VIDEO/ Rama dhe Linda shtrojnë darkën e iftarit të parafundit: Na bashkon ndjesia e përkatësisë së diçkaje të njëjtë

Kryeministri Edi Rama, bashkë me iniciativën edhe të bashkëshortes së tij Linda Rama, ka shtruar një darkë iftari me rastin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit, që është edhe darka e parafundit e iftarit.

“Edhe unë njësoj si agjëruesit mezi e pres këtë iftar bashkë me Lindën e këdo që angazhohet. Na bashkon ndjesia e përkatësisë ndaj diçkaje të njëjtë. Pa u munduar ti vëmë emër i ndjejmë afërsinë e pakufizueshme. Vakti i iftarit nuk është i pazakonshëm. Është një ndarje buke mes më të fortëve, atyre që duke agjëruar mposhtin dobësitë e trupit. Është virtyt ti nënshtrohesh disiplinës së fortë të agjërimit në këtë muaj që jo më kot quhet i madhërishëm pra lartësues. Unë sot bëj pjesë te kategoria e më pak të fortëve. E shoh të virtytshme dhe uljen e jo agjëruesve në tavolinën e iftarit”, tha Rama.

Fjala e plotë

Të dashur miq e të ftuar, nga zemra ju falënderoj që pranuat ftesën të merrni pjesë në këtë sofër iftari, tashmë tradicionale. Njësoj siç e mirëpresin agjëruesit edhe unë për hir të vërtetës, mezi e pres ta ofroj këtë iftar së bashku me Lindën dhe me ndihmën e kujtdo angazhohet që sofra të ketë frymën e një mbrëmjeje ku nuk na mbledh bashkë as feja, as gjuha, as puna që bëjmë në të përditshmen tonë apo ideja e çdokujt këtu për Zotin, por na bashkon ndjesia e përkatësisë ndaj diçkaje të njëjtë, e lidhjes me diçka të ngjashme të cilës i gjejmë emra të ndryshëm, ose edhe pa mundur apo pa u munduar t’i vëmë emër, i ndjejmë afërsinë e papërkufizueshme.

Vakti i iftarit nuk është një vakt i zakonshëm dhe kur ai ndodh kështu si sonte, është një ndarje buke mes më të fortëve, atyre që duke agjëruar mposhtin dobësitë e trupit dhe më pak të fortëve që të agjëronin nuk mundën apo nuk deshën. Sigurisht është virtyt t’i nënshtrohesh disiplinës së fortë të agjërimit, në këtë muaj që jo më kot quhet i Madhërueshëm, pra lartësues, por duke qenë se unë vetë, pavarësisht lartësisë së shtatit bëj pjesë tek kategoria e më pak të fortëve këtu sonte, e shoh të virtytshme edhe uljen e jo agjëruesve në sofrën e iftarit.

Për këdo që nuk i përket fesë islame, që nuk përshkon rrugën e agjërimit të urdhëruar nga profeti, që nuk vjen në këtë sofër nga kërkesat këmbëngulëse të faljes, pjesëmarrja në iftar është një lloj agjërimi më vete, një lënie mënjanë e paragjykimeve, një përulje ndaj traditave shpirtërore dhe dokeve të bukura të tjetrit, shprehja e një kumti të thjeshtë, por kuptimplotë paqeje, kryerja e një gjesti njerëzillëku mes të ndryshmish në një hapësirë si kjo e atdheut tonë ku, lavdi Zotit dhe mençurisë popullore, të qenit të ndryshëm në fe nuk na ka bërë njerëz të grindur mes vetit për Zotin në të cilin besojmë a nuk besojmë apo për fenë të cilës i përkasim, a nuk jemi ose ndjehemi përkatës.

Kështu që, duke shtruar një iftar, paradoksalisht bashkohemi nga rrugë të ndryshme në respektin dhe mirësinë e ritualit të agjërimit të vëllezërve dhe motrave të besimit islam, por dhe në pranimin e një njerëzillëku përtej kufijve a distancave të së përditshmes i cili lidh këtu në afrimitet edhe ata që i vënë Zotit një emër, edhe ata që emër për Zotin nuk gjejmë ose as që nuk duan të gjejnë. Ka zëra që më vijnë çdo vit në vesh për të hequr dorë nga kjo traditë, ashtu siç nuk mungojnë mes tyre edhe zërat më të lartë të mendjeve më përtace, përgjithësisht prej njerëzish mosbesimtarë në jetën e përditshme, që kujtohen për përkatësinë fetare të emrin të tyre vetëm kur shohin fenë e të tjerëve tu shfaqet në pasqyrat e celularëve përmes objektesh kulti, lajmesh nga bota mbi sherret gjakatare në emër të fesë apo aktivitetesh të paqme të komuniteteve të tjera fetare dhe kundërvihen me argumenta që edhe hanë edhe nuk hanë pykë, të cilat me të vërtetë janë nga ato tundime që, siç thotë edhe Hazreti Isa në Ungjill, paqja qoftë mbi të, zbohen vetëm me lutje dhe me agjërim.

