Veliaj inspekton mjediset e reja të Kolegjit të Europës dhe konviktet për studentët: Hapësira me standarde europiane
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet në mjediset e reja të godinës “Liria” në Qytetin Studenti, ku do të funksionojë përkohësisht Kolegji i Europës, si dhe vizitoi konviktin e transformuar, me kushte bashkëkohore, për studentët.
“Jam entuziast që Bashkia e Tiranës ka qenë një partner lokal për Kolegjin e Europës dhe rektorja Mogherini e ka pasur me shumë merak, që të jemi në afat, dhe besoj se jemi në afat. Kemi bërë një kolegj me standarde të BE-së në kohë rekord. Sigurisht, kjo është një seli e përkohshme e kolegjit, përpara se të vijë ndërtesa ultramoderne, për të cilën edhe Kryeministri, gjithë qeveria, po mobilizohet për ta përgatitur. Por, besoj se 2-3 vitet e para do operojmë këtu”, u shpeh Veliaj.
Kryebashkiaku tha se ndihet krenar dhe mezi pret që tre studentët shqiptarë të Kolegjit të Europës, të cilët kanë marrë bursa nga Bashkia e Tiranës, të jenë diplomatë të ardhshëm dhe ta çojnë sa më lart Shqipërinë.
“Më vjen mirë që kontributi i Bashkisë së Tiranës janë edhe tre bursat për tre studentë shqiptarë, të cilët i mbajmë më afër zemrës sonë, se e dimë që do jetë një investim, jo një shpenzim. Ne kemi investuar në tre talente, të cilët me gjasë do të jenë diplomatë të ardhshëm dhe do të çojnë lart Shqipërinë, në këtë ambicie të jashtëzakonshme, duke ngritur flamurin, siç e ngritëm në Paris, por për ta ngritur tani në një tjetër komunitet, atë të Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.
Veliaj iu bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që t’u ofrojnë të njëjtën mikpritjen edhe studentëve të Kolegjit të Europës, nga 21 shtete të ndryshme, që do të vijnë në Shqipëri.
KOHA JONË SONDAZH

