Vërtet prisni që Arta Marku të hetojë skandalin korruptiv të tenderit të Unazës së Madhe?!
Nga Oerd Bylykbashi
Dashuri e PËRKOHSHME në kohërat e Protestës!
Vërtet prisni që Arta Marku të hetojë skandalin korruptiv të tenderit të Unazës së Madhe?! Po ajo sonte po feston.
Arta Marku edhe pak ditë mbush një vjeçe si Prokurore e Përgjithshme e PËRKOHSHME. E të mendosh që miqtë e saj deputetë socialistë që e vunë aty ku është sot, thanë që vetëm dy muaj do të qëndronte në detyrë.
Shpejt ajo do të zëvendësohet, sepse e kreu detyrën e saj të PËRKOHSHME: shkarkoi dhe transferoi prokurorët që nuk i duheshin Ramës dhe vuri ata që i duheshin atij, bllokoi dosjet dhe prishi hetimet që i digjnin Kryeministrit. Urdhëroi prokurorët që të marrin pjesë në mbledhjen për zgjedhjen e KLP pasi i kërcënoi për një vit me transferime dhe dosjet e vetingut.
Për të gjitha shërbimet që ka kryer në një vit, Edi Rama sot i gjeti një punë edhe për një vit. Arta Marku u emërua sot pa short, në kundërshtim me ligjin në Këshillin e PËRKOHSHËM të Emërimeve në Drejtësi. E kam seriozisht, edhe këtu e PËRKOHSHME është. Ligji parashikon short mes kandidatëve. Por Arta Marku përjashtoi gjithë prokurorët e tjerë dhe vuri vetëm veten e saj dhe kështu nuk u hodh short, por ajo u emërua direkt nga Gramoz Ruçi.
Në këtë KED e Përkohshme, Arta Marku do të përfaqesojë Prokurorinë e Përgjithshme. Por kur sipas Kushtetutës të largohet prej atij posti, do të kthehet prokurore rrethi. Pra në kundërshtim me ligjin, një prokurore rrethi do të përfaqësojë Prokurorinë e Përgjithshme. Ky palaçollëk është vetëm një adulterizëm i turpshëm ligjor!
Çdo marrëdhënie, apo dashuri e jashtëligjshme, e përkohshme është. Ndërkohë, Arta mban në dorë një luledele dhe bën llogaritë: do më mbajë… nuk do më mbajë…
Dhe ju prisni që Arta të hetojë Edi Ramën! Ajo ka luledelen e saj.
KOHA JONË SONDAZH