Shumica nuk janë zëra dashakeqësh në vetvete ndaj Islamit, e ca më pak ndaj fqinjve, të njohurve a bashkëqytetarëve myslimanë, sikundër nuk është aspak i tillë çdokush që në ndërgjegje nuk i bashkohet kësaj sofre, madje edhe vetë dashakeqët me zërin e tyre, më shumë sesa dashakeq, të rrezikshëm nga ata që e besojnë Zotin si prijësin e një armate kundër Zotit të të tjerëve, janë dashakeqë mendjelehtë, vëzhgues sipërfaqësorë dhe të pandjeshëm të botës shpirtërore të cilët nuk janë dot aq të mençur sa të heshtin kur hedhin fjalët e tyre në mexhelis a në komentet e tyre në rrjetet sociale edhe kur nëse, në fakt, nuk kanë asgjë të vlefshme për të thënë.

Më kujtojnë shpesh këto kryeneçësira boshe, një debat të hershëm që flakëriu shumë kohë më parë si një rrufe në qiell të kaltër prej penës së një besimtari mysliman me emër, Haki Stërmillit në fillim të viteve ’40, shkrimtari që Shqipërinë e donte në shinat e përparimit dhe të modernitetit, rekomandoi, pa të keq, por krejt gabimisht, që njerëzit t’i braktisnin vizitat tradicionale tek sho-shoqi me rastin e Bajramit, si diçka e detyruar dhe e mërzitshme. Një mysliman i mirë dhe medjehapur si çdo besimtar që Zotin e tij nuk e do mësues në luftë me besimet dhe me doket e të tjerëve dhe që në fakt ia admironte Stërmillit veprën letrare, i dha një përgjigje modeste, por mjaft të hollë, duke i treguar sesa jo përparimtar dhe i mërzitshëm në të vërtetë ishte vetë rekomandimi i shkrimtarit, sesa shumë humbte komuniteti nga braktisja e shfaqjeve të paqme të njerëzillëkut, sidomos gjatë të kremteve shpirtërore.

Për sa më takon, unë them se e kam mësuar si duhet se ç’do të thotë një Ramazan më shumë apo një iftar më pak. E kam vath në vesh, tashmë pas kaq vitesh bashkimin traditë me komunitetin mysliman dhe mua t’jua përcjell sonte si jo dot më mirë sesa me fjalët e të madhit Hafiz Ali Korça, “Ramazani do të ikë, miqve të vet do tu thotë lamtumirë, por nuk e di prej nesh cili do të jetë ai që do të presë disa minuta rrotull sofrës së iftarit dhe do t’i thotë; elveda, për të mirë u pjekshim. Ramazani do të shkojë por kush është ai që do të qëndrojë 5 minuta duke u menduar e duke derdhur 5 pika lot për mysafirin e ndershëm që i pati dërguar Zoti dhe me të cilin po ndahet. Ramazan, ashikët e tu të pritën me buzë të qeshur e me gëzim dhe po të përcjellin të helmuar se nuk e dinë vallë i fal Zoti apo jo. Se dëshira dhe shpresa e besnikëve të tij nuk është tjetër veçse falje e ndjesë nga mëkatet dhe pastrim zemre, shpirti sipas vullnetit hyjnor”.
E pra, Ramazani vjen për besimtarët e devotshëm duke sjellë iftarët e tij edhe për të gjithë të tjerët si një mes i artë mes një viti në kalendarin e besimit islam, teksa sofra e iftarit bëhet dhe për çdokënd tjetër e mundshme si një rreth brenda mesit të artë, që të kujton fjalët e Xhelaludin Rumiut, “ja një botë e këtejme e një e andejme, dhe unë që ulem në pragun e saj”.

