
Në bregdetin shqiptar është ndalur një prej kroçerave më të mëdha dhe më luksoze në qarkullim. Kryeministri Edi Rama shkruan se famshmja “Explorer of the Seas Cruise” me 2700 turistë nga e gjithë bota në bord, ka mbërritur në Sarandë. Kjo është hera e parë që kjo kroçere e cila operon nën drejtimin e kompanisë Royal Caribbean Cruises Ltd, ndalet në bregdetin shqiptar.
“2700 turistë nga e gjithë bota mbërrijnë në Sarandë me të famshmen “Explorer of the Seas Cruise”, duke u prezantuar për herë të parë me kartolinën e bregdetit shqiptar që edhe këtë verë po mikpret shifra rekord vizitorësh”, shkruan Rama përkrah videos që shoqëron postimin.
Sa i përket “Eksplorueses së Deteve”, ndërtimi i saj përfundoi në vitin 2000 dhe ka një kapacitet prej 3000 pasagjerësh. Në momentin e daljes së parë në det, Explorer of the Seas kishte një tonazh prej 137,308 GT, duke e tejkaluar atë të kroçeres simotër Voyager of the Seas, dhe duke e bërë asokohe anijen më të madhe të pasagjerëve në botë, deri kur rekordi u thye në 2015.
