.

Duke e cilësuar si një shkelje flagrante, Vasili i bënë thirrje prokurorisë të nisë hetimet. Ndërsa kërkon nga kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, anulimin e votimit ku u miratua ligji për shembjen e teatrit.

DEKLARATA E PETRIT VASILIT:

Manipulohet votimit te ligjit për teatrin, përgjegjësi penale nga kryetari tek me i fundit.

Dje maxhoranca manipuloi votimin e ligjit per teatrin. Deputeti Vangjel Tavo qe mungonte ne seance rezulton votues.

Ky është nje manipulim banditesk dhe vjedhje votash edhe brenda salles se kuvendit nga po ata qe vodhen votat ne25 qershor.

Ky votim eshte nul dhe Kryetari i Kuvendit Ruçi duhet te deklaroje qe sot anullimin e votimit dhe perseritjen urgjente te votimit,perndryshe ai si institucion ka rene juridikisht,politikisht dhe moralisht.

Prokurorja e Përgjithshme te filloje hetimin per kete veper penale shume te rende te manipulimit te votimit parlamentar.

Tanime hajdutet e votave jane ulur kembekryq ne parlament dhe ne krye te qeverise.

Ne se prokuroria mbyll syte edhe perpara kesaj atehere cdo qendrim ndaj saj eshte plotesisht legjitim.

Deputeti Vangjel Tavo deklaron se nuk ka votuar

Deputeti i LSI, Vangjel Tavo, rezulton sipas procesverbalit të Kuvendit se ka votuar ‘pro’ ligjit që synon ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar. Projektligji kaloi në seancë pas 12 orëshl diskutimi të nxehtë me 75 vota pro.

Në një reagim për median deputeti i LSI sqaron se dje nuk ka qenë në Kuvend për arsye shëndetësore, ndërsa dikush tjetër ka votuar me kartën e tij të deputetit.

“Sapo jam informuar. Nuk kam qenë në seancë dje. Mungoja për arsye shëndetësore. Nuk e di çfarë ka ndodhur. Dikush ka votuar me kartën time, mesa duket”– tha Tavo.

Karta e çdo deputeti ndodhet në tavolinën e tij në Kuvend dhe në jo pak raste deputetë të ndryshëm i përdorin për të votuar.

 

SHKARKO APP