Veliaj: “Festa e Pezës do të zgjasë tre ditë, promovojmë agroturizmin. Po riparojmë Varrezat e Dëshmorëve”
Këtë vit, Festa e Pezës do të shërbejë si një mundësi e mirë jo vetëm për promovimin e burimeve turistike të kësaj zone, por edhe produkteve bujqësore, blegtorale apo edhe të agroturizmit. Bashkia e Tiranës ka vendosur që Festën e Pezës ta shfrytëzojë si një mundësi për të reklamuar potencialet e zonës, por nga ana tjetër ajo ka nisur punën intensive për riparimin e Varrezave të Dëshmorëve, lapidarit dhe shtëpive muze. Këtë e ka njoftuar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë ceremonisë së prezantimit të administratorit të njësisë Pezë, Besmir Kola, i cili u shpreh se ndryshe nga më parë, këtë vit festa e Pezës do të zgjasë për tre ditë.
Kryebashkiaku Veliaj tha se u ka kërkuar ndërmarrjeve të bashkisë dhe administratorit që të ndjekin punimet për riparimin e varrezave dhe objekteve të tjera muze, në mënyrë që Peza të jetë gati për të pritur edhe festat e nëntorit. “Një komb që harron historinë e tij është i destinuar të përsërisë gabimet e së kaluarës. Ata njerëz që dhanë jetën në një kohë të vështirë për Shqipërinë ishin baballarët e gjyshërit e dikujt, ishin gjaku i këtij vendi. Ndaj, besoj se kësaj here duhet të sjellim një standard të ri për mënyrën se si trajtohen festat dhe ditët e shënuara kombëtare”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Sipas tij, festa e Pezës do të shërbejë edhe si një provë për organizimin e festave të 28-29 nëntorit. “Për respekt të këtyre shqiptarëve të mirë, që sot nuk janë më sepse dhanë jetën për këtë kauzë, besoj se festa e Pezës dhe të gjitha ceremonitë duhet të jenë në një standard të ri, për mënyrën se si menaxhojmë të gjitha pikat përkujtimore, për t’u siguruar se nuk jemi një komb pa memorie apo njerëz të ardhur nga hiçi”, u shpreh Veliaj.
Mandej, kryetari i bashkisë së Tiranës tha se Peza është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse është një ikonë historike, një potencial ekonomik dhe bujqësor për Tiranën e madhe. “Ndaj kemi vendosur që këtë herë festën e Pezës të mos e festojmë vetëm në një ditë, në datën 16 shtator, por do të kemi tre ditë të plota me aktivitete, si për shembull një treg fermerësh, shitje të produkteve bujqësore, promovimin e produkteve të zonës, si dhe do të ftojmë njerëz nga Tirana që të vijnë të njohin edhe këtë pjesë të Pezës”, tha Veliaj.
Gjithashtu, ai bëri të ditur se këto ditë shërbejnë edhe si mundësi për të organizuar sa më shumë aktivitete për të rinjtë dhe për të patur sa më shumë muzikë. “Kësaj here Peza do të kthehet në kopshtin e Tiranës, qoftë si një mënyrë për t’u çlodhur, qoftë për t’u njohur me agroturizmin”, shtoi Veliaj.
Duke u ndalur te punët publike, Veliaj tha se u ka kërkuar drejtuesve të njësisë të mendojnë që tani për projektet për Pezën. “Sigurisht, kemi një situatë shumë të vështirë me buxhetin në Bashkinë e Tiranës, një borxh për rreth 3o milionë dollarësh, por kjo nuk është arsye për të mos i bërë gjërat”, tha Veliaj. Për këtë, kryetari i Bashkisë ka vlerësuar si shumë të rëndësishme rakordimin me komunitetin për të vendosur së bashku se cilat janë ato investime që janë më jetike dhe që duhet t’u jepet prioritet.
Ndërkohë, duke përmendur aksionin për pastrimin e qytetit, më shumë sesa një problem që vjen nga pamundësia ekonomike dhe financiare, e ka konsideruar atë një problem që ka të bëje me ndërgjegjësimin e qytetarëve. Veliaj tha se bashkia do të zbatojë një standard në të gjitha njësitë e saj administrative.