VIDEO/Fatmir Xhafaj flet për protestën: Do ketë përgjigje të fortë ligjore
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, në një konferencë urgjente për mediat, tha sot se protesta në Kukës doli jashtë kontrollit. Ai tha se mes protestuesve kishte persona me precedentë penalë dhe të kërkuar nga policia.
Ministri tha se janë plagosur 12 punonjës policie. Ai tha se asnjë arsye nuk mund të justifikojë dhunën ndaj forcave të Policisë së Shtetit. Xhafaj foli për provokatorë që e përdorën protestën për qëllime të tjera.
Ministri i Brendshëm deklaroi se forca e ligjit do të godasë ashpër ata që dëmtuan pronën private dhe shtetërore.
Me tone të forta Xhafaj tha se do të ketë hetim dhe ndëshkim dhe për ata që nxitën dhunën me deklarata.
VIDEO/Konferenca e plotë e ministrit Fatmir Xhafaj
https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/1286009158190870/
Deklarata e plotë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj:
Të nderuar qytetarë,
Sot më datën 31 Mars, nga një përfaqësi e disa qytetarëve të Bashkisë Kukës u kërkua që të zhvillohej një protestë në orën 11:00 për të shprehur kundërshtinë mbi tarifën që paguhet për automjetet që qarkullojnë në autostradën Milot-Morinë.
Në përputhje me kërkesën e bërë dhe në respektim të kësaj të drejte themelore të qytetarëve, Policia e Shtetit krijoi të gjitha kushtet dhe mori masat e duhura sipas ligjit, për zhvillimin e këtij tubimi.
Sikurse mundet të keni ndjekur nga njoftime të ndryshme mediatike, manifestimi i presupozuar paqësor, u shndërrua menjëherë në një sulm barbar kundër punonjësve të Policisë së Shtetit dhe kundër pasurisë publike dhe asaj private.
Grupe individësh të papërgjegjshëm në përbërje të të cilëve në numër jo të vogël gjendeshin elementë me të shkuar të rëndë kriminale, si dhe persona të tjerë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shfrytëzuan pabesisht të drejtën legjitime dhe paqësore të tubimit.
Shpreh gjithë mbështetjen dhe respektin për të gjithë ata qytetarë të një zone të dalluar për ndershmëri, krenari dhe fisnikëri sikurse është zona e Kukësit, të cilët u distancuan nga këta individë të papërgjegjshëm, si dhe ndaj atyre që nxisin veç zjarrin dhe dhunën për interesa politike dhe nuk u bënë pjesë e atyre, që pa asnjë shkak sulmuan egërsisht punonjësit e Policisë së Shtetit dhe shkatërruan pasurinë publike dhe atë private.
Asnjë e drejtë e pretenduar nuk mundet të justifikojë, në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë, sulmin kundër punonjësve të Policisë së Shtetit dhe shkatërrimin e pronës.
Janë lënduar 12 punonjës të FNSH-së nga gurët dhe sendet e forta të hedhura nga këta individë, ndërsa një punonjës policie është plagosur më rëndë dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore në spital.
Vlerësoj gjakftohtësinë dhe profesionalizmin e treguar nga punonjësit e Policisë së Shtetit në situatën e ndodhur pak orë më parë, duke shmangur kështu realizimin e skenarëve më të rëndë kriminalë, për të cilën ishin të interesuar provokatorë të caktuar.
Publikisht japë gjithë mbështetjen Policisë së Shtetit për çfarë ajo bënë për mbrojtur jetën dhe pronën e kujtdo.
Jam i keqardhur dhe ju kërkoj qytetarëve, Partive politike, medias dhe komunitetit të biznesit të distancohen ndaj gjithë atyre përfaqësuesve të Partive politike, që kanë inkurajuar me një gjuhë nxitëse protestuesit për ushtrim dhune ndaj Policisë dhe shkatërrim të pronës, duke sjellë në vëmëndje se ky është një precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe anti-kushtetues.
Ju bëj apel Autoriteteve të Qeverisjes Vendore në Kukës të distancohen nga këto akte të dhunshme dhe të ushtrojnë ndikimin e tyre, duke qenë bashkëpunues dhe në ndihmë të Policisë së Shtetit, për të mundësuar normalitetin për lëvizjen e lirë të qindra qytetarëve dhe transportin e mallrave sot dhe në ditët në vijim.
Në cilësinë e Ministrit të Brendshëm, deklaroj se Policia e Shtetit në zbatim të ligjit, do të ketë një përgjigje të ashpër për çdo person që ka nxitur dhe është përfshirë në aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe që kanë sjellë një dëm të madh ndaj pronës publike dhe private.
Kush nxit dhunën dhe anarshin do të marri përgjigjen e merituar ligjore!
Askush nuk mundet të jetë mbi ligjin!
Arta Marku: Do gjejmë shkaktarët e dhunës në Kukës
Prokuroria e Përgjithshme konfirmon nisjen e hetimeve për protestën në Kukës. Në një njoftim për mediat, Prokuroria thekson se Kryeprokurorja Arta Marku ka urdhëruar “Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës, Drejtuesja e saj Alketa Nushi me një grup prokurorësh të kësaj prokurorie, shkuan në vendgjarje dhe po punojnë për të gjetur autorët dhe shkaktarët e dhunës”.
Deklaratë e Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë
Prokuroria e Përgjithshme po ndjek me vëmendje ngjarjet e zhvilluara në protestën e paradites së 31 marsit në segmentin rrugor pranë Tunelit të Kalimashit në Rrugën e Kombit.
Prokuroria e Përgjithshme, Kryeprokurorja Arta Marku, uron shërimin e shpejtë të të lënduarve në protestë.
Ndërkohë, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës, Drejtuesja e saj Alketa Nushi me një grup prokurorësh të kësaj prokurorie, shkuan në vendgjarje dhe po punojnë për të gjetur autorët dhe shkaktarët e dhunës.
Kryeprokurorja znj. Arta Marku kërkon, mbështet dhe vë në dispozicion të Prokurorisë së Kukësit të gjitha burimet logjistike dhe njerëzore për zhvillimin me intensitet dhe rezultativ të hetimeve dhe vendosjen përpara përgjegjësisë penale të cilitdo që ka shkelur ligjin.
Prokuroria është në komunikim të vazhdueshëm dhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po kryen hetime për zbardhjen e ngjarjes”.
LAJME TË TJERA PËR PROTESTËN
Presidenti Meta: Të evitohet dhuna, duhet dialog
Rama: Protestuesit barbarë në Kukës do të marrin përgjigje
Basha: Qytetarët i thanë ”Ndal”
Kryemadhi: Revolta në Kukës, fillimi i fundit të qeverisë
Qytetarët: Mos luaj me zjarrin se do digjesh Edi Rama!
Berisha: Populli i thotë JO “plaçkës Rama”
Manjani: Arroganca e shtetit meriton ndëshkim popullor!
FOTO/ Bllokohen valët celulare në Rrugën e Kombit
FOTOLAJM/Protesta e dhunshme në Rrugën e Kombit
Mesila Doda: Shqiptarët nuk janë dele