VIDEO/ Tabaku: Shteti nuk ndërtohet me gjoba, por me barazi për të gjithë

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka kritikuar ashpër qasjen e qeverisë ndaj qytetarëve përmes gjobave dhe ndëshkimeve të larta. Për të shteti nuk mund të ndërtohet me dhunë siç ka vepruar PS në këto 11 vite, polici apo forcë, por përmes zbatimit të drejtë të ligjit dhe krijimit të një sistemi të ndershëm për të gjithë.

”Filozofia e tyre për të bërë shtetin është përmes gjobave të larta, të cilat shpesh janë jashtëzakonisht disproporcionale me të ardhurat e qytetarëve. Nga ligji për mbetjet, te ai për të dhënat personale, mjedisin, turizmin dhe sigurinë ushqimore, gjithçka bazohet te ndëshkimi i të dobëtëve, ndërsa të fortët shpëtojnë pa pasoja”,-tha Tabaku për shumicën socialiste që është akuzuar se ka përdorur shtetin policor ndaj shqiptarëve.

Duke marrë shkasë nga amnisti e debatuar, por që ende nuk është një propozim ligjor nga mazhoranca socialiste, Tabaku solli në vëmendje se si socialistët amnistuan pa gjoba ndërtimet pa leje në qendër të Tiranës, duke përmendur shembuj të pallateve shumëkatëshe që janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme pa u ndëshkuar. ”Ata janë të fortë me të dobëtit dhe të dobët me të fortët. Nuk është kjo mënyra për të ndërtuar një shtet. Shteti ndërtohet me drejtësi, duke i dhënë çdo qytetari hapësirën që meriton, dhe jo me kërbaç”.

SHKARKO APP