“Vetting pas zgjedhjeve”, Basha i përgjigjet Ramës: Dëshmove se reformën e do vetëm për pazare

Ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të enjte se Vettingu mund të votohet edhe nga Parlamenti i ri që do të krijohet pas zgjedhjeve të 18 qershorit, lideri i opozitës Lulzim Basha këmbëngul edhe një herë se vota për procesin më të rëndësishëm të reformës në drejtësi, do të vijë përmes parlamentit të krijuar nga zgjedhjet e lira që sipas tij mund t’i garantojë vetëm një qeveri teknike.

Për herë të parë kryeministri Edi Rama bëri këtë të enjte nga foltorja e Parlamentit, një deklaratë që u duk si një tërheqje nga kërkesa e tij e përsëritur: Vettingun mund ta votojmë edhe pas zgjedhjeve. Në fakt, arsyeja e vetme që kreu i qeverisë i kishte dhënë ekzistencës së çadrës së protestës së PD-së, ishte frika e demokratëve nga Vettingu, procesi që do të bëjë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por sipas kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, kjo deklaratë e Ramës tregon se qeveria ka luajtur me reformën në drejtësi për t’i bërë shantazh opozitës, dhe se e gjitha është thjesht çështje imazhi për kreun e qeverisë.

“Sot Kryeministri në ikje na propozoi të gjejmë një kompromis me shtyrjen e vettingut. Kjo është një tjetër dëshmi se për Edi Ramën drejtësia dhe reforma në drejtësi kanë qenë dhe mbeten vetëm një mjet pazaresh, shantazhi dhe imazhi. Kurse për ne drejtësia është themeli që garanton lirinë dhe demokracinë, mbi të cilin do të ngrihet shteti modern shqiptar”, u shpreh Basha.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në një status në rrjetin social Facebook, lideri i opozitës shkruan se demokratët do ta votojnë vettingun vetëm pas rrëzimit të qeverisë aktuale, dhe krijimit të një qeverie teknike pa Ramën kryeministër. Një qeveri që sipas Bashës do t’i hapë rrugë mbajtjes për herë të parë në Shqipëri, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Ne jemi për vetingun, më 21 korrik votuam vettingun dhe do ta çojmë deri në fund vetingun. Ne kemi refuzuar vetingun e Edi Ramës sepse duam një veting të vërtetë, të pakapur nga politika dhe të paanshëm. Menjëherë pas formimit të qeverisë që do të garantojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ne jemi të gatshëm të votojmë ligjin për zbatimin e vettingut sipas frymës dhe përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut”, shkruan kreu i PD-së.

Reforma në drejtësi votuar nga parlamenti i ri i krijuar nga zgjedhjet e zhvilluara nga qeveria teknike, sipas Bashës do të përballë me ligjin edhe përfaqësues të pushtetit aktual që siç thotë ai, janë të lidhur me drogën, krimin dhe korrupsionin.

“Krimi qeveritar do të përballet me drejtësinë e pavarur, ata që e kthyen Shqipërinë në republikë të drogës dhe korrupsionit do të përballen me drejtësinë e vërtetë. Mbi të gjitha, zgjedhjet e lira do të hapin rrugën për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe një demokracie perëndimore në Shqipëri. Liria, drejtësia dhe kontrolli mbi pushtetin do të jenë themeli i Republikës së Re”, – përfundoi Basha.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj prej mëse dy muajsh ndodhen në protestë në çadrën e vendosur mes kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit, ku kanë bojkotuar parlamentin dhe kanë marrë vendimin për të mos marrë pjesë në zgjedhje pa u krijuar më parë qeveri teknike.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?