Video editorial i “Koha Jonë”: Kompetenti i Surrelit nuk njeh Kushtetutën
Presidenti Ilir Meta kërkoi sot në rrugë zyrtare informacione nga qeveria, Kuvendi dhe Ministria e Shëndetësisë për pandeminë e koronavirusit. Kreu i shtetit sugjeronte marrjen e masave të reja dhe bashkëpunim institucional për fazën e re kritike ku ndodhet vendi. Kësaj kërkesë zyrtare, Kryeministri Edi Rama ju përgjigj me një gjuhë që nuk ka lidhje me shtetin dhe as me etiken normale qytetare. “Ilir ti s’ke asnjë kompetencë të fusësh hundët në punët e ekspertëve për menaxhimin e situatës mjekësore!”,- shkruan ndër të tjera kryeministri në një postim në Twitter. Reagimi i kreut të qeverisë është pak të thuhet se është i papërshtatshëm. Nga ana etike, është një gjuhë mejhanesh dhe arrogance prej cubash lagje dhe duket se nuk ka lidhje me kreun e qeverisë apo njeriun që ka marrë përsipër drejtimin e vendit. Etika e komunikimit ka arritur nivelin zero dhe kur një kryeministër flet kështu, deklaratat e Spiropalit dhe deputetëve të tjerë njerëzve kanë filluar u duken në nivel më të lartë se ato të kreut të qeverisë. Postimi i sotëm i Edi Ramës kundër kreut të shtetit, tregon se vet numri një i qeverisë është frymëzuesi i rrugaçërisë politike dhe i komunikimit vulgar dhe anti institucional.
Por e lemë pjesën emocionale të kryeministrit dhe le të shohim gafat ligjore që ka bërë në një deklaratë. Presidenti “nuk futi hundët” të komiteti i Ekspertëve, por kërkoi informacion nga Edi Rama, Kuvendi dhe Ministria e Shëndetësisë. Kaq gjë ja jap të dejtë Kushtetuta dhe nuk ka nevojë për leje apo mirëkuptim nga Edi Rama. Letra zyrtare e kreut të shtetit as u drejtohet mjekëve dhe as u mëson ekspertëve si të bëjnë punën dhe sigurisht nuk ndërhyn në praktikat profesionale. Por kjo nuk do të thotë se kreu i shtetit nuk mund të kërkojë nga qeveria se çfarë plani ka për përballimin e pandemisë dhe parandalimin e vdekjes së qytetarëve shqiptarë. Politikat kombëtare për pandeminë do apo nuk do Edi Rama janë në dorë të qeverisë dhe përgjegjësinë për jetët e humbura dhe kolapsin ekonomik e ka ai në dorë. Në bazë të Kushtetutës dhe të drejtës për informim, Presidenti ka të drejtë të kërkoj sqarime për çfarë po ndodhë në vend. Nuk është as tekë dhe as nismë me prapavijë politike. Presidenti është dhe Kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, institucion që qëndron mbi gjithë të tjerët kur bie fjala në çështje që lidhen me qytetarët. Neni 93 i Kushtetutës, si pjesë e kompetencave të tij, “kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre”. Pra, Presidenti nuk ka bërë asgjë më shumë sesa ka kërkuar informacion për një çështje që ka të bëjë me jetën e qytetarëve. Me reagimin e tij, kryeministri Edi Rama tregoi se jo vetëm nuk njeh Kushtetutën, por e trajton pandeminë si një çështje që ka të bëjë me partinë e tij.
Në reagimin banal dhe anti institucional, kryeministri thotë se janë ekspertët atë që marrin vendime. Ky është një mashtrim me të cilin qytetarët po gënjehen prej një viti. Po, në Ministrinë e Shëndetësisë ka mjekë dhe ekspertë të shkëlqyer që po sakrifikojnë çdo gjë për mposhtjen e pandemisë, por vendimet i merr Kompetenti që është kryeministër. Eksperimentet e periudhës së marsit dhe qershorit nuk u bënë nga mjekët, por nga kompetenti kryeministër. Debati idiot që maskat nuk mbahen, pastaj duhen mbajtur dhe çështja e gjobave është vendim sërish i kompetentit. Logjika pa asnjë analizë për menaxhimin e pandemisë nuk është e ekspertëve, por sërish e kompetentit.
Nëse ekspertët do të kishin pasur dorë të lirë në vendimmarrje, situata me pandeminë do të ishte shumë herë më mirë. Problemi nuk është të ekspertët, por të kryeministri që hiqet si ekspert. Mediave nuk i jep llogari për vendimet që merr, sepse i cilëson “kazan”. Institucione shtetërore që mund ta kontrollojnë nuk ka, sepse të gjitha janë në komandat e tij. Kur Presidenti i kërkon institucionalisht informim se çfarë po ndodhë me pandeminë dhe si mund të shmanget humbja e jetëve, kryeministri përgjigjet si zyrtar i papërgjegjshëm. Ku duhet të informohen qytetarët se çfarë po ndodhë me pandeminë dhe kujt i jep llogari kryeministri për humbjen e jetëve të qytetarëve?