Voto Reformën Zgjedhore, zoti Kryeministër i Rilindjes!

-Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka deklaruar prerë se Marrëveshja e firmosur në rezidencën amerikanë në Tiranë nga Gjiknuri-Bylykbashi-Vasili dhe Hajdari duhet të votohet pa asnjë ndryshim. Pra pa i hequr asnjë presje!

-Justifikimi i PS se nuk i ka votat s’besohet as nga deputetët e opozitës false në Kuvend. Në çdo votim, ligjet e zakonshme të qeverisë marrin më shumë se 100 vota. Kur bëhet fjalë për koncesione dhe projekte korruptive, e njëjta mazhorancë shtrëngon radhët dhe merr 110 apo 120 vota. Është absurde të mendosh se deputetët që votojnë me një SMS të Taulant Ballës çdo projekt abuziv të Rilindjes, nuk i binden Edi Ramës kur ky u kërkon votat për Kodin Zgjedhor, të cilin e kanë si kusht SHBA e BE.

Një muaj pas marrëveshjes së arritur në ambasadën amerikane mes PS, PD dhe LSI mazhoranca ende nuk ka dërguar në Kuvend dokumentin final për miratim. Gjatë gati 30 ditëve, kryeministri Edi Rama ka përdorur çdo pretekst për të shtyrë votimin në Kuvend. Fillimisht deklaroi se do të dëgjonte opozitën gjasme parlamentare për të marrë mendimin e tyre lidhur me ndryshimet e Kodit Zgjedhor.  Por kjo është një lojë djallëzore, por edhe që i dalë boja.

Hapja e listave të kandidatëve, ndalimi i koalicioneve dhe vendosja e pragut 5 %  si kërkesa të deputetëve anonimë dhe pa parti, janë pika të dalë nga selia e PS për të vonuar kalimin në Kuvend të reformës. Skema me kinse opozitën u denoncua dhe nga ambasadorët. Në mënyrë të përsëritur ambasadorja e SHBA dhe Ambasadori i Britanisë së Madhe kanë kërkuar miratimin urgjent të reformës. Për t’i kujtuar qeverisë “Rama” se reforma është një çështje serioze që nuk mund të lihet në dorë të dëshirave të çdo deputeti apo partie kanë reaguar dhe  Departamenti Amerikan i Shtetit, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo dhe gjithë institucionet e BE. Çdo përfaqësues ndërkombëtar që ndjek zhvillimet në Shqipëri ka kërkuar, pa humbur kohë, kalimin e reformës në Kuvend dhe nisjen e përgatitjeve për zgjedhjet. Ndërkohë Edi Rama bën sikur nuk e ka mendjen çfarë thotë SHBE dhe BE e humbet kohën duke u konsultuar me Rudina Hajdarin, Ralf Gjonin dhe Kujtim Gjuzin. Si pjesë e skemës për ta shtyrë sa më gjatë reformën doli në skenë dhe ideja e konsultimeve publike për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Socialistët kërkojnë që pasi të kenë shteruar gjithë idetë brilante të deputetëve anonime, të pyesin edhe shoqërinë civile apo ekspertë të reformave zgjedhore. Në këtë pikë debati për reformën që u miratua me seriozitet po kthehet në qesharak. Çdo shqiptar ka një ide të vetën për Kodin Zgjedhor dhe me nismën për konsultim publik të PS mund të kemi nja 200 propozime për sistemet zgjedhore, pa llogaritur propozimet nga disapora. Me ritmin që po ndjek PS debati për zgjedhjet nuk përfundon edhe pasi të jenë bërë zgjedhjet vitin tjetër. Që kjo reformë nuk do të sjellë ndryshim të jashtëzakonshëm kjo dihet, por pranimi për diskutim i çdo ideje haluçinate dhe kërcënimi për rrëzimin e marrëveshjes së 5 qershorit është shkatërrim i konsensusit. Në dokumentin final të PS, PD dhe LSI ka një pikë që e ka firmosur Damian Gjiknuri i PS dhe Rudina Hajdari. Në këtë pikë thuhet se marrëveshja do të votohet sa më shpejt në Kuvend, pa asnjë ndryshim të tekstit përfundimtar. Çdo debat tjetër i Edi Ramës për lista dhe koalicione është edhe tallje me SHBA, BE që u investuan në arritjen e kësaj marrëveshje.

Gjithë vonesat e PS për reformën nuk janë rastësi. Shtyrja e afateve të votimit mund të prodhojë një situatë bllokuese procedurale. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sipas ligjit, duhen bërë 6 muaj para datës së zgjedhjeve. Nëse kryeministri vijon të nxjerrë ndonjë pretekst çdo javë mund të ndodhemi para situatës kur votimi të mos ketë më vlerë për shkak të afateve kohore. Për pasojë, Rilindja hyn në zgjedhje me kodin e vjetër dhe e ka gati skemën për manipulimin dhe vjedhjen e votave. Ajo çfarë Edi Rama deklaron në publik dhe të ndërkombëtarët është se nuk i ka 84 votat për ta kaluar në Kuvend ndryshimet në Kod. Është një justifikim që nuk e besojnë as vet deputetët që bëjnë si të mërzitur për marrëveshjen mes PS, PD dhe LSI. Në çdo votim të Kuvendit ligjet e zakonshme të qeverisë marrin më shumë se 90 vota. Kur bëhet fjalë për koncesione dhe projekte korruptive, e njëjta mazhorancë shtrëngon radhët dhe merr 110 apo 120 vota. Është absurde të mendosh se deputetët që votojnë me një SMS të Taulant Ballës çdo projekt korruptiv të Rilindjes, nuk i binden Edi Ramës kur ky u kërkon votat për Kodin Zgjedhor.

Loja me reformën duhet të marrë fund sa më parë dhe produkti i marrëveshjes së 5 qershorit të votohet në Kuvend duke i hapur rrugën përgatitjeve për zgjedhjet. Çdo tentativë tjetër e rilindjes jo vetëm që do të djeg procesin e integrimit, por do të risjellë kaosin politik.

 

SHKARKO APP