VOA: Cila parti do drejtojë Senatin?

Nga VOA-

Ndërsa vazhdon numërimi i votave, ende mbetet e paqartë se cila parti do të marrë kontrollin e Senatit amerikan. Në shtete si Karolina e Veriut, Mein (Maine) dhe Xhorxhia, diferenca e votave mbetet e ngushtë çfarë e bën të pamundur përcaktimin e fituesit.

Në Kolorado, demokratët shënuan fitore ndërsa Senatori republikan Cory Gardner humbi përballë demokratit John Hickenlooper, ish-guvernator i këtij shteti. Zoti Gardner është zyrtari i fundit republikan në atë shtet që dikur konsiderohej ndër shtetet e betejës elektorale.

Sipas organizatës jo-partiake “Cook Political Report”, vetëm shtatë nga 35 vendet për Senat për të cilat u votua të martën, u vlerësuan si të mundshme për fitore nga kundërshtari.Republikanët shkuan në votimet e së martës me një shumicë 53-47, por u përballën me një cikël të vështirë zgjedhor meqenëse ata po mbrojnë dy herë më shumë vende sesa demokratët.

Republikanët fituan një vend në Alabama, ndërsa ish trajneri i futbollit amerikan Tommy Tuberville, i mbështetur nga Presidenti Trump, mundi Senatorin demokrat Doug Jones. Alabama ishte i vetmi shtet për demokratët ku vendi në Senat nuk ishte i sigurtë.

Me fitoren në Kolorado dhe humbjen në Alabama, demokratëve tani u duhet të fitojnë tre vende nëse kandidati demokrat Joe Biden fiton presidencën dhe katër vende nëse Presidenti Donald Trump rizgjidhet për një mandat të dytë.

Ndërsa demokratët forcojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, kontrolli i Senatit do të jetë thelbësor lidhur me suksesin e fituesit të zgjedhjeve presidenciale. Partia që do marrë shumicën në Senat do të jetë ajo që do të marrë në shqyrtim emërimet e ardhshme në Gjykatën e lartë dhe për gjykatësit federalë.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell i shtetit të Kentakit arriti një fitore të pritshme, pavarësisht sfidës së mirëfinancuar nga demokratja Amy McGrath. Në fjalimin e fitores të martën në mbrëmje, zoti McConnell tha se vendi përballet me sfida të rendësishme pas zgjedhjeve.

“Ende nuk e dimë se cili kandidat për president do të fillojë mandatin në janar, dhe nuk e dimë se cila parti do të kontrollojë Senatin. Por disa gjëra janë të sigurta tashmë. E dimë që sfida të mëdha do të kemi përpara, sfida që nuk duan t’ja dinë për polarizimin tonë politik. Ne e dimë që presidenti i ardhshëm do të duhet të unifikojë vendin ndërsa vazhdojmë të shtjellojmë ide dhe angazhime të ndryshme në tryezën e bisedimeve.”

Por nëse demokratët marrin kontrollin e Senatit, zoti McConnell nuk do të sherbejë më në rol udhëheqës. Senati do të kryesohet nga udhëheqësi demokrat Chuck Schumer, nga Nju Jorku.

Vendi atëherë do të përballet me perspektivën e një qeverie të ndarë, nëse Presidenti Trump merr një mandat të dytë, me republikanët që kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe demokratët që kontrollojnë Kongresin. Ose me një qeveri të unifikuar me demokratët që marrin kontrollin e Kongresit dhe të Shtëpisë së Bardhë nëse zoti Biden fiton.

Aleati i zotit Trump, Senatori republikan Lindsey Graham mundi kundërshtarin demokrat Jaime Harrison në Karolinën e Jugut. Harrison, ish-kryetar i Partisë Demokrate në atë shtet, pati rritur shpresat e demokratëve duke tejkaluar rekordin për mbledhjen e fondeve më të mëdha gjatë një tremujori të vetëm në historinë e Senatit, me 57 milionë dollarë. Në krye të Komisionit të Senatit për Gjyqësorin, zoti Graham luajti kohët e fundit një rol të rëndësishëm në konfirmimin e të emëruarës së Presidentit Trump për Gjykatën e Lartë, Amy Coney Barret.

Kontrolli i Senatit mund të varet nga rezultati i votave në Xhorxhia, ku të dy vendet për senator të atij shteti janë për rizgjedhje.

Sfiduesi demokrat Jon Ossoff po përpiqet të mundë Senatorin republikan David Perdue. Vendi tjetër është një garë me tre kandidatë në një zgjedhje të veçantë. Senatorja republikane Kelly Loeffler dhe demokrati Raphael Warnock siguruan vota të mjaftueshme për të tejkaluar kongresmenin republikan Doug Collins. Balotazhi mes republikanes Loeffler dhe demokratit Warnock më 5 janar 2021 nënkupton se përbërja përfundimtare e Senatit mund të mos përcaktohet deri vitin që vjen.

Republikanët po ndjekin nga afër garën senatoriale në shtetin Ajova (Iowa), ku Senatorja republikane në detyrë Joni Ernst renditej pas kundërshtares demokrate Theresa Greenfield në shumicën e anketave disa ditë para zgjedhjeve të së martës. Të dy kandidatet kanë theksuar lidhjet e tyre me fermat në shtetin bujqësor.

Por zonja Ernst mbështeti fuqishëm luftërat tregtare të Presidentit Trump me Kinën që shkaktuan pasiguri ekonomike për shumë fermerë dhe gjatë një debati parazgjedhor ajo ngeci kur u pyet që të citonte çmimin e shitjes së misrit.
Vëmendja e republikanëve është edhe në shtetin Mejn (Maine) ku Senatorja në detyrë Susan Collins renditej pas demokrates Sara Gideon në anketimet e bëra para zgjedhjeve. Në shtetin e rëndësishëm dhe të pavendosur të Karolinës së Veriut, Senatori republikan Thom Tillis u përball me demokratin Cal Cunningham.

Në Dhomën e Përfaqësuesve demokratët pritet të forcojnë shumicën ndërsa kanë marrë të paktën pesë vende më shumë.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi e Kalifornisë ka gjasa të rizgjedhet në krye kur të mblidhet Kongresi i ri në janar. Ajo tha për gazetarët të martën se, “Këto zgjedhje nuk janë asgjë më pak se rikthimi i shpirtit të Amerikës, nëse vendi ynë do të ndjekë zërat e frikës ose nëse ne do të zgjedhim shpresën”.

SHKARKO APP