Vdes në moshën 91-vjeçare, Mihail Gorbaçov, njeriu që ndryshoi historinë. Ai i dha fund Luftës së Ftohtë SHBA-Bashkimi Sovjetik

Mihail Gorbaçovi, i cili i dha fund Luftës së Ftohtë pa gjakderdhje, por që nuk arriti të parandalojë shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, vdiq të martën në moshën 91-vjeçare, njoftuan agjensitë ruse të lajmeve duke cituar zyrtarët e spitalit.

Zoti Gorbaçov, presidenti i fundit sovjetik, arriti marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për pakësimin e armëve, si dhe partneritete me fuqitë perëndimore për të hequr Perden e Hekurt që kishte ndarë Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore, si dhe për të mundësuar ribashkimin e Gjermanisë.

Kur protestat pro-demokracisë përfshinë vendet e bllokut sovjetik të Evropës Lindore komuniste në vitin 1989, ai tregoi vetëpërmbajtje duke mos përdorur forcën – ndryshe nga udhëheqësit e mëparshëm të Kremlinit që kishin dërguar tanke për të shtypur kryengritjet në Hungari në 1956 dhe Çekosllovaki në 1968.

Por protestat nxitën aspiratat për autonomi në 15 republikat e Bashkimit Sovjetik, që u shpërbë në mënyrë kaotike gjatë dy viteve në vazhdim.

Zoti Gorbaçov u përpoq pa sukses për ta parandaluar kolapsin.

Pasi u bë sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike në vitin 1985, kur ishte vetëm 54 vjeç, ai vendosi ta rigjallëronte sistemin duke lejuar liri të kufizuara politike dhe ekonomike, por reformat e tij dolën jashtë kontrollit.

Politika e tij ‘glasnost’ – liria e fjalës – lejoi kritika të paimagjinueshme më parë ndaj partisë dhe shtetit, por gjithashtu inkurajoi nacionalistët që filluan të bëjnë presion për pavarësi në republikat balltike të Letonisë, Lituanisë, Estonisë dhe vende të tjera.

Shumë rusë nuk e falën kurrë Gorbaçovin për trazirat që shkaktuan reformat e tij, duke e konsideruar rënien e mëvonshme të standardeve të tyre të jetesës si një çmim shumë i lartë për t’u paguar për demokracinë.

Pasi vizitoi Gorbaçovin në spital më 30 qershor, ekonomisti liberal Ruslan Grinberg i tha gazetës së forcave të armatosura “Zvezda”: “Ai na dha të gjithëve lirinë, por ne nuk dimë çfarë të bëjmë me të”./VOA/

Koment i radios gjermane DW:

Në atdheun e tij jo fort i dashur, në Gjermani i shumëvlerësuar. Në moshën 91 vjeçare u nda nga jeta ish-presidenti sovjetik, Mihail Gorbaçov, sipas të dhënave të agjencisë ruse të lajmeve.

Mihail Gorbaçov ka karakterizuar zhvillimet politike të shekullit të 20-të. Rëndësia e tij e madhe historike është e padiskutueshme. Veçanërisht gjermanët e vlerësojnë nobelistin e paqes 1990 duke e konsideruar si një ndër etërit e ribashkimit të Gjermanisë.

Mihael Gorbaçovin e vlerësojnë dhe nderojnë pa pamasë në Gjermani për meritat që ai ka dhe rolin që ka luajtur në ribashkimin e Gjermanisë. Mihael Gorbaçov ishte i pari kryetar shteti që vizitoi Gjermaninë pas ribashkimit. Në nëntor 1990 në Bon u nënshkrua marrëveshja për fqinjësinë e mirë, partneritetin dhe bashkëpunimin, kjo ishte e para marrëveshje ndërkombëtare në Gjermaninë e ribashkuar.

I vlerësuar në Perëndim, i lënë në hije në atdhe

Bashkimi i Gjermanisë i fiksuar në 12 shtator 1990 në të ashtuquajturën marrëveshje dy-plus-katër u nënshkrua në Moskë nga ministrat e jashtëm të RFGJ dhe RDGJ si dhe të katër fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore – BRSS, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca. Dokumenti me shtatë faqe “mbi rregulloren përfundimtare në lidhje me Gjermaninë” i dha fund ndarjes së Gjermanisë pas më shumë se 40 vjetësh.

Por ka dhe një notë tragjike, që Mihail Gorbaçovi nuk ka përjetuar të njëjtin vlerësim në atdheun e tij. Trashëgimia politike e kreut të fundit të shtetit sovjetik, Mihail Gorbaçov, është kritikuar vazhdimisht në Rusi.

Jeta dhe ngjitja në karrierë

Michail Sergejeviç Gorbaçov lindi më 2 mars 1931 në rajonin e Kaukazit Verior, sot Stavropol si biri i një rusi dhe një ukrainasje (Sergei Andrejeviç Gorbaçov dhe Marija Pantelejevna Gopkalo). Prindërit e tij ishin bujq në një kolkoz në Privolnoje. Në moshën 21 vjeçare më 1954 Gorbaçovi hyri në partinë komuniste të BRSS duke vepruar për 22 vjet në rajonin e tij Stavropol. Në moshën 35 vjeçare ai mbaroi studimet në fushën e ekonomisë agrare në Institutin Bujqësor. Ai bëri karrierë në radhët e partisë duke u ngjitur deri në Byronë Politike, ku në vitin 1980 u bë anëtar me të drejta të plota i saj. Gjatë veprimtarisë së tij në byronë politike Gorbaçovi u njoh me shefin e KGB-së Juri Andropov, i cili vinte gjithashtu nga Stavropoli dhe në vitet pasuese e mbështeti atë në karrierën e tij në aparatin partiak.

Më 11 mars 1985, ditën pas vdekjes së ish-sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Konstantin Çernienko, në moshën 54 vjeçare Gorbaçovi u zgjodh sekretar i përgjithshëm i partisë komuniste. Ai nisi shumë shpejt kursin e reformave dhe u distancua prej gabimeve të partisë që nga koha e Stalinit dhe krimet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me ngjitjen e tij në krye të Sovjetit Suprem më 1988 u distancua  qartazi edhe nga doktrina e Brezhnjevit. Me zgjedhjen president i BRSS më 14 mars 1990 Gorbaçovi iu përmbajt kursit të reformave për liberalizim duke i hapur kështu rrugën ndryshimeve në BSSR e gjithashtu edhe ndryshimeve në të gjithë bllokun lindor. Ai u tërhoq nga posti i presidentit të Bashkimit Sovjetik më 1991. Pas kthesës në vitin 1992 ai themeloi fondacionin e tij Gorbaçov.

Me fjalimin e tij të lamtumirës nga politika në Rusi Gorbaçovi e humbi peshën politike. Si kandidat në zgjedhjet presidenciale në vitin 1996 ai nuk mori as 0,5 përqind të votave. Ndërsa në Perëndim edhe pas tërheqjes nga politika ai ka qenë i preferuar dhe i vlerësuar. Mbetet të shpresohet që një ditë edhe në Rusi figura e Gorbaçovit do të përjetojë një kujtim më të mirë. Sidoqoftë në librat gjermanë të historisë ai do të zerë gjithmonë një vend të rëndësishëm.

 

SHKARKO APP