Voton Meta: LSI, në lartësinë e duhur për të ardhmen e vendit
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka votuar sot rreth orës 11:40 minuta në kuadrin e zgjedhjeve që po zhvillohen brenda partisë së tij.
I pyetur se për kë kishte votuar, Meta u shpreh se vota është e lirë, duke theksuar se vendimin më të vështirë e ka pasur për përzgjedhjen e kandidatëve nga radhët e Lëvizjes Rinore për Integrim.
Ai tha gjithashtu se shpresonte që votimi ta çonte në një stad të ri këtë parti, duke shtuar se LSI do të jetë në lartësinë e duhur në vizionin e saj për të ardhmen e vendit dhe se e rëndësishme për Metën është pjesëmarrja dhe diversiteti në këto zgjedhje.
“Ky është një proces shumë pozitiv, që do të çlirojë energji shumë të mëdha për LSI-në, sepse konfirmon një hapje të LSI-së dhe një angazhim për të avancuar në një stad më të ri, përmes kësaj pjesëmarrjeje, kësaj vote dhe kësaj atmosfere pozitive. Diversiteti ka qëllimin e përbashkët që LSI-ja të ketë vizionin e duhur për të ardhmen e vendit dhe një organizim e funksionim shumë më të mirë cilësor e përfaqësues për të realizuar këtë vizion. Ajo që keni parë dhe do të shihni deri në fund të procesit, shpresoj që të jetë një moment i ri i një gare edhe më të rëndësishme përpara. Rëndësi për mua ka mbarëvajtja e procesit dhe shkalla e pjesëmarrjes. Sot LSI-ja duhet të tregojë një shkallë të lartë motivimi, ndaj i ftoj të gjithë të marrin pjesë në këtë proces. Rritja e anëtarësisë tregon se aq më e qetë dhe më e sigurtë është Shqipëria dhe e ardhmja europiane e saj”, u shpreh ndër të tjera Meta.
I pyetur nëse do të merren në konsideratë kërkesat e dy rivalëve të tij në këtë garë, sikur ndonjëri prej tyre të arrijë mbi 10% të mbështetjes në parti, Meta theksoi:
“Ne do të kemi në konsideratë jo vetëm kërkesat e çdo kandidati, por edhe të çdo anëtari. Do të presim rezultatin dhe duke qenë se të gjithë jemi pjesë e LSI-së, angazhimi i të gjithëve synon përmirësimin e kësaj partie. Pavarësisht kërkesave të kandidatëve të tjerë, LSI-ja duhet të kuptojë edhe më mirë se çfarë mund të përmirësojmë në të ardhmen e vendit. Sot për sot zgjedhim kreun dhe delegatët, ndërsa për zgjedhjet e përgjithshme dhe koalicionet kemi mbledhjen e Konventës në dhjetor”.
***
Për këtë votuat?
Meta: Vota është e lirë, por u mendova shumë sepse nuk doja të hiqja asnjë emër tek Lëvizja Rinore për Integrim, por u detyruar të hiqja disa. Ishte një proces pozitiv. Do të çlirojë energji më të mëdha brenda LSI-së sepse është një angazhim për ta çuar këtë parti në një stad më të ri përmes kësaj pjesëmarrje, kësaj vote, përmes kësaj atmosfere konkurrence me qëllim të përbashkët se si LSI të jetë në lartësinë e duhur, për të patur një vizion më të plotë për të ardhmen e vendit, por njëkohësisht edhe një organizim dhe funksionim shumë më të mirë cilësor dhe përfaqësues për të realizuar këtë vizion.
Mendoj se gara është ajo që keni parë dhe do të shohim deri në fund të procesit. Besoj që të jetë një moment i ri i garave më të rëndësishme.
A do të ketë ndonjë surprizë?
Meta: Për mua më e rëndësishme është mbarëvajtja e procesit.

KOHA JONË SONDAZH

