Vijon përplasja e socialistëve dhe demokratëve për Rrugën e Arbrit
Ahmetaj: Projekt serioz në tryezën e qeverisë. Noka: Rama kërkon ryshfet edhe te kinezët
“Rruga e Arbrit” është një ndër çështjet që ka ngjallur replika e akuza në fushatën elektorale për zgjedhjen e kryebashkiakut të ri të Dibrës, garë kjo që do të mbahet më 11 shtator. Ndërsa të majtët premtojnë realizimin e këtij projekti, demokratët pretendojnë se rruga ka mbetur pezull, pasi sipas tyre, kryeministri Rama u kërkon ryshfet edhe firmave të huaja.
Në një takim me fermerët në fshatin Grevë të njësisë administrative Melan, kandidati i koalicionit të majtë, Muharem Rama, u shoqërua nga ministri i Financave Arben Ahmetaj, i cili tha se qeveria e majtë është e vetmja që e ka marrë seriozisht çështjen e “Rrugës së Arbrit”.
“Mos harroni se është një premtim prej 20 vitesh që për herë të parë konsiderohet si një projekt serioz në tryezë të qeverisë. Unë nuk kam nevojë ta përsëris por e kam me shumë dëshirë ta theksoj se kjo qeveri ka për ta bërë rrugën e Dibrës, në daç Rrugën e Arbrit, në daç rrugën nga Librazhdi”, nënvizoi Ahmetaj.
Ndërkohë, demokratët vijuan fushatën në Sohodoll dhe Maqellarë, ku kandidati Sherefedin Shehu u shoqërua nga Flamur Noka. Deputeti Noka akuzoi kryeministrin Rama se bllokoi investimin për Rrugën e Arbrit, sepse sipas tij, kërkonte ryshfet nga firma kineze.
“Pse e bllokoi Rrugën e Arbrit? E nisi PD, në të gjitha hapat e atij procesi ky burrë ka kontribut madhor. E bllokuan. Po pse e bllokuan, megjithëse ishte mbyllur përfundimisht negociata me firmën kineze? Sepse kërkojnë ryshfetin edhe firmave të huaja këta, përqindjen. Rruga ka ngelur pezull dhe nuk bëhet dhe nuk bëhet derisa të vijë Partia Demokratike në pushtet.”- deklaroi Noka.
KOHA JONË SONDAZH

