“Vazhdon rruga e projekteve të paqes”, Rama “krahu i djathtë” i Merkel (reagimet në Fb)

Kryeministri Edi Rama ka folur pas takimit në samitin e Ballkanit Perëndimor mbi projektet e përbashkëta edhe me Serbinë, teksa shpjegon në profilin e tij “Facebook” rëndësinë e këtij Samiti. Rama qëndron në fotot e rastit pranë kancelares gjermane Angela Merkel, dhe flet mbi rezultatet e këtij takimi:  

“Procesi i Berlinit në Vienë bëri një bilanc të plotë të arritjeve politike dhe të punës intensive njëvjeçare për të përcaktuar projektet rajonale dhe prioritetet e zhvillimit të tyre.”

“Korridori i Kaltër ose ndryshe autostrada Adriatiko – Joniane si edhe autostrada Nish – Prishtinë – Durrës do te nisin nga puna me projektet në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim; një arritje e bukur e përpjekjes sonë që Shqipëria e shqiptarët të fillojnë të marrin frytet e merituara në këtë proces. Po ashtu u sigurua financimi për linjën e interkonjeksionit me Maqedoninë që së bashku me linjën e intekonjeksionit me Kosovën, zhvillojnë në drejtimin e duhur sistemin tonë elektro-energjitik.”

“Gjithashtu u mbështetën plotësisht dy propozimet tona strategjike lidhur me Unionin Ekonomik, për të cilin do të nisim bashkarisht punën bashkë me Serbinë për të rrëzuar të gjitha barrierat tarifore e burokratike që pengojnë krijimin e një zone të përbashkët tregtare në Ballkan, si edhe do të punojmë po së bashku me Serbinë për të themeluar Bankën Rajonale të Zhvillimit me mbështetjen teknike të Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim; në të dyja këto nisma do të synojmë gjatë këtij viti përfshirjen në proces të të gjitha palëve.”

“Po ashtu, çelëm një dialog shumë të dobishëm me palën gjermane për të siguruar bashkëpunimin në zgjerimin e forcimin e rrjetit të shkollave profesionale në Shqipëri si edhe punësimin e rregullt të të rinjve shqiptarë në Gjermani.”

“Këto e të tjera rezultate të këtij procesi përbëjnë një arsye të fortë për t'u ndjerë shumë të inkurajuar në përpjekjen tonë serioze për rritjen e ekonomisë e të mirëqenies së vendit po edhe të rajonit tonë,” – thekson kryeministri Edi Rama, i cili nuk harron të kujtojë në fund moton me të cilën u paraqit PS në zgjedhjet e fundit, “‎Drejtim i Duhur”.

Megjithatë, më tepër se ana ekonomike dhe e rëndësia e projekteve dhe takimeve, mbështetësve të kryeministrit në profilin Fadcebook, ku edhe ka lëshuar mesazhin e fundit pas Samitit në Vjenë, u ka bërë përshtypje qëndrimi i kancelares Angela Merkel pranë tij.

Besart Nectarios Bako Ama “Merkeli sa herë të takon nuk i heq sytë nga ty. Mba ndonjë hurdhër me vete!,” e këshillon Besart Bako.

Margen Madhi thotë se Merkel “duket si një vajzë adoleshente që po i pikojnë sytë…”

Jankaj Petraq shton se “Shpresojmë të  vijnë vite të mbara për Ballkanin se ka qenë gjithmonë vatër lufte,” – duke qenë ndër të paktën që ka qëndruar  në temë.  

Elinor Eli Hasani ka bërë një lidhje tjetër mbi foton. “Ka filluar Luli (Basha) t’u qajt se thotë a kam shanse me e ba këtë foto edhe unë por mbas 12 viteve nëse është kancelare Merkeli atëherë ndoshta.”

Kayser Soser, i shkruan kryeministrit:  “Lider i Ballkanit. Bukur! Le të  plasin këta zhurmuesit e Salës që i kanë vënë për të bëre miza këtu në  fb. Fotoja flet vetë! Salën as ne stallat e kuajve nuk e qas Europa!”

E kështu, takimi i fundit i kryeministrit Edi Rama me kancelarin Angela Merkel është  parë nga njerëzit e thjeshtë në këndvështrime të ndryshme.  

SHKARKO APP