Erion Veliaj: Gjyqtarët që bllokojnë punën dhe progresin e qytetit nuk e kanë të gjatë në drejtësi!
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ka bërë thirrje të gjyqtarëve, që sipas tij përpiqen të bllokojnë punën e Bashkisë së kryeqytetit, për të çliruar varrezat e Sharrës nga zaptuesit se s’do ta kenë të gjatë në detyrë. Veliaj paralajmëroi denoncim për këdo që po mundohet të bllokojë atë që ai e quan progresin e Tiranës.
“Ndjehem shumë i keqardhur që ka ende gjyqtarë, në pritje të Vettingut, që bllokojnë Bashkinë e Tiranës të çlirojë varrezat e “Sharrës”, dhe kur shikoj gjyqtarë të Gjykatës Administrative, që japin urdhra bllokimi kundër punës së bashkisë.
Flitet për varrezat e vjetra që janë zaptuar duke ndërtuar mbi to shtëpi, të cilat bashkia ka 7 vjet që kërkon t’i largojë por gjykata thotë “jo”. Varrezat janë për të respektuar të parët tanë që nuk jetojnë më. Kurse në vitin 2022 kemi vendime gjykatash që bllokojnë bashkinë nga çlirimi i varrezave.
Gjyqtarit nuk dua t’ia them emrin, por heshtja ime nuk do të zgjasë shumë. Në varreza do të përfundojmë të gjithë një ditë, por do të jetë për turpin e këtij gjyqtari që bllokon punën që bashkia të çlirojë varrezat.
Këta i rrjepin njerëzit përkohësisht, derisa t’ju vijë Vettingu, por këta nuk do të vazhdojnë më në drejtësi sepse unë do të jem i pari që do të denoncoj një gjyqtar që bllokon çlirimin e varrezave, çlirimin e Liqenit, çlirimin e Liqenit të Thatë nga zaptimet m’u në mes ose në buzë të ujit. Vërtet na vonojnë punën, por nuk mund të na vonojnë pafundësisht. Qyteti do të vazhdojë të ecë përpara”, përfundoi Veliaj.
Më tej, ai nënvizoi se askush nuk mund ta ndalojë zhvillimin dhe progresin e qytetit të Tiranës. E rëndësishme, sipas Veliajt, është që të mbahen premtimet dhe të ecet përpara me punë.