Ramazani është pikërisht si një prag i mundur në mes të dy botëve për çdo vdekatar, ama jo mes jetës së këtejme dhe andejme, por mes vetes së këtejme jashtë secilit prej nesh ku ne jemi një pjesëz e së përditshmes së përbashkët dhe vetes së andejme, brenda gjithsekujt prej nesh, ku ne jemi vetëm në thellësitë e shpirtit ku gjendet dhe lidhja jonë me çfarë ka përtej asaj që shohim, dëgjojmë, themi, jetojmë dhe përjetojmë këtej. E në atë prag ku përmes agjërimit, Ramazani i kërkon trupit t’i hapë rrugët shpirtit dhe mendjes me urdhër nga lart i dikton të zhytet sa më poshtë në thellësinë shpirtërore duke i neglizhuar kërkesat trupore, sofra e iftarit rri në mendje si ngushëllim për vuajtjet e trupit dhe si shpërblim për faljet e pranuara, duke bashkuar trupërisht e shpirtërisht rreth bukës familje, të afërm, miq, të njohur e të panjohur, në një kremtim të Zotit për besimtarët që vijnë nga faljet dhe të njerzëllëkut për të tjerët që i falen nderit të pjesëmarrjes në ritualin e muajit të lartësisë.

Sikur ky prag të ishte një vend, jo një kohë, do kisha propozuar të shkruheshin në hyrje të tij, fjalët e mistikut Shefqet Buhariu, “unë nuk të them që të mërgohesh e të braktisesh nga vetja, unë të këshilloj një gjë, zëre fort dorën e dashurisë e trokit në dyert e zemrave”. E kujt në mosbesim apo në nevojë për të kuptuar mirësinë e vendimit të kapërcimit të këtij pragu, qoftë dhe për një iftar të vetëm do të kërkonte shpjegim të mëtejshëm për këto fjalë, do t’i këshilloja një komentues anonim të vargjeve që thotë, “të trokasësh e të hysh në dyert e zemrave, do të thotë të shkrihesh në njësinë shpirtërore të shoqërisë e të vuash të gëzosh bashkë me të”. “Përnjimen”, thoshte ati i madh i katolikëve shqiptar Gjergj Fishta, “iftari na bashkon në sofër si dritat e kandilave, që si vargj yjesh lidhin minaren e xhamisë së Fushë Çelës, me këmbanaren e kishës së Gjuhadolit”.

Ramazani pra, krejt përtej konvencioneve të njërës apo të tjetrës palë, mes shumë palëve e frymëve që merren pa pushim apo lidhen qoftë dhe një moment iftari me të, ose nënçmimi me të, për t’i adhuruar diturinë apo marrë mirësinë apo për t’i ngjitur bishta mendjesh të cekta e veshur rrecka shpirtërash të vobektë, është në esencën e vetë një dhuratë e paçmuar, nën mbështjellësen e të cilës gjenden dy nga virtytet e forcës së vërtetë të islamit, paqja dhe drejtësia. Sofra e iftarit nuk është një ftesë në apati në kënaqësi nginje me ushqim dhe muhabet për të shtyrë ngrënien e gjethnajë është shtruar mbi sofër. Profeti, paqja e zotit qoftë mbi të, çohej prej tryeze pa u mbaruar të shtruara dhe kurrë i nginjur. Ai është dëshmitari i të vërtetës se paqja dhe drejtësia janë frytet e kultivimit të shpirtit, përkushtimit të mendjes dhe mobilizimit të trupit, kundër oreksit brejtës dhe kamjes topitëse.

Duke shpresuar se nuk ju lodha dhe duke besuar se ndani me mua, në mos gjithë sa thashë, së paku kënaqësinë e posaçme të të qenit së bashku në këtë sofër tradicionale iftari, po ndalem diku aty ku e nisa, tek çka është shkruar 95 vjet më parë nga i paharrueshme Hafiz Ali Korça. “Ramazan ti je një mysafir i dërguar nga Zoti, kush të nderoi për vete, kush të çnderoi po për vete. Dërguesi tënd Zoti ç’nevojë ka apo ç’e keqe i vjen? Asgjë! Zoti na pjekt me hajër pra”. Të gjithëve për hajër, agjërim të pranuar e rrugëtim të paqtë drejt Bajramit të bekuar besimtarëve myslimanë e mbarësi të tjerëve që qoftë dhe përmes këtij iftari u bashkuan në agjërim, jo duke ardhur nga faljet, por duke iu falur nderës së muajit të lartësimit për bukën që po ndajmë sonte në mesin e artë të Ramazanit. Faleminderit!

SHKARKO APP