Veliaj për arrestimin e Belerit: Raste të tilla lidhen gjithmonë me PD dhe LSI

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dënuar aktin e shitblejes së votës nga ana e kandidatit të dyshes Berisha-Meta në Himarë. Në një intervistë për Top News, Veliaj tha se qartazi sa herë ka histori me shitblerje votash, lidhet gjithmonë me PD-në ose me LSI-në.

“E kam ndjekur lajmin në qytetin e Himarës, siç kam ndjekur edhe lajmin te Fresku, ku ishin zyrtarët e ish LSI-së ata që po merreshin me këtë punë. Unë kam përshtypjen se automatikisht, sa herë dëgjon raste të tilla, ti e di gjithmonë që lidhet o me PD-në, o me LSI-në. Pyetja për shumë njerez, ndoshta naïve, është: “Si nuk u mbarojnë paratë? Kanë kaq vite në opozitë dhe vazhdojnë e blejnë vota?! Qartazi mendojnë se mbështetja publike, dashuria e popullit blihet dhe nuk e kuptojnë se ndoshta, për të qenë një forcë e besueshme duhet të punosh, të tregosh se ke disa rezultate. Tirana ka treguar se i shpërblen ata që punojnë, i shpërblen ata që thonë të vërtetën”, deklaroi Veliaj.

Veliaj, që është dhe drejtues politik i qarkut, u shpreh se akoma më e rëndë është shitblerja e kombit, duke bërë deklarata për helenizim të tokave shqiptare. “Në qoftë se i referohemi rastit të Himarës, dua të theksoj diçka, që ajo që është e rëndë në Himarë nuk është shitblerja e votës, sepse është po aq e rëndë ajo e Himarës me këtë të Freskut, apo raste të tjera, ku kemi pasur fenomene të tilla. Gjëja më e rëndë është që personi që angazhohet, ka bërë akte, për mendimin tim, akoma dhe më të dënueshme, edhe pse shitblerja e votës është absolutisht e dënueshme dhe duhet të mbajë përgjegjësi secili, por akt akoma dhe më i dënueshëm është shitblerja e kombit, shitblerja e vendit, fakti që ti thua që një tokë shqiptare do ta helenizosh, apo do bësh gjëra të kësaj natyre. Ndaj në kategorinë e shitblerjeve, në kategorinë e krimeve, jo çdo krim është në të njëjtin nivel. Krimi i shitblerjes së vendit është më i rëndë sesa vetëm i votës. Ndaj, unë besoj se gjëja më e rëndë në pyetjen e parë që ju bëtë, nuk është shitblerja e votës, është shitblerja e atdheut”, theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

SHKARKO APP