Vizioni për sportin/ Rama: Stadiume të reja për Vlorën, Korçën dhe Durrësin. Transformim i Pallatit të Sportit

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të mërkurë vizionin për sportin në Shqipërinë 2030, duke u ndalur tek investimet strategjike në këtë sektor, si dhe mbështetjen për sportin dhe nxitjen e një kulture të re sportive në vend. Duke folur mbi infrastrukturën sportive, Rama tha se ka ende nevojë për të bërë shumë akoma, ndërkohë që u ndal te projektet e stadiumeve të reja.

”Për stadiumet kemi çuar para 3 projekte të reja për stadiumin e Vlorës, Korçës dhe Durrësit, që tani janë në fazën e garave për partnerin privat”, tha Rama. Kryeministri informoi se të gjitha këto projekte do të zhvillohen si stadiumi kombëtar me partneritet publik-privat. Po ashtu Rama informoi se ka mbaruar edhe konkursi për stadiumin “Selman Stërmasi”, i cili po ashtu do të zhvillohet me partneritet privat.

Rama bëri të ditur se ka filluar edhe procesi për Pallatin e Sportit, që duhet të transformohet në Pallat Sporti që të jetë në gjendje të mikpresë edhe finale të nivelit më të lartë ndërkombëtar nga pikëpamja e kapacitetit.

”Atletika është sport kyç, ku shpresoj shumë që të gjejmë një mënyrë që të mbështesim federatën të atletikës që të hyjë në shkolla. Edhe në fund jam shumë i lehtësuar që ne e kemi zgjidhur problemin e kampionëve, ku nuk kemi më kampion që enden rrugëve.

Kemi ndërtuar sistemin e gradave, në Forcat tona të Armatosura që i vlerëson kampionët dhe ju jep një prespektivë jete të qartë dhe i kthen në asete që i shërbejnë sportit dhe i shërbejnë vendit.

Është shumë e qartë që buxheti për komitetin, që ka marrë një pozicion shumë të nderuar përtej për pritshmërive, është i pamjaftueshëm. Kështu ne vitin e ardhshëm do ta fillojmë me një rritje të buxhetit të komitetit. Edhe mendoj që ka ardhur koha që të ulemi me seriozitet që të mbyllim ligjin e sponsorizimeve”.

SHKARKO APP