Vettingu, ambasadori italian: Zbatimi, shtysë për integrimin
Nga Shkodra, ku ishte i pranishëm në një takim për arsimin profesional, Ambasadori i Italisë Alberto Cutillo e quajti përgjigjen e Komisionit të Venecias për ligjin e vettingut si shtysë për vazhdimin e mëtejshëm të procesit të Integrimit Evropian.
Kurse arsimin profesional, ambasadori e cilëson pikë lidhje mes bizneseve shqiptare dhe italiane.
“Përgjigjia e dhënë nga komisioni i Venecias për ligjin e vettingut shpresoj të jetë një shtysë e mëtejshme për të vazhduar më tej procesin e integrimit. Intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike mes firmave shqiptare dhe atyre italiane është një tjetër objektiv me rëndësi. Arsimi profesional është një mundësi për ta realizuar këtë përmes të rinjve”, u shpreh Alberto Cutillo.
Pak muaj pasi u prezantua dega e mekatronikës në shkollën profesionale “Arben Broci” në Shkodër, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, Ambasadori Cutillo dhe drejtuesit vendorë inaguruan laboratorin e ri në këtë shkollë.
Paralelisht u lidh marrëveshja me 24 biznese, ku 110 nxënës do të jenë përfitues të praktikës mësimore për 6 muaj.
“Ne mund të konsiderojmë se po lind një inkubator i ri i një brezi të ri që di të punojë me punë të denjë. Shpresoj shumë që të gjithë këto investime të mos jenë investime që vetëm ngushtësohen në tulla apo pajisje, por të jenë investime që transformojnë një gjeneratë të tërë”, u shpreh ministri Blendi Klosi.
Dega e mekatronikës përgatit teknikë në mekanikë, pneumatikë dhe sistemet e kontrollit elektronik, programimin dhe sistemet e zhvillimit.
KOHA JONË SONDAZH

