Vetingu, Majko Gjykatës Kushtetuese: Tërhiqnin masën e pezullimit të ligjit
Gjykata Kushtetuese ka nisur shqyrtimin e ligjit të vettingut i ankimuar nga Partia Demokratike.
I pranishëm në seancë është edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu. Siç duket edhe nga fotot e siguruara ekskluzivisht nga Shqiptarja.com, Lu ndodhet në seancën e Kushtetueses ku po shqyrtohet ligji i shumëdebatuar.
Partia Demokratike ka kërkuar shfuqizimin e vettingut, duke pretentuar se ai shkel Kushtetutën.
Demokratët përfaqësohen nga deputeti Oerd Bylykbashi si dhe ekspertët ligjorë Gazmend Bardhi dhe Ivi Kaso.
Ndërsa PS përfaqësohet nga tre deputetët Pandeli Majko, Vasilika Hysi si dhe kryetari i komisionit të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj.
Gjykata Kushtetuese ka bërë palë edhe Unionin e Gjyqtarëve, të cilët, ashtu si PD, kanë ankimuar vettingun në Kushtetuese, të cilët përfaqësohen në seancë nga kreu i UGJSH, Gerd Hoxha.
Deputeti socialist, Pandeli Majko u shpreh se, “Kuvendi, para se të parashtroje pretendimin e saj kërkon tërheqjen e masës së pezullimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese”. Në çfarë motivesh është bazuar Gjykata Kushtetuese që ka pezulluar ligjin? Një standard i gjykatës që nuk gjendet në ligj“, u shpreh Majko. Ai theksoi se qëndrimi i Kushtetueses është ndërhyrje ekstreme në vullnetin e ligjvënësve. “Vendimi i Kushtetueses është ndërhyrje ekstreme në vullnetin e ligjvënësit, rrezikon këtë institucion pasi nuk evidentohet asnjë efekt negativ i ligjit. Pse nuk ka marrë për baze gjykata parimin e proporcionalitetit? Gjykata nuk marrë në konsiderate asnjë nga 4 kushtet bazë për pezullimin e ligjit, kërkojmë shfuqizimin e këtij vendimi”, tha Majko.
Kundër kërkesës së Kuvendi u rendit kreu i Unionit të Gjyqtarëve shqiptarë, Gerd Hoxha.
“Jemi kundër kërkesës së Kuvendit për heqjen e masës së pezullimit të ligjit. Ligji është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën“, tha Hoxha.
Në koherencë të plotë me Unionin e Gjyqtarëve janë demokratët.
“Ne jemi kundër kërkesë së Kuvendit pasi bie ndesh me Kushtetutën. Vendimi i Gjykatës nuk mund të vihet në dyshim nga askush por respektohet dhe bazohet. Vetë Kuvendi pranon që situata në legjislacion vendimi për pezullim nuk publikohet menjëherë por kur mbyllet shqyrtimi”, tha eksperti ligjor i PD, Gazmend Bardhi.
Ndërkohë, Kushtetuesja nuk do të marrë vendim sot për kërkesën e demokratëve. Seanca e sotme është paraprake për të dëgjuar pretendimet e palëve.
Gjykata Kushtetuese do të vendosë për fatet e vettingut, pas marrjes së opinionit të Komisionit të Venecias, lidhur me çështjen nëse Kushtetuesja ka tagër për të shqyrtuar këtë ligj apo jo. Proceduralisht, Venecia pritet të kthejë përgjigje pas 2 muajsh.




/shqiptarja.com
KOHA JONË SONDAZH

