Veliaj: Mbi 1,7 milionë turistë të huaj, vetëm për tre muajt e parë të vitit 2024
Nuk është fare e vështirë për të kuptuar se sa shumë të huaj vizitojnë vendin tonë, mjafton të shëtisësh në çfarëdo orë të ditës, në qytetet kryesore të vendit, në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë, etj. dhe të shohësh grupe turistësh apo dy-tre që shfletojnë harta orientuse, apo duke pyetur kalimtarët për një destinacion që nuk e gjejnë dot me aplikacionet e celularit apo hartat që kanë.
Ata janë të shumtë, siç është impresionues fakti se si vendi ynë në kaq pak kohë jo vetëm të dalë nga lista e zezë e vendeve me probleme siguri, por është renditur në vendin më të preferuar të Evropës. Janë distrobutorë dhe media prestigjoze botërore që e kanë propozuar dhe promovuar Shqipërinë si një mundësi befasuese për aventurë dhe pushime, shërbim dhe kulinari të veçantë, natyrë të virgjër dhe njerëz të dashur.
Është ky trend, kjo qasje, kjo dinamikë zhvillimesh, objekt i një trajtimi që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka bërë përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Mbi 1,7 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, duke vendosur një rekord të ri për industrinë tonë të re të mikpritjeje.
734 mijë vizitorë e shijuan Shqipërinë gjatë muajit mars, ose 91% më shumë se marsi i vitit të shkuar, duke shënjuar në shifra një progres të madh, të cilit duhet t’i përgjigjemi me standarde gjithnjë e më të larta mikpritjeje, duke bashkuar forcat për shërbime publike e private të nivelit më të mirë”, shkruan Veliaj